INTERVISTA/ Kol Nikolla: Qeveria ka rekrutuar krerët e sindikatave, duke i joshur me privilegje ekonomike

866
Jakup B. GJOÇA
Fatkeqësisht, shkrirja e ministrisë së Punës, ishte fillimi i një regresi për përkeqësimin e marrëdhënieve të Punës, sepse janë shkrirë edhe strukturat e kontrollit të punës dhe me problemet e tjera të kontrollit shtetëror në punë, siç janë Inspektorati i Punës, i cili ka 1,5 vite që është pezulluar, de fakto
Kol Nikolla, President i Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se koncesionet në miniera janë dhënë me mënyrë korruptive njerëzve që nuk duan të bëjnë investime, por për fitime të çastit. Zoti Nikolla thotë është krim ekonomik të eksportojmë mineralet, si bakri pa përpunuar, sepse humbasim edhe arin e argjendin. Zoti Nikolla pohon se qeveria rekruton krerët e sindikatave, duke u bërë privilegje ekonomike, dhe përmend shembullin e Fiqiri Xibrës, që i shiti minatorët te qeveria, duke qenë këshilltar i ministrit të Punës, dhe kërkon të marrë si privilegj edhe ndonjë leje ndërtimi në Tiranë. Zoti Nikolla u përgjigjet edhe akuzave që bëhen për tjetërsimin e pronave të Sindikatave dhe ku harxhohen fondet e fitimeve nga këto prona të sindikatave. 
– Zoti Nikolla, shumë aksidente të shpeshta ndodhin në miniera dhe nuk kemi reagime, as ndaj fajtorëve dhe as përmirësimin e sigurimit teknik në punë. Përse ndodh kështu sot?
– Është e vërtetë që situata në miniera për punëtorët është shumë e vështirë dhe ta themi hapur. Është bërë regres, në krahasim me vitet e mëparshme, për sa i përket sigurisë për jetën e minatorëve në minierat tona, por edhe për çështjet e tjera, sikurse për pagat, shpërblimeve, të drejtat për pushime, etj. Por, po kaq dramatike e problematike kjo mungesë e sigurisë në punë për punëtorët është edhe në ndërtim, edhe kudo. Ne, si Konfederatë e mirëpritëm vendimin e qeverisë për të luftuar informalitetin, por jemi zhgënjyer, sepse kjo situatë, ku minatorët të humbasin jetën e tyre, vjen pikërisht nga informaliteti në miniera. 

– Cili është shkaku dhe shkaktarët që shkaktohen aksidente vdekjeprurëse në miniera?
– Përgjegjësia duhet parë te filozofia që ka qeveria e Rilindjes për marrëdhëniet në punë, për sigurimin teknik në punë. Fatkeqësisht, shkrirja e ministrisë së Punës, ishte fillimi i një regresi për përkeqësimin e marrëdhënieve të Punës, sepse janë shkrirë edhe strukturat e kontrollit të punës dhe me problemet e tjera të kontrollit shtetëror në punë, siç janë Inspektorati i Punës, i cili ka 1,5 vite që është pezulluar de fakto.

– Pse?
– Ndoshta, tani që qeveris vetëm Rilindja, e ngriu, sepse më përpara e kishte LSI-ja dhe ne nuk kemi dot asnjë veprim të përbashkët, asnjë bashkëpunim me këtë Inspektorat të Punës. 

– Ky Inspektorat, a ushtron kontroll në ato miniera ku ndodhin aksidentet vdekjeprurëse?
– Aspak. Por, po ta dini, ky inspektorat nuk ka kompetencën ligjore që të ushtrojë kontroll në brenda në miniera. Thjesht, kontrollon deri në sipërfaqe. Ne kemi kërkuar që ky handikap ligjor të kapërcehet, por fatkeqësisht, qeveria nuk bën asgjë. Edhe brenda në det, kemi pasur rast në Vlorë, ku vdiqën 2 marinarë, dhe Inspektorati nuk ka kompetencë ligjore të kontrollojë brenda në det. 

