Inxh. Niko NASKA/ Diga e liqenit artificial të Tiranës, në çdo kohë problematike

1727
Sigal

Diga e Liqenit Artificial të Tiranës është një nga 654 digat e ndërtuara në vendin tonë. Projekti i saj është hartuar në vitin 1958 nga inxh. Faredin NURI. Diga është projektuar e tipit homogjen me shkarkues në formë kulle. Shkarkimi i ujërave të tepërta bëhet me anën e kapërdredhësit me prag të lirë, ulja e nivelit të uji te liqenit bëhet me anën e brimës fundore të pajisur me portat e punës e të remontit. Në të dy rastet uji largohet në biefin (anën) e poshtme të digës për në Lumin e Lanës, me anën e kolektortit beton arme me seksion të brendshëm (2×2)m2.

 Fillimisht diga u realizua me lartësi 12,5ml e cila u ndërtua në vitet 1959-1960, ndërsa punimet vazhduan për mbilartësimin e saj edhe me 2ml ngritje, punimet e ndërtimit përfunduan në vitin 1962. Me këtë mbilartësim të digës u rrit vëllimi i rezervuarit të ujit nga 157×106 në 255×106 m3 ujë. Nga viti 1962 e në vijueshmëri diga ka pësuar defekte të shumta ku nga më kryesoret kanë qenë:

 Rrëshqitja e vitit 1968, mbas daljes së vendit tonë nga Traktati i Varshavës, ndodhi si rezultat i boshatisjes së menjëhershme të liqenit, rrëshqitje e cila ndodhi në pjesën qendrore të digës me një gjatësi të konsiderueshme prej 120ml. Mbas riparimit të bërë, kjo rrëshqitje u aktivizua në vitin 1974, me gjatësi prej 90ml e cila preku vetëm skarpatën e digës. Riparimi i kësaj pjese të digës u bë në vitin 1975.

  • Në vitin 1991 ndodhi rrëshqitja në skarpatën e poshtme me një sipërfaqe prej 250m2, me thellësi të shtresës prej 2,5ml. Riparim i cili u krye pa cilësi brenda vitit 1991.
  • Në vitin 1994 rrëshqiti skarpata e poshtme e digës me një sipërfaqe të madhe prej 600m2 me thellësi të shtresës prej 4ml e cila u riparua brenda afateve.
  • Në vitin 1996 ndodhi një rrëshqitje e re e cila përveç skarpatës së poshtme preku dhe kurorën e digës. Kjo rrëshqitje ndodhi në një sipërfaqe prej 950m2 me një trashësi (thellësi) prej 3ml e cila u riparua në vitin 1999. Riparimi u realizua mbi bazën e një projekti të hartuar nga ISPH i cili përmirësoi sigurinë e digës duke e kthyer nga digë e klasit të tretë në digë të klasit të parë sipas klasifikimeve të digave të përcaktuara në V.K.M në fuqi. Projekti i ndryshuar ndër të tjera parashikonte:

–          Rritjen e frontit të përgjithshëm të kapërdredhësit.

–          Vendosjen e portave të punës dhe të remontit.

–          Ndërtimin e parapetit beton arme, gjatë gjithë gjatësisë së digës.

–          Ndërtimin e trashëve në trupin e vetë digës.

–          Ndërtimin e filtrave me trashësi (0,5 deri 10ML.

–          Ndërtimi i drenazheve të rinj.

–          Ndërtimi i brezave beton arme, në formën e rombit, në sipërfaqen e skarpatës së poshtme.

–          Sistemimin e rrugës në pjesën e poshtme te digës.

–          Vendosjen e piezometrave, reperave gjeodezik për kontrollin e monitorimin e filtrimeve, uljeve dhe përmirësimin e shumë elementëve të tjerë të digës.

  • Në Shtator të vitit 2002, si rezultat i hapjes së portave të digës së liqenit artificial dhe të bllokimit të kolektorit të shkarkimit të ujit, nga vepra e marrjes deri tek lumi i Lanës, nga ndërtimet e bëra mbi këtë kolektor, pjesa veri-perëndimore e qytetit të Tiranës u përmbyt. U përmbytën dhe kaluan në situatë emergjente rreth 140 familje

