Intervistë me shkrimtaren Nimfa Hakani

752
Nimfa Hakani, është diplomuar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, më 1976 dhe ka mbrojtur masterin në ‘Mercy College’, Nju Jork në 2003. Ka shkruar dhe shkruan vazhdimisht në zhanre të ndryshme, si: poezi, tregime dhe artikuj për gazeta të ndryshme të internetit. “Pacientja 101”, një përmbledhje tregimesh të botuara e të pabotuara, është libri i parë i saj. Gjithashtu ka botuar një libër për fëmijë, “Gjetoja dhe Orët”, si dhe një përmbledhje rrëfenjash e fabulash me titullin, “Luani i fjetur”. Në Amerikë është duke botuar në gjuhën angleze, librin “Under the Orange Tree” – “Nën Pemën e Portokallit”, në të cilin janë përfshirë tre novela, të cilat kanë në qendër të tyre jetën modeste dhe të thjeshtë, por njëkohësisht dhe të komplikuar në fshatrat shqiptare të Jugut të Shqipërisë, gjatë viteve të vështira që pasuan fillimin e shekullit XX, deri në fund të viteve ’30, para Luftës së Dytë Botërore. Ky libër do të shitet në Amazon.com dhe Barnes^Nobles websites.
– Si e gjete, në këtë vizitë të fundit Shqipërinë?
Më mahniti Tirana. Një ndryshim kolosal, që 9 vjet më parë, kur isha për vizitë për herë të fundit. Unë erdha në Tiranë pas një vizite në Paris dhe mund të them se, fillimisht u ndjeva sikur ecja në rrugët e një qyteti Europian. Por shpejt rrugët, plehrat, ndërtesat e shumta, qentë nëpër rrugë, boritë që oshtinin pa asnjë kuptim, kur trafiku ishte i ngadaltë dhe vargu i makinave ishte mjaft i gjatë, e zbehën disi përshtypjen e parë e megjithatë, Tirana ishte bërë marramendëse.

– Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje?
Njerëzit, janë më të qetë se nëntë vjet më parë. Pashë që kishte sjellje mjaft civile kudo. Që nga trafiku, kur makinat prisnin këmbësorin të kalonte, deri tek gjithçka tjetër. Politika me zjarrin kundërshtues, nuk ishte më në qendër të bisedave. Shërbimet nëpër dyqane ishin të një niveli mjaft të lartë, dhe ushqimi dhe shërbimi nëpër restorante ishte mjaft i mirë. Ishte një kënaqësi të uleshe në një restorant, jo vetëm nga cilësia e ushqimit dhe shërbimit, por edhe rehatia që ndjeje si rezultat i dekorimit të brendshëm të restorantit që përkonte në të shumtën e rasteve me dekorin tradicional të shtëpive të hershme shqiptare. Ndjeheshe shpesh sikur, por darkoje tek shtëpia e gjyshes. Por jo të gjysheve të këtij brezi, por atyre të brezit tonë, në shtëpitë karakteristike shqiptare. Dhe një diçka që duket si pozitive, por rëndon si shumë psikologjikisht dhe që ka kthyer edhe rrugët e lagjeve të banuara në thellësi të qytetit në rrugë komerciale, hap e kafene, hap e butikë, hap e restorant, hap e dyqan, hap e shtëpi botuese. Këtë të fundit e vura re kur vizitova panairin e librit ditën e parë. Shumë, shumë gjëra për një popullsi të vogël si e jona.

– Në vizitat që keni bërë jashtë Tiranës kush ka qenë më mbresëlënëse?
Ndryshimet që përjetova në Tiranë, nuk i gjeta në qytetet e tjera, megjithatë ndryshimet ishin të dukshme. Diçka më la mbresë të thellë personalisht dhe që, qe e lidhur drejtpërsëdrejti me mua, ose të themi me përjetimet e fëmijërisë së largët. Në vend të shtëpisë karakteristike elbasanase të gjyshes time nga ana e nënës, në anën tjetër të Turizmit të vjetër të Elbasanit, gjeta dy ndërtesa te reja, të larta. Ndjeva një dhimbje të fortë në gjoks, që një vlerë e tillë si ajo shtëpi kishte humbur nën ethet e ndërtimeve të reja, shpesh pa një kriter për ruajtjen e vlerave arkitekturore të së kaluarës. Kjo ethe dhe valë ndërtimesh vihej re kudo, edhe në Tiranë. Por, ndjeva një kënaqësi të madhe, që shtëpia e gjyshes tjetër nuk kishte patur atë fat, dhe ndjesitë e mira dhe të këndshme të fëmijërisë më vërshuan të forta ndërsa ndenja atje dhe një ndjenjë zemërçeltësie më pushtoi shpirtin sikur të isha përsëri mbrapsht në kohë, kur si fëmijë luaja me kushërinjtë në oborrin e madh në anë të shtëpisë, dhe kur, mëngjeseve,gjyshja ime e dashur, na çonte të blinim simite me bugaçe. Përjetimi i çuditshëm i erës së simites me bugaçe, që unë dhe, vajza e xhaxhait, si fëmijë, e mbaronim rrugës pa arritur në shtëpi, ishte një eksperiencë më vete që më solli mbrapsht në atë kohë të mrekullueshme që çdo fëmijë përjeton kur viziton shtëpitë e gjyshërve.

