Investimi 210 milionë lekë për nënstacionin në qendër të Tiranës. Çela: Rrit cilësinë e furnizimit

529
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përfundoi investimin prej 210 milionë lekësh për fuqizimin e nënstacionit elektrik 110/20 kilovolt në qendër të kryeqytetit.
Investimi pritet të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj të gjithë konsumatorëve brenda Unazës së Vogël dhe qendrës së qytetit. Administratori i OSHEE, Ardian Çela, u shpreh se, falë performancës pozitive të kompanisë dhe rritjes së arkëtimeve, investimet do të shtrihen në të gjithë vendin. “Më përfundimin e këtyre punimeve do të përmirësohet cilësia e shërbimit, do të ketë më pak defekte dhe sistemohet shpërndarja për abonentët në zonën brenda unazës”, tha Çela.
Ndërsa zv/ministri i Energjisë, Ilir Bejtja, tha se, sektori tanimë është kthyer në fitimprurës për shtetin shqiptar, ndërkohë që vazhdon aksioni për uljen e humbjeve në rrjet. Shkëputjet e energjisë në zona të ndryshme të vendit janë pjesë e remonteve që OSHEE po kryen për të përmirësuar linjën e shpërndarjes.
Një tjetër projekt, pjesë e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në vend, është ndërtimi i një nënstacioni të ri, po në qendër të kryeqytetit, me vlerë rreth 8 milionë euro. Gara për ndërtimin e tij hapet në muajin dhjetor ndërsa punimet janë planifikuar të kryhen në 12 muajt në vazhdim.
Plani i investimeve të operatorit të shpërndarjes shtrihet në një periudhë 5 vjeçare, me një vlerë prej 90 milionë euro, financim i siguruar nga Banka Botërore. Pjesë e investimeve do të jetë ristrukturimi i linjave të furnizimit, ndërtimi dhe rindërtimi i nënstacioneve elektrike si edhe vendosja e matësave të rinj për konsumatorë.
Sigal