INTERVISTA/ Fiqiri Xibri: Në Shqipëri veprojnë dy banda sindikale

716
Jakup B. GJOÇA

Në Shqipëri funksionojnë 2 banda (kriminale) sindikale
Derisa shteti ynë nuk flet për arin e argjendin e mineraleve, kuptohet, që kemi korrupsion. Ai nëpunës i lartë i qeverisë që i ka dhënë minierën me koncesion atij, i ka marrë paraprakisht një shumë dhe i thotë, që ti ke arin, unë nuk ta përmend, por më jep kaq apo aq dhe hesht nëpunësi i shtetit për arin që ikën me mineralin bruto jashtë Shqipërisë. Ky është korrupsioni
Fiqir Xibri, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se 2 sindikatat, KSSH dhe SPSH janë 2 banda, që kanë tjetërsuar pronat, përdorin privatisht të ardhurat që fitojnë nga përdorimi i pronave të sindikatave dhe nuk kanë aktivitet sindikal. Zoti Xibri, sinqerisht pranon që u bë këshilltar i Ministrave të Punës që nga 2013 deri në 2017, për të eliminuar protestat e minatorëve, sepse i besoi marrëveshjes që nënshkroi me kryeministrin Rama për statusin e Minatorit, por ministrat e Punës në 4 vite nuk denjuan as ta takonin. Zoti Xibri pohon se koncesionet në miniera janë dhënë në mënyrë korruptive dhe shteti humbet nga përqindja e arit, argjendit nga mineralet që eksportojmë pa u përpunuar. 
-Zoti Xibri, shumë aksidente vdekjeprurëse ndodhin kohët e fundit në miniera. Përse askush nuk mban përgjegjësi?
– Ka të bëjë me kushtet e sigurisë në punë dhe me zbatimin e rregullave të sigurisë në punë. Këtu ka edhe përgjegjësi shteti, për të garantuar zbatimin e rregullave të sigurimit teknik në miniera. 

– Doni të thoni që institucionet përkatëse shtetërore të mbikëqyrjes, nuk e bëjnë punën?
– Pavarësisht pretendohet se kontrollet bëhen rregullisht, vdekjet kaq të shpeshta në miniera nuk mund të justifikohen lehtë. Këtu përgjegjësia e shtetit është e pashmangshme. 

– Njëfarësoj, pohoni që mungojnë kushtet e sigurisë në punë, derisa kemi aksidente vdekjeprurëse të minatorëve?
– Minierat tona janë si në Mesjetë. Në shumë raste, edhe ato përmirësime që pretendohet se bëhen, janë më shumë teorike, sesa praktike. 

– Koncesionet sa kanë përmirësuar kushtet e sigurisë në punë?
– Në koncesionet e mëdha, punohet disi më mirë, sepse atyre u kërkohet më lehtë llogari nga shteti, sesa galerive të vogla. Përgjegjësia në këto galeri është minimale, kontrolli është minimal, sepse ato janë të shpërndara si kokrra misri andej-këndej. 

– Përse para 1990-s aksidentet në miniera ishin tepër të rralla, kur sot pretendohet se kemi edhe teknologji bashkëkohore?
– Kjo është një nga çështjet që na detyron të themi, se në diktaturë, ne, minatorët ishim më mirë sesa sot, sepse atëherë, kushtet e sigurisë teknike në punë funksiononin. Ne bënim mbledhje, minimumi, një herë në javë për sigurinë teknike në punë dhe diskutonim ku janë të metat. 

– A bëhet kjo sot?
– Jo, jo, sepse rendin pas fitimit maksimal dhe të çastit, pronarët e koncesioneve. Ato nuk kanë kohë të humbasin, por as nuk duan të investojnë, për sigurinë teknike në punë. Sa herë ndodhin aksidente vdekjeprurëse, ata bëjnë sikur marrin ndonjë masë sigurie. 

– A kanë bërë investime serioze dhe a kanë hapur vende të reja pune koncesionet në miniera?
– Nuk jam shumë i informuar, nëse janë shtuar, apo pakësuar vendet e punës në miniera. Nga, sa kam dëgjuar, vendet e punës në miniera janë shkurtuar, kurrsesi të jenë shtuar. Është e kuptueshme, që koncesionari, kërkon që të njëjtin prodhim ta nxjerrë me sa më pak punëtorë dhe është edhe kjo një arsye më shumë, që çon në neglizhimin e sigurimit teknik në miniera. 