– Ju këto ditë promovuat librin me tregime, “Pacientja 101”. A mund të na flisni për tematikën e tregimeve? Cila ka qenë shtysa për çdo tregim?
Në këtë libër kam përfshirë tregime që kam shkruar në vitet 80 (të pabotuara në atë kohë) dhe tregime të shkruara këto vitet e fundit. Me disa tregime, lexuesi shqiptar i internetit është disi i njohur, por kam përfshirë edhe tregime që me qëllim nuk i kam çuar për botim, me ndjenjën që lexuesi të përjetojë ndjesinë e papritshmërisë kur përmbledhja të botohej. Tregimet në këtë përmbledhje përfshijnë një gamë të gjerë temash shoqërore dhe psikologjike. Ndryshe nga romani, ku ti parashikon të rrëfesh jetën e një njeriu dhe portretizon gjithashtu jetën e njerëzve të lidhur me të, në një hapësirë sipërfaqësore të letrës së shkruar, të mjaftueshme për të derdhur mendimet dhe rrjedhat e të treguarit, tregimi është më intensiv, se të duhet që me pak faqe të përçosh emocione dhe përjetime të forta, nganjëherë, çfarë ndodh brenda një dite, si tek tregimi, “Fillimi i një jete tjetër”, apo edhe në një tejzgjatje kohe të barabartë me atë të romanit, si tek “Argati Arvanitas”. Shtysat për të shkruar tregime të ndryshme, kanë qenë të larmishme. Shpesh, një fjalë, diçka e dëgjuar vite më parë, lë vragë në mendjen e në shpirt në mënyrë të pakuptueshme dhe një ditë, papritur t’i ndjehesh që të ulesh dhe të tregosh me zërin tënd një histori që të ka ngacmuar diku thellë në qenësinë tënde. Pa e kuptuar, t’i ndërton një histori që nuk e ka dëgjuar njeri tjetër më parë, një histori që sjell jetën tek lexuesi me dhimbjet dhe gëzimet që përjetimi i të jetuarit si qenie njerëzore sjell. Ndërsa shkruan, truri jot për disa arsye të panjohura të çon në shtigje, që as ti vetë nuk kishe menduar se do të shkoje dhe megjithëse kishe në mëndje diçka tjetër të parapërcaktuar për të shkruajtur, dhe në fund të del një rrëfim krejtësisht i ndryshëm. 

Ju bashkëpunuat me Shtëpinë Botuese prestigjioze “Toena”. Si do ta cilësonit këtë shtëpi botuese dhe bashkëpunimin me të?
Ishte një eksperiencë mjaft pozitive. Një komunikim mjaft interesant dhe i hapur me drejtuesen e institucionit, Znj. Irena toçi, që në një kohë rekord bëri të mundur futjen e librit në panairin e librit 2015, organizoi intervistën me TVSH në emisionin Kolor, intervistën me ju dhe një sërë promovimesh të tjera të “Pacientes 101”. Gjithashtu bashkëpunëtoret e saj treguan një profesionalizëm të një niveli të lartë, si dizenjatorja Albana Kuraj, ashtu edhe kryeredaktorja Sonila Kapo, që së bashku si grup pune të caktuar për botimin e “Pacientes 101”, bënë të mundur botimin e librit dhe promovimin e tij.

– Me syrin e një patrioteje, çfarë i mungon më shumë Shqipërisë në këtë situatë?
Shqipërisë sot, siç e shoh unë personalisht, i mungon një strukturë e plotë shtetërore, një strukturë që të funksionojë, ashtu siç funksionon edhe në shtetet demokratike perëndimore ku korrupsioni është minimal, apo mund të thuhet, ku ligji vepron për ta dënuar. Është një domosdoshmëri jetike kryesisht në reforma në fushën ligjore por edhe në fusha të tjera të strukturës. Në kushtet ekonomike që është ekonomia shqiptare, lufta kundër korrupsionit është jetike, dhe funksionimi i strukturave ligjore, siç del në pah, nuk është në nivelin e duhur. Në mendimin tim, gjithashtu, mungon një industri e mirëfilltë që duhet të jetë e shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, që të bëjë të mundur punësimin e masës së përgjithshme të shqiptarëve, në mënyrë që shqiptarët të mos kërkojnë alternativa punësimi në shtetet fqinj, apo nëpër botë, por të kenë mundësi të punësohen në atdheun e tyre dhe të jetojnë me dinjitet në tokën mëmë. Por, siç munda të vija re, duket se shteti ka filluar të shfaqet, si p.sh. me fillimin e vënies së sistemit të taksimit, etj. Interesant është reagimi midis shqiptarëve në lidhje me këtë problem dhe në përgjithësi, mund të thuhet se nuk është “pozitiv” apo si ta themi, mirëpritës. Duket sikur mungon dhe mentaliteti i mirëfilltë i pranimit të ekonomisë kapitaliste në tërësinë e saj. 