– Mendoni që ky handikap ligjor është i qëllimshëm nga qeveria, që t’u shërbejë punëdhënësve, jo punëtorëve?
– Derisa ka 56 vite, që ky handikap nuk kapërcehet, kuptohet qëllimi i qeverisë. 

– Sa kanë ndikuar koncesionet e dhëna në miniera për përmirësimin e sigurisë teknike në punë?
– Fatkeqësisht, problemi i koncesioneve është ngritur shumë herë nga ne si shqetësim. Në industrinë minerale koncesionet janë dhënë në mënyrë të fragmentuar, pa folur për klientelën politike të qeverisë, por mënyra e dhënies të fragmentuar, është e pamundur që të garantohet siguria teknike dhe shëndetësore për minatorët. 

– Përse?
– Minierat kanë specifikat e veta. Puna nën tokë është shumë e komplikuar, sepse ka lidhje ndërmjet proceseve të caktuara dhe nëse gjithë këto procese nuk do lidhen së bashku, por do jepen me koncesione të veçuara. Koncesionet në miniera kanë bërë diçka për sigurinë teknike vetëm në ndërmarrjet e mëdha, siç është në Bulqizë. Ndërsa të gjitha koncesionet e dhëna gjetkë, ndërmarrjet që kanë 50 punëtorë e poshtë, sigurimi teknik në miniera është shumë kritike. Kontrolli i shtetit në këto ndërmarrje të vogla minerare mungon tërësisht. Vetë Inspektorat i Punës ka pranuar që vetëm 5 % e ndërmarrjeve të punës kontrollohen. Ky Inspektorat i Punës ka vetëm 95 punonjës, kur duhet të ketë mbi 500 inspektorë për të kryer një kontroll minimal, sipas standardeve. 

– A kanë hapur vende të reja pune koncesionet?
– Besoj që jo. Nëse koncesionet do të ishin dhënë në përputhje me profesionin, p.sh, që gjithë industria e kromit të ishte dhënë me një koncesionar, ajo e bakrit me një koncesionar, do të kishte më shumë vende pune, më shumë rregull. Ai që merr miniera të vogla, që janë galeri, sektorialë, karriera, nuk bën as plan për investime, sepse miniera ka raport ndërmjet kërkimit, shfrytëzimit dhe prodhimit. Nuk kanë mundësi as për investime, as për hapjen e sektorëve të rinj pune.

– Cilat ishte arsyeja që u mbyllën fabrikat dhe uzinat e përpunimit të mineraleve tek ne në Shqipëri?
– Kjo është mungesë e politikave ekonomike, largpamëse të qeverive. Duhet të kishim industrinë përpunuese në vend, që të rritnim të ardhurat dhe të krijonim vendet e shumta punësimi. Fatkeqësisht në industrinë tonë minerale punohet për efekte konjukturale. Asnjëherë nuk është punuar për të projektuar industri përpunuese minerale.

– Flisni më hapur. Kush nuk është i interesuar në Shqipëri të mos ketë industri përpunuese të mineraleve?
– Qeveritarët nisen nga interesat e çastit. Kush e ka marrë me koncesion minierën, nuk ka shumë interes për industrinë përpunuese të mineralit. Nisen nga fitimi i çastit. Nuk duan të investojnë për industri përpunuese. Fatkeqësisht, koncesionet në miniera u janë dhënë njerëzve jo seriozë për të bërë investime. U janë dhënë koncesionet deputetëve, pronari mediave, pronarë sindikate, një kryetari të bashkisë, etj. 

– Cilët sindikalistë janë bërë pronarë minierash?
– Ka pasur raste në Prrenjas, në Librazhd. 

– Ndonjë emër?
– Nuk e di, nëse e kanë mbyllur licencën. 

– Janë dhënë si ryshfete për shërbimin që krerë të sindikatave u kanë kryer qeveritarëve?
– Edhe sindikalistët kanë të drejtë të marrin licencë…

– Por, qeveria pretendon se do të hapë vende të reja pune, nëpërmjet thithjes së investimeve të reja. A nuk duhet të ishte industria përpunuese e mineraleve, një mundësi investimi e punësimi?
– Nuk bëhen investime sepse koncesionet u janë dhënë njerëzve që janë afër qeveritarëve, por nuk janë investitorë seriozë. Nëse do të përpunonim kromin, do t’i 4-fishonim çmimin. Mineralin e bakrit në mënyrë kategorike nuk duhet ta nxjerrim jashtë të papërpunuar, sepse humbim edhe mineralet shoqëruese, sikurse janë ari, argjendi, arseniku. 