– A duhet të detyrojë shteti koncesionarët, që të investojnë për vendet e reja të punës, në bazë të detyrimeve koncesionare?
– Pikërisht, kjo është detyrë e ushtrimit të kontrollit shtetëror. Shteti vepron me logjikën, që e jep koncesionin sot dhe nuk kujtohet më të kontrollojë, nëse janë zbatuar detyrimet kontraktore. 

– Derisa qeveria pretendon se do të hapë vende të reja punësimi, përse nuk mendohet për industrinë përpunuese të mineraleve në vendin tonë, siç e kishim?
-Kjo është një nga disavantazhet e kësaj qeverie. Shteti nuk mendon më kështu. Tani secili e shikon terezinë e vet, aty ku është fitimi më i shpejtë, pa investime të mëdha dhe strategjike. Shteti duhet të nxitë koncesionarët, që të investojnë për industrinë përpunuese të mineraleve në vendin tonë. 

– Sipas jush, përse shteti nuk do, apo nuk interesohet të nxitë industrinë përpunuese të mineraleve në vendin tonë?
– Shteti, me nëpunësit në sektorë të caktuar, udhëhiqen edhe ata, si pasojë e reflektimit të interesave të pronarit, koncesionarit të minierave, nga përfitimi personal i çastit. Nëpunësi i shtetit interesohet aty ku i del diçka për vete, e çastit. Nëpunësi i shtetit më mirë shkon te pronari, i bën presion për mungesën e sigurisë teknike në punë, bie në kompromis, duke futur në xhepin e vet ndonjë lek dhe ikën, sesa të vrasë mendjen, se si dhe kush e ndihmon ekonominë kombëtare dhe të planifikojë se çfarë investime strategjike duhet të planifikohen për zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Merr lekë sot, e ik në shtëpi, kjo është filozofia e punës të nëpunësve të shtetit sot tek ne. 

– Mendoni se është fitimprurëse apo risk ekonomik, për investitorët industria përpunuese në vend?
– Pa diskutim, që industria përpunuese e mineraleve në vendin tonë është fitimprurëse, derisa i huaji e merr nga ne dhe e përpunon në vendin e tij. Ne, duke e pasur këtu, si mund të dalim me humbje?

– A nuk humbasim arin, argjendin dhe metale të tjera shumë të çmuara nga mospërpunimi i mineraleve në vendin tonë?
– Është krim, sidomos për mineralin e bakrit, ta eksportojmë të papërpunuar. Nuk ka transparencë, nuk dihet asgjë kush janë koncesionarët, cilat janë kushtet e koncesioneve, a ka fitim shteti? Apo minierat e bakrit ia kanë dhënë privatit në mënyrë private? Këtu është korrupsioni. Ka kryetarë të mafies, ka degë, ka nëndegë, që veprojnë. Dihet, që pronari që ka minierat e bakrit ka edhe një përqindje nga ari, argjendi, e metale të tjera të çmuara. Derisa shteti ynë nuk flet për arin, kuptohet, që kemi korrupsion. Ai nëpunës i lartë i qeverisë që i ka dhënë minierën me koncesion atij, i ka marrë paraprakisht një shumë dhe i thotë, që ti ke arin, unë nuk ta përmend, por më jep kaq apo aq dhe hesht nëpunësi i shtetit për arin që ikën me mineralin bruto jashtë Shqipërisë. Ky është korrupsioni. Derisa shteti nuk flet sa fiton ar nga minerali e bakrit, do të thotë që atë e kanë fituar zyrtari i shtetit me pronarin. 

– A mund ta themi, që industrinë përpunuese në Shqipëri e pengon korrupsioni?
– Po, kjo është edhe një nga arsyet. Zyrtarët e lartë nuk janë të interesuar, sepse marrin ryshfet nga ata që nuk e duan industrinë e përpunimit në Shqipëri. 

– Çdo të thotë për ju, shkrirja e ministrisë së Punës nga kryeministri Rama, tani në mandatin e dytë qeverisës?
– Për mua, shkrirja e kësaj ministrie është një nga gabimet e mëdha të kryeministrit Rama. Ka kaq shumë probleme, që duhet të trajtohen nga kjo ministri e Punës, dhe ndarja në dy copa, për mua, dëshmon se do minimizojë trajtimin e problemeve. 