 Për përmirësimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga përmbytjet e ujit u ngritën grupe pune, u hartuan programe e plane masash të cilat mbeten vetëm në letër, nuk u realizua, përkundrazi në kundërshtim me Ligjin Nr. 8681 dt. 02.11.2000 “për projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e digave dhe dambave”, të vendimeve, rregulloreve, udhëzimeve etj, të dala nga ky ligj, mbas vitit 2005 në këtë zonë filluan ndërtimet shumë-katëshe. Fatkeqësisht këto ndërtime u kryen duke prishur sheshin e madh të modelimeve hidraulike. Në këtë laborator (i krijuar në vitin 1957) janë kryer studimet për Hidrocentralin e Shkopetit, Bistricës, Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit, Banjës, Ujëmbledhësit të Bovillës, të shumë digave të ujëmbledhësve si të Skoranës, Kasharajt, Spatharit, u zgjidhën problemet për portin e Vlorës, Shëngjinit, Durrësit, Himarës, Sarandës, Limiunit, Ksamilit etj. Në këtë shesh janë kryer modelimet në hapësirë për modelimin e valës së përmbytjeve nga shkarkimi i menjëhershëm dhe eventual i digave të kaskadës së Lumit Drin, modelimet e sistemeve dhe mbrojtjen e shtratit të lumit Shkumbin, modelimin e anës së poshtme të digës së Hidrocentralit të Komanit etj. Ish punonjësit e Akademisë së Shkencave, që e kishin në vartësi të tyre këtë Qendër të Kërkimeve Shkencore Hidraulike, nuk duhet të kishin lejuar prishjen e sheshit të madh të modelimeve  hidraulike për të ndërtuar mbi këtë shesh ndërtimet aktuale shumë katshe. Domosdoshmëria e këtij sheshi modelimi u pa në përmbytjet e njëpasnjëshme të ndodhura në vitin 2010-2011 në qytetin e Shkodrës, në zonat Shkodër-Lezhë dhe në zonat e ndryshme të vendit. Sot kjo domosdoshmëri e këtij sheshi shikohet në studimet për mbrojtjen e bregdetit nga erozioni, dinamikën e lumenjve të vendit, të digave të hidrocentraleve të rinj etj. U fol për ndërtimin (2010) se do të ndërtohet një qendër e re studimore për modelimet hidraulike, por deri më sot asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe vendit tonë i mungon kjo qendër studimore-kërkimore-shkencore. Ndërtimet shumë katshe që lartësohen sot mbi këtë shesh modelimi, ndodhen në bjefin e poshtëm të digës së liqenit Artificial të Tiranës dhe në aksin e shkarjeve të kryera gjatë këtyre viteve në këtë digë, ndërsa në pjesën perëndimore, poshtë digës, janë programuar ndërtime të tjera shumë katshe, punime të cilat sapo kanë filluar. Duke parë situatën aktuale të liqenit dhe veprave të tjera gjendja është jo e mirë. Kështu liqeni është në kuota shumë të ulëta, sasia e ujit është e vogël, ekologjikisht i papastër, portat e punës e të remontit janë të prishura, mekanizmat e ngritjes dhe të remontit nuk funksionojnë, reperat dhe piezometrat mungojnë etj.

Në këto kushte ka dy probleme apo rrugë që duhet të zgjidhen:

 Do të merren masa për ta kthyer liqenin Artificial të Tiranës, digën dhe veprat e tjera që lidhen me to në parametrat e përcaktuara në projekt dhe në regjistrin e digave të mëdha.

  1. Do të qëndrojë liqeni në nivelet e tanishme, me këtë sasi uji vëllimor, duke ribërë një studim të përgjithshëm për sipërfaqen e pasqyrës së ujit në përputhje me prurjet reale maksimale të ujit, për ta bërë sa më rekreative këtë zonë?

Duke pasur parasysh se zona ku shtrihet diga dhe kupa e liqenit Artificial të Tiranës është shumë e varfër me ujëra nëntokësore, burime të tjera të furnizimit me ujë nuk ka, me përjashtim të reshjeve atmosferike, për të arritur tek parametrat e projektit dhe ato të regjistruara në regjistrin e digave të mëdha si:

–          Sipërfaqja e pasqyrës së ujit 356. 000m2,

–          Vëllimi i rezervuarit sipas projektit etj.

Kërkohet domosdoshmërisht furnizimi me ujë nga një burim apo rezervuar tjetër. Për këtë ka një studim që liqeni Artificial i Tiranës të furnizohet me ujë nga rezervuari i Farkës. Por në kushtet e reja të krijuara nga ndërtimet e shumta në zonën e Lundrës, ujërat e rezervuarit të Farkës janë programuar të përdoren për furnizimin me ujë të pijshëm komunal etj, të këtyre zonave të reja të baniumit. Në kushtet dhe situatën konkrete të krijuara do të sugjeroja variantin e ribërjes së studimit të përgjithshëm të kësaj zone. Studimi të mbështetet tek sasitë reale të ujit kryesisht të reshjeve atmosferike që sjell pellgu shimbledhës. Ky studim do të bëjë të mundur:

 –          Zvogëlimin e pasqyrës së ujit afërsisht në 60% të sipërfaqes së ujit të parashikuar në projekt dhe në regjistrin e Digave të Mëdha.

–          Sipërfaqja e fituar nga ky zvogëlim rrit sipërfaqen e gjelbër, përdoret për ndërtimin e terreneve sportive natyrore (kaq të nevojshëm për rininë e kryeqytetit), këndë të ndryshme lojërash për fëmijë (duke çliruar sipërfaqet  që ato kanë zënë në vendet e papërshtatshme të qytetit)

–          Në vepra të ndryshme hidroteknike bëhet që uji të mos qëndrojë në gjendje të qetë por të lëvizi me shpejtësinë e dëshiruar dhe të pëlqyeshme nga frekuentuesit.

–          Ndërtimin e pishinave të hapura, pasqyra të vogla uji të pajisura me shatërvanë, skulptura, vende për zhvillimin e sporteve të ndryshme ujore etj.

–          Vende qëndrimi natyrore të studiuara për mosha të ndryshme.

–          Zvogëlimin e rrezikut për objektet që janë ndërtuar në biefin (anën) e poshtme të digës.

 Sigurisht që studimi duhet bërë mbi bazën e një detyre projektimi të hartuar nga Bashkia e Tiranës duke u konsultuar me Ministritë që kanë lidhje si Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, Ministria e Drejtësisë, Ministria e kulturës, Ministria e Mirëqenies sociale dhe rinisë, Ministrinë e Mjedisit dhe të mbështetur me fonde të nevojshme nga Qeveria Shqiptare.