– A nuk ka qëllime të caktuara, që bakri të eksportohet bruto, i papërpunuar në Shqipëri?
– Sigurisht, e qëllimshme dhe korruptive është. Kontratat koncesionare e ndalojnë eksportin e bakrit dhe të kromit të papërpunuar, ndërsa në të vërtetë, i gjithë minerali eksportohet i papërpunuar. 

– Kryeministri Rama në një takim me investitorë italianë, u bëri thirrje atyre, që të vijnë e të investojnë në Shqipëri, sepse nuk ka fare sindikalizëm. A e josh investitorin e huaj?
– Kjo është bërë barsoletë, sikurse themi, që në Shqipëri nuk ka qeveri. Është miopi politike e Ramës, që është edhe kryetar i një partie të Majtë, kjo është e papranueshme. Vetë gazetarja italiane iu kundërvu, derisa tha, që si ka mundësi një kryeministër i Majtë të shprehet se në Shqipëri nuk ka sindikalizëm. Nuk kemi sindikata perfekt në një vend me politikë të dështuar, konfliktuale.

– Minatorët, punëtorët e ndërtimit dhe gjetkë, sa besojnë sot se sindikatat janë mbrojtëse e të drejtave të tyre?
– Sindikatat në Shqipëri janë të vetmet subjekte, që nuk janë të rregulluara me ligjin përkatës. Kemi ligj edhe për preferencat seksuale, por për sindikatat nuk kemi ligj. Këtu është kërkesa jonë e vazhdueshme, prishja e raporteve tona me qeveritë e radhës, ndodh sepse asnjë qeveri nuk pranon të bëjë një ligj për sindikatat. 

– Sindikatat në Shqipëri kanë shumë prona të patundshme që ligji ua jep deri në 2020. Sa të ardhura konkrete, përfitoni ju, si sindikatë nga pronat e Sindikatës?
– Është e vërtetë, sindikatat janë trashëguese të Bashkimeve Profesionale, dhe kanë trashëguar edhe pronat e saj. Fatkeqësisht në Shqipëri ka pasur abuzime me pronat e sindikatave. Unë nuk mund të marr përsipër që të bëj rolin e të justifikuarit, as rolin e gjyqtarit, por dua të flas për sa i përket Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë, e cila menaxhon vetëm një pjesë të këtyre pronave. Kjo Konfederatë në 1991 ka marrë 41 % të pronave të Bashkimeve Profesionale, por fatkeqësisht, herë pas here dhe një pjesë e konsiderueshme e pronave të patundura të KSSH-së, janë tjetërsuar me vendime gjyqësore, janë kthyer pronarëve, por ka pasur edhe disa vendime qeverie, që iu dhanë pushtetit gjyqësor, por kështu edhe ligji i 1998-s të gjitha pronat e patundshme që kanë qenë nga fermat bujqësore, i kaluan pushtetin vendor. Kështu, që Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë tërësisht, që gjatë gjithë kësaj kohe, pronat e patundshme i menaxhon në përputhje me ligjin dhe është kontrolluar 2 herë nga KLSH-ja. Një herë në 1998 dhe e fundit në 2007, dhe nga konkluzionet e kontrollit të KLSH-së, të gjitha pronat janë përdorur dhe menaxhuar në përputhje me ligjin e 1998-s. Që nga 1998-a e deri tani nuk është shitur asnjë pronë e patundshme e KSSH-së. 

– Sa përqindje të pronave keni sot, në krahasim me ato që trashëguat në 1991?
– Sot, aktualisht, kemi pak, thuajse më pak se 24 % e asaj pasurie të patundshme që trashëguam, sepse pasuria u është rikthyer ish-pronarëve, e ka marrë pushteti vendor, vatrat e shtëpitë e kulturave në ndërmarrjet bujqësore iu kthyen pushtetit vendor. Sot tërë pronën tonë e kemi në eficiencë, të cilat në përputhje me ligjin dhe në bashkëpunim me kapitalin privat janë kryer investime për t’i kthyer në eficiencë, dhe në përdorim në përputhje me ligjin.