– Mos vallë qeveria është indiferente për respektimin e të drejtave të punëtorëve, prandaj edhe e çoi për skrap ministrinë e Punës?
– Mendoj, që është edhe kjo arsyeja. Qeveria nuk e ka shumë ngenë të merret me njerëzit. Duke qenë se ministria e Punës tani nuk ekziston, do të mungojë nga qeveria edhe kontrolli ndaj bizneseve për zbatimin dhe respektimin e Kodit të Punës. 

– A nxit investimet e huaja në Shqipëri ftesa që u bëri kryeministri Rama biznesmenëve italianë, që të vijnë në Shqipëri, sepse nuk ka sindikalizëm?
– Është skandal më vete, kjo deklaratë. Është gabimi më i madh që ka bërë kryeministri Rama. T’i thuash biznesmenit, që hajdeni investoni në Shqipëri dhe merruni shpirtin njerëzve, sepse nuk ka kush i mbron. Në shqip kjo është. 

– Zoti Xibri, thatë që 2 sindikatat në Shqipëri janë banda. Përse? Çfarë kuptoni?
– Në drejtim të administrimit të të ashtuquajturave prona. Derisa ato sindikata nuk funksionojnë, pronat nuk i përdorin për qëllimet sindikale, administrimi i të ardhurave nga ato prona nuk i shërbejnë qëllimit. Nuk ka asnjë transparencë për mënyrën sesi përdoren këto fonde. Krerët e këtyre sindikatave i përdorin privatisht fondet nga të ardhurat e pronave të sindikatave. 

– A i kanë tjetërsuar pronat e sindikatave?
– Ky është problem më vete. Tjetërsimi i pronave është veprim skandaloz. Edhe pas 1998-s janë bërë tjetërsime të pronave. Këtu, normalisht, duhet të shkojnë në burg, jo vetëm bandat e sindikatave, por edhe noterët, gjyqtarët, që i ndihmuan të tjetërsojnë pronat dhe bënë masakrën e pronave. 

– Dini konkretisht, për masakrën e pronave të sindikatave?
– Ka plot emra konkretë të pronave. Unë nuk jam marrë me masakrën e pronave. 

– Minatorët, a kanë të drejtë të shkojnë të pushojnë në pronat e sindikatave?
– Sindikata e minatorëve kishte kampin e pionierëve në Durrës. Sot nuk e kanë. Kanë edhe të Pogradecit. Jam interesuar të mësoj si shfrytëzohet kampi i Pogradecit. Morëm vesh që ai është dhënë me qira, para 3-4 vjetëve. Paguanin taksë në Bashkinë e Pogradecit. Qiraja është diku 1 milion lekë të vjetra në muaj. Gjithë ai kamp i pushimit. E kuptoni si bëhet? Jemi sa jemi, hajde të marrim sa të mundemi. Ne e bëmë problem atëherë, por askush nuk u shqetësua. 

– Këto 2 sindikata, sa i përfaqësojnë interesat e minatorëve?
– Ne, që nga viti 2007 e kemi ringritur sindikatën e minatorëve, sepse ata nuk e bëjnë aspak punën për të mbrojtur të drejtat e minatorëve. Njëherë në Bulqizë, minatorët i akuzuan në sy këta krerë të Konfederatës të Sindikatës, Kol Nikollën me shokë, që e kanë mendjen vetëm te lekët dhe jo te të drejtat e punëtorëve e minatorëve. Për statutsin e minatorit na vuri si kusht zëvendësministri, Musabelliu, dhe na tha, që, nëse ju sindikatat nuk vini në një mendje, nuk do të bëhet fare projektligji i statusit të minatorit. Komunikuam edhe me Kalanë edhe me Nikollën, ranë dakord të dy palët, e firmosëm dhe e vulosëm projektligjin, ne dhe Konfederata bashkë dhe Sindikatat e Pavarura veças dhe iu dërgua qeverisë. Pastaj, Konfederata bëri veprimin skandaloz, doli kundër projektligjit që vetë kishte firmosur. Doli një VKM që hodhi poshtë projektligjin tonë, me pretendimin se është kundër Kushtetutës dhe Kodit të Punës. Dhe Kol Nikolla foli me të njëjtat fjalë, siç ishte edhe VKM-ja kundër projektligjit tonë për statusin e minatorit. 
BOKS
Sindikalisti u bë