Duket se pëlqehet fitimi në ekonominë e lirë të tregut, por po duket si i vështirë pranimi ligjeve të funksionimit të një shteti kapitalist me të drejtat dhe detyrimet përkatëse që vijnë si rezultat i këtyre të drejtave, pra ato që quhen detyrime të shtetasit ndaj shtetit. Takova këto ditë në Tiranë shumë njerëz, miq e të afërm që ankoheshin për sistemin e ri të taksimit apo siç quhet TVSH. Është disi e kuptueshme ndjenja e kundërshtimit që kanë, kur mendojnë se një pjesë e parave që fitojnë do t’i shkojë shtetit, por kjo, duam s’duam është pjesë e funksionimit të një shteti demokratik. Pyetja që duhet t’i bëjnë vetes është: Po të isha jashtë, a do të kundërshtoja pagimin e taksimit? Përgjigja është e qartë për të gjithë: JO! Nuk do të kundërshtonim! Ashtu siç nuk e kundërshtojmë të gjithë ne shqiptarët që punojmë jashtë shtetit. Por ndoshta ngaqë nuk janë të mësuar me atë mendësi për dekada të tëra brenda vendit të tyre, pra nuk janë mësuar të paguajnë taksa për çdo gjë, që nga fitimet personale, ashtu dhe në artikujt që blejnë, ju duket si “fundi i botës” kur paguajnë taksa që në mendjen e tyre pa u kuptuar përkthehet në “haraç”. Por haraçi i paguhej një shteti sundues, kurse taksa i paguhet shtetit tënd, dhe në mënyra të ndryshme të padukshme do të kthehet ty si taksapagues me shërbimet e ndryshme publike. 

N.q.s. shqiptarët do të kenë rastin të shohin fletën e një punëdhënësi, që një punonjës në Amerikë apo kudo në vendet perëndimore, merr sa herë që paguhet dhe të shohin se sa taksa paguan një punonjës amerikan ( afërsisht 30% të pagës dhe nganjëherë edhe pak më shumë) dhe TVSH që paguan sa herë që blen mallra, apo kur paguan elektrikun, gazin, apo taksën e pronës, kur ble shtëpi, do të thoshte me vete: Paguaje e mos bëj fjalë! Vetëm kur ne si shqiptarë, do të pranojmë, ashtu si pranojmë kudo që ne emigrojmë, ligjet që shërbejnë dhe ndihmojnë në konsolidimin e shtetit, dhe sistemin e taksimit të përfshirë në të, apo gjithçka tjetër që vjen dhe, do të vijë me një shtet të mirëfilltë demokratik, atëherë edhe shteti do të funksionojë më mirë dhe shërbimet ndaj qytetarëve, që do të pasojnë si rezultat i grumbullimit të taksave, do të jetë i një standardi perëndimor.

– A ndihet e vlerësuar femra shqiptare në krijimtari?
Shumë femra ndihen të vlerësuara dhe kanë bërë emër në letërsi, si Flutura Açka, Mira Meksi, Elvira Dones, etj. Për to shkruajnë kritikë të njohur, por vlerësimi dhe kritika letrare duket se ka lënë pa vënë në dukje apo më mirë të themi, ka lënë në “hije” mjaft emra të rinj. Mendoj se janë krijuar dy paralelizma, apo rryma si mund ta themi, në letërsinë shqiptare, ajo e emrave të njohur që pluskojnë në të njëjtin rreth shoqëror me kritikët letrarë, që i bëjnë si të thuash “elozhe” njëri-tjetrit, si nëpërmjet lidhjesh të krijuara që në kohën e monizmit, ashtu edhe lidhjeve të krijuara në tre dekadat e fundit, dhe ajo e një sëre shkrimtarësh,që me vetbotimet e tyre përpiqen dhe mundohen të sjellin zërin e tyre, rrëfimet e tyre tek lexuesi, por hasin në murin e pakalueshëm të emrave të njohur, dhe “notojnë” në ujera të ndryshme nga të parët, promovojnë në rrethe të ndryshme letrare nga të parët, dhe janë si një dasi më vete, me kritikët e tyre dhe gazetat e tyre të internetit, dhe mundohen të “këlthasin” për t’u dëgjuar në një qetësi të shurdhët.

– Në letërsinë shqipe ka shumë vetëbotime, duket sikur të gjithë shkruajnë. Si e shikoni ju këtë fenomen?
Mendoj se, duhet vlerësuar fakti që ka kaq shumë shqiptarë që shkruajnë. Në opinionin tim personal, kjo tregon një popull me potencial që dëshiron të shkruajë dhe të hedhë në letër ato që ndjen, percepton, dhe përjeton, dhe kjo tregon kulturë të thellë dhe më bën të respektoj popullin tim, sepse tregon që jemi një popull intelektual, gjë që më bën të ndjehem krenare.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf  të datës 02.12.2015
Sigal