Ish-kreu i PS në Berat, Hoxha: “PS – LSI u bashkuan për interesat e kombit”

630
Sigal

Memsur Hoxha: “Politikanët e vegjël ende nuk po kuptojnë këtë bashkim shumë të leverdishëm për të majtën shqiptare”

Bashkimi i Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka trazuar disi politikën shqiptare si në qendër dhe në bazë. Ky veprim nuk ka shqetësuar aspak strukturat e dy partive më të mëdha në Berat, por përkundrazi ka ndikuar për mirë në shumë drejtime. Dihet se Berati është pothuajse 70 për qind i majtë dhe si i tillë bashkimi me LSI-në më partinë mëmë që është Partia Socialiste nuk ka ndikuar për keq, por përkundrazi janë dhënë mendime shumë të rëndësishme. Ish-drejtues i Partisë Socialiste për rrethin e Beratit, z.Memsur Hoxha, është shprehur për gazetën “Telegraf”, se tashmë kishte ardhur koha që këto dy parti të bashkohen përsëri, pasi kanë një ideal dhe një program. “Madje, këto dy parti kanë qenë në një të vetme, por interesat partiake dhe ato qejfmbetjet bënë që nga gjiri i Partisë Socialiste të shkëputet një pjesë e saj dhe të krijohej një forcë politike, siç është LSI. Kjo nuk ka asnjë të keqe. Por vjen një ditë dhe këto forca politike për interesat e kombit bashkohen. Këto nga anë politike nuk duhen gjykuar fare, por duhet të përshëndeten për këtë koalicion që shumë shpejtë do të japë frytet më 23 Qershor”, tha Hoxha. Politikanët tanë sot duhet ta shohin politikën me syrin europian. “Lideri i LSI, Ilir Meta në momentin që ishte me Partinë Socialiste, ka drejtuar qeverinë shqiptare. Madje, është për t’u theksuar se ka qenë një kryeministër i suksesshëm. Politikanët e vegjël ende nuk arrijnë të kuptojnë mirë këtë bashkim shumë të leverdishëm për të majtën shqiptare. Shqiptarët kanë nevojë për një shtet solid, që do të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, trafikimet etj.. Kemi 20 vjet demokraci në këtë vend dhe në vend që të shkojmë përpara po shkojmë mbrapa, por është e majta shqiptare ajo që do të nxjerrë nga kolapsi këtë vend, duke luftuar të gjitha fenomenet që janë shfaqur gjatë këtyre viteve. Ky bashkim do të ndryshojë çdo gjë në këtë vend, i cili prej vitesh, po klith, pasi krimi po i merr jetën, korrupsioni po i lë pa bukë. Jeta nuk ka siguri etj.”, tha Hoxha.

Liderët e PS-LSI

Një grup anëtarësh të asamblesë të dy partive, PS dhe LSI janë shprehur se, të dy liderët e këtyre partive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë provuar shumë mirë gjatë detyrave që ata kanë kryera në qeverisje. Rama prej një kohe shumë të gjatë ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, ku mori një qytet, ku kishin ndërtuar foletë minjtë dhe e shndërroi në një kryeqytet me parametra europian. Tashmë ai është dhe një politikan me horizont të gjerë, i cili po drejton partinë opozitare më të madhe shqiptare. Ndërsa lideri i LSI-së, Ilir Meta është një nga drejtues i sprovuar, si ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe shumë i suksesshëm. Por nuk duhet harruar se ai ka qenë edhe euro socialiste ndër të parët. Pra, ky bashkim, tashmë i ka të gjitha kushtet, pasi u poqën kushtet dhe vendi ka nevojë për një udhëheqje të mirëfilltë për të nxjerrë nga kolapsi Shqipërinë, ku është futur prej vitesh.