Ish-Kongresmeni amerikan Joseph J. Dio Guardi letër UNESCO-s: Shpëtoni Butrintin

249
Sigal

“Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit si “investitor strategjik” do të marrë de facto në dorë menaxhimin dhe kontrollin e Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit, në kundërshtim me modelin dhe parimet e Konventës së UNSECO-s, si dhe me praktikat më të mira të zbatuara në mbarë botën”

Përpos reagimeve të ekspertëve shqiptare të fushes së trashègimisë kulturore dhe opozitës për dhënien e Parkut të Butrintit një fondacioni privat për menaxhimin e tij për 10 vite, regime vijnë edhe nga ndërkombetaret. Ish-kongresmeni amerikan, Joseph J. DioGuardi, drejtues i organizatës “Truth in Government” dhe Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i ka dërguar nje letër Dr. Lazare Eloundou Assomo, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Botërore UNESCO për mënyrën e re të menaxhimit të Butrintit. Në letrën e tij bëhet thirrje për ta shpetuar Butrintin, pasi sipas tij është shkelur Konventa e Trashëgimisë Botërore e vitit 1972. Letra mban datën 8 Prill 2022 dhe titullin “Statusi potencialisht i rrezikuar i Sitit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit në Shqipëri”.

Unë jam një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara nga  Nju Jorku,  1985-1989, dhe jam gjithashtu President i të Vërtetës në Qeverisje, një organizatë publike monitoruese e përkushtuar ndaj përgjegjësisë fiskale në qeverisje.  Përveç kësaj, unë jam edhe themelues dhe President Lidhjes Qytetare Shqiptare Amerikane si dhe i Fondacionit Shqiptar Amerikan, dy organizata që nxisin angazhimin e zhdërvjellët të bashkësisë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Si një person privat dhe i shqetësuar, në mbështetje të nenit 11(4) të Konventës Botërore të vitit 1972 po ju tërheq vëmendjen për disa kërcënime të mundshme, që janë, “serioze dhe të posaçme”, të cilat rrezikojnë Vendin e Trashëgimisë Botërore të Butrintit.  Unë po tërheq vëmendjen tuaj tek një reportazh i kohëve të fundit nga Zëri i Amerikës, i datës 6 prill 2022 rreth situatës në Vendin e Trashëgimisë Botërore në Butrint të titulluar: “Qeveria shqiptare vendos që Butrinti të menaxhohet nga një fondacion”, tek https://www.zeriamerikes.com/a/6517829.html Me sa kam dijeni, qeveria e Shqipërisë, nën ndikimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, një entitet me bazë në SH.B.A., ka ndryshuar Ligjin për Trashëgiminë Kulturore për t’i mundësuar një fondacioni privat që të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit. Më tej, unë kam mësuar nga reportazhi në Zërin e Amerikës se Qeveria e Shqipërisë ka pakësuar një hapësirë të konsiderueshme të mbrojtur në masën prej rreth 800 hektarësh brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, “duke hapur rrugën për zhvillimin e turizmit”.  Sikurse e dini, në vitin 1992 Butrinti u regjistrua në Listën e Vendeve të Trashëgimisë UNESCO. Në vitin 2000 u themelua zyrtarisht Parku Kombëtar i Butrintit, duke siguruar një menaxhim dhe mbrojtje efektive të tij përmes një larmie instrumentesh juridike të brendshme dhe ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Parisit dhe Konventën e Ramsarit. Unë jam besimplotë se autoritetet vendase në Shqipëri i kanë kapacitetet për ta administruar dhe menaxhuar vetë Butrintin, në pajtueshmëri të plotë me Konventën e vitit 1972l. Në fakt, si rrjedhojë e punës dhe përkushtimit të burimeve dhe kapaciteteve të brendshme njerëzore shqiptare, Butrinti në vitin 2005 u hoq nga lista e Vendeve të Rrezikuara të UNESCO-s dhe u ngjit në statusin që gëzon tani. Megjithatë, ndryshimet e fundit në legjislacionin përkatës shqiptare kanë çelur shtegun për ndryshimin e strukturës së menaxhimit të Butrinit përtej modelit të mirënjohur të Konventës së Parisit, ku Shtetet Palë kanë ekskluzivitetin e menaxhimit, duke aplikuar një menaxhim të ri, eksperimental, privat, i cili do të udhëhiqet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.  Unë e kam ngritur këtë problem me kanalet e duhura në qeverinë amerikane për shkak të dukshmërisë së theksuar të konfliktit të interesit në këtë çështje. Me të vërtetë, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit:

-ka paguar për ekspertizën juridike të Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore;

-ka lobuar për miratimin e tij në Kuvendin e Shqipërisë;

– Dhe si “investitor strategjik” do të marrë de facto në dorë menaxhimin dhe kontrollin e Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit, në kundërshtim me modelin dhe parimet e Konventës së UNSECO-s, si dhe me praktikat më të mira të zbatuara në mbarë botën.

Në këtë drejtim, është politikë e vendosur dhe e qëndrueshme e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që Parqet Kombëtare, përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore, menaxhohen vetëm dhe ekskluzivisht nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve (National Park Service), një agjenci e Departamentit të Brendshëm të Shteteve të Bashkuara.   Prandaj është e pakuptueshme që një organizëm i bazuar në Shtetet e Bashkuara, siç është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, devijon nga kjo politikë e mirëpërcaktuar e Qeverisë së SH.B.A.-së, duke u përpjekur kësisoj që të krijojë një model të ri, “hibrid” në Shqipëri, ku menaxhimi transferohet nga duart e një qeverie sovrane tek një fondacion i kontrolluar nga jashtë. Duke iu referuar modelit “hibrid” që i është imponuar Shqipërisë, z. Michael D. Granoff, Kryetari i Bordit të  Drejtuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në një aktivitet promocional për Butrintin vitin e kaluar, arriti deri atje sa të deklarojë sa më poshtë:  “Ne duhet të krijonim një model për të ardhmen, jo vetëm që të zbatohej për Butrintin, por që mundësisht të zbatohej në vendet e trashëgimisë historike jo vetëm në gjithë Shqipërinë, por  që mund të ishte një model për botën…” [theksimi i shtuar]. Me fjalë të tjera, çka ai dëshiron të thotë në të vërtetë është që le të rishpikim rrotën, harrojeni Konventën e vitit 1972, dhe le ta hedhim tutje modelin e mirëpërcaktuar të UNESCO-s. Më duhet të shtoj se një ekspert me famë botërore nga Izraeli, Prof. Giora Solar, duke përshkruar punën e tij të gjatë vitit 2012 në Butrint të komisionuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, deklaroi se “klienti im amerikan [d.m.th. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit] nuk ishte fare profesional”. Ai shtoi më tej se, edhe pse Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit do të krijonte në instrument juridik të posaçëm për të menaxhuar Butrintin, kjo do të krijonte një konflikt interesi të hapur – duke shtuar se “ideja dhe sistemi janë të korruptuara”. [Gazeta Dita, 16 shtator 2020, tek https://tinyurl.com/c2jfkzhf]. Prandaj unë kërkoj që UNESCO dhe organizmat e veta të nisin sa më parë një hetim të thelluar ndaj këtyre shkeljeve të mundshme të Konventës së vitit1972, si dhe të parimeve dhe praktikave të UNESCO-s, të cilat rrezikojnë seriozisht statusin e Butrintit si Vend i Trashëgimisë Botërore.  Lutem më kontaktoni lirisht nëse do të keni nevojë për informacione të mëtejshme.

Sinqerisht,Joseph J. DioGuardi