– Ka kritika që ju keni tjetërsuar prona të patundshme?
– Kush ka dyshime dhe akuza, le t’i denoncojë. Ju thashë, ne jemi kontrolluar nga KLSH-ja dhe jemi në rregull. 

– Po Sindikata e Pavarur e Shqipërisë, a ka prona të saj?
– Sindikata e Pavarur ka marrë atëherë 50 % të pronave, dhe i takon ajo të justifikojë problemet që ka me pronat e patundura. 

– Ka shumë akuza që thuhen se drejtuesit e sindikatave kanë tjetërsuar pronat e punëtorëve. Ju si përgjigjeni këtyre akuzave?
– Unë fola për Konfederatën e Sindikatave. Ne jemi tërësisht të hapur për transparencën e pronave. Ne, në mënyrë kategorike, nuk kemi shitur, nuk kemi tjetërsuar asnjë metër katrorë pronë të patundshme. Sot, 30 % e buxhetit të KSSH-së vjen nga këto prona, dhe 70 % vjen nga kuotat e anëtarësisë. 

– Të ardhurat që ju, si KSHSH, që përfitoni nga pronat e patundshme, përse i përdorni?
– Përdoren për aktivitet sindikal. Përdoren për konferenca, për mbledhje, për trajnime, për lëvizje, për greva, për protesta, shtypshkrime, për kancelari, për shërbime, etj.

– Sot, me pronat e sindikatave, a mundet punëtorët të shkojnë me pushime në pronat e tyre të shtëpive të pushimit?
– Jo.

– Përse?
– Sepse ligji këto prona të KSHSH-së nuk i ka specifikuar të jenë për pushime dhe argëtim, por këto prona të jenë në funksion të lëvizjes sindikale, për t’i bërë sindikatat më të pavarura ekonomikisht, sepse kështu do të jenë të pavarura edhe politikisht. Dhe pronat të përdoren në funksion të lëvizjes sindikale, jo në funksion të argëtimit dhe pushimit të punëtorëve. Sindikatat nuk janë agjenci turistike, as agjenci pushimi, as sanatoriume. Pronat përdorën si shtysë financiare për lëvizjen sindikale të KSSH-së. 

– Ju akuzoheni nga drejtues të brendshëm të sindikatave për abuzime me pronat e KSSH-së. Cili është reagimi juaj?
– Kur vumë kriteret evropiane të funksionimit të KSSH-së, kishim disa drejtues sindikatash, që nga 1970-ta, që kishin vetëm vulën e sindikatës në xhep dhe pikërisht këta drejtues që u spastruan nga strukturat sindikale të Konfederatës, ata, nga pakënaqësia, disinformuan opinionin. Ne jemi ballafaquar edhe me institucionet ligjzbatuese të shtetit, jemi kontrolluar nga KLSH-ja.

– Ku përfunduan 109 bibliotekat e sindikatave profesionale?
– Nuk jam në gjendje të jap përgjigje, unë kam ardhur në 2006-n, por nga dokumentet që kemi, pronat që i kaluan Konfederatës, i kaluan vetëm objektet e pronësisë, por jo baza materiale. 

– A është marrë mendimi i sindikalistëve për mënyrën e administrimit të pronave?
– Ne, si Konfederatë, pronat tona i menaxhojmë në përputhje me mendimin e sindikalizmit, me vendimet e kongresit, me vendimet e Asamblesë, jemi e vetmja sindikatë, që e kemi ndarë aktivitetin ekonomik me aktivitetin sindikal. Ne në Kongresin e fundit kemi ngritur një Qendër Ekonomike, që është një person juridik, që ka drejtori ekzekutive, ka bord, kontrollohet nga ekspertë financiarë të licencuar. Unë si kryetar i KSSH-së nuk kam asnjë të drejtë mbi Qendrën Ekonomike të Konfederatës. 

