Ish-Kombinati Ushtarak i Poliçanit prodhon lëndë kimike për firmat që nxjerrin naftë

620
Sigal

“Gotat e ekzogjenit” po tronditin banorët e zonës naftëmbajtëse. Specialistët: Të ndalohet përdorimi i tyre!

Lënda eksplozive e quajtur “Gota e ekzogjenit” të prodhuara në ish-Kombinatin Ushtarak Poliçanit, tashmë janë kthyer në një tmerr të vërtet për banorët e rrethit të Fierit dhe në veçanti, në ato fshatra që ndodhen në zonat naftëmbajtëse. Burime brenda Kombinatit Ushtarak të Poliçanit, pohojnë për gazetën se, prodhimi i lëndëve plasëse me emrin ekzogjen është prodhuar në vitin 2011 në një nga repartet kimike të këtij ish-kombinati, që njihet për prodhime të cilësisë së lartë të lëndëve shpërthyese, ku rrezet vepruese të saj janë të mëdha dhe tronditja që krijohet nga shpërthimi po, gjithashtu, janë të tmerrshme. Kjo gjë ka krijuar panik në zonat naftëmbajtëse si Zharrës dhe Marinës, por edhe në zona të tjera, ku firmat e huaja i kanë marrë dhe po i përdorin këto lëndë shpërthyese. Vërtet firmat e huaja kanë interesat e tyre, por edhe banorët kanë të drejtë kur kërkojnë që të ndalohet përdorimi i tyre, sepse po u shkatërrohen shtëpitë e po sëmuren vetë. Specialistët e fushës thanë se, përdorimi i kësaj lënde duhet të ndalohet sa më shpejt.

Përgatitja e lëndëve

Burime jo zyrtare, po të besueshme bëjnë të ditur se kjo lloj lënde plasëse që përgatitet në gota, ku hidhet ekzogjeni është përgatitur nga specialistët më të mirë që ka ky kombinat për sa i përket lëndëve kimike. Kjo lëndë kimike është porositur nga firma e huajë kanadeze, e cila pas përfundimit të prodhimit, e ka përdorur atë nëpër puset e naftës. Këto ditë është ngritur dhe shqetësimi i banorëve të kësaj zone, të cilët janë hedhur në protestë, ndaj kësaj firme që përdorë këtë lëndë shpërthyese. Kjo lëndë shpërthyese ka rreze veprimi të madhe dhe si pasojë ajo ka vepruar dhe në banesat e kësaj zone duke i dëmtuar ato. Madje, më i rrezikshëm është dhe paniku që është krijuar tek këta banorë nga tronditjet e fuqishme që krijohen nga shpërthimet.

Kombinati Ushtarak

Burime nga kombinati bëjnë të ditur se, kjo lloj lënde plasëse ka pasoja, sepse shkakton dëme materiale dhe dëmton shëndetin e njerëzve. Lënda është problematike për njerëzit depresivë, për ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël që mund të pësojnë trauma nga shpërthimet e fuqishme. Burimet bëjnë të ditur se, kjo lëndë plasëse dyshohet të jetë përdorur edhe nga firmat që kërkojnë naftë në zonat e Beratit, sepse shpesh herë shpërthime të forta kanë tronditur qytetin. Edhe pse shpërthimet kryhen rreth 10 kilometër larg, gjendja e krijuar shqetësoi jo vetëm banorët, por edhe institucionet, sepse janë vënë në rrezik lagjet muzeale “Mangalem”, “Goricë” dhe “Kala”, ku dhe banesat janë të vjetra dhe të amortizuara.