– Ka akuza që drejtuesit e KSSH-së kanë tjetërsuar pronat për pallate banimi me letra false si të pastrehë. Cila është përgjigja juaj?
– Kjo nuk ka ndodhur në Konfederatën e Sindikatave. Di që KSSH-ja ka ndërtuar dikur një pallat në lagjen “Ali Demi”, por nuk kam shumë informacion, se si është vepruar.

– Si përfundoi inspektimi i fundit i KLSH-së për pronat në sindikatat?
– Pyetja nuk ka lidhje me ne, por me Sindikatat e Pavarura.

– A punohet me bordero dhe fatura të dyfishta për fshehjen e të të ardhurave, që të rezultoni si OJF?
– Absolutisht, jo. KSSH-ja është tërësisht e hapur, çdo veprim ekonomik e kemi bërë transparente. Ne kemi çdo dokumentacion ekonomik te Qendra Ekonomike e KSSH-së. Paguajmë çdo taksë pronësie, çdo siguracion shoqëror, çdo taksë pushtetit vendor. 

– KSSH-ja akuzohet edhe për evazion fiskal, sepse nuk paguani në shtet taksat. Sa vërtetësi ka akuza?
– Besoj, që jemi e vetmja sindikatë në Shqipëri, që paguajmë 100 % edhe taksat mbi të ardhurat nga pronat, edhe sigurimet shoqërore, edhe shëndetësore, edhe taksat e pushtetit vendor. Të gjitha qiratë i kemi deklaruara në noter publik, Në ministrinë e Drejtësisë, të Financave dhe te DPT. 

– A del me fitim KSSH-ja nga të ardhurat e pronave?
– Nuk mund të dalë KSSH-ja me fitim, sepse KSSH-ja është OJF. Edhe bilanci i KSSH-së është në përputhje me standardin e bilancit të OJF-ve. 
Fiqiri Xibri i shiti minatorët tek qeveria për interesa personale


– Qeverisë nuk i intereson ekzisteca e sindikatave. Çfarë bëhet, paskëtaj? 
– Ne i kemi marrë të gjitha masat, sepse ne si Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë jemi anëtarë të sindikatave Evropiane dhe Botërore, që nga 2001.

– Cila sindikatë është në krah të të drejtave të minatorëve?
– Faktikisht, në miniera, në naftë, në metalurgji, sindikatat aty janë më të organizuara. Ndryshe ndodh në administratën publike. Sindikata në Arsim është shumë e shtypur nga qeveria. Që të jesh sindikalist, duhet të jesh përfaqësues i minatorëve. Pretendohet nga disa që kanë sindikatë të minatorëve. Ajo është një shoqatë, e cila përfaqëson disa minatorë të dalë në pension, të cilët vetë i kanë tradhtuar interesat e minatorëve për 20 vite, duke marrë vendime në kurriz të minatorëve. Është e vërtetë që zoti Fiqiri Xibri ka qenë këshilltar i 2 ministrave të Punës dhe i Kryebashkiakut të Tiranës, kupto, që për çështje personale mund të luftojë, jo për minatorët. 

– Mund të sabotojë interesat e minatorëve, duke qenë edhe këshilltar i ministrit të Punës?
– Patjetër, dhe Fiqiri Xibri këtë ka bërë. Qeveria, nëpërmjet Fiqiri Xibrit zgjati mosvotimin e statutit të minatorit për 5 vite me radhë. Fiqiriu, si këshilltar i ministrave të Punës, për 6 vjet ka sabotuar interesat e minatorëve, sepse për 6 vite nuk i është dëgjuar zëri asnjëherë. Përpara 2 muajve, që u largua si këshilltar i ministrit të Punës, filloi ta hajë meraku për …sindikalizëm, duke dalë me 50 minatorë, duke i gënjyer, përpara kryeministrisë, gjasme për status, dhe duke u përpjekur të lobojë me ndonjë parti, e cila kishte mundësi ta mbështette Fiqiriun. Dhe diçka tjetër. Shumë herë Fiqiriu përpiqet që me sindikalizëm, të bëjë presion që të përfitojë edhe ndonjë leje ndërtimi, për një copë tokë që ka tek Brryli. 
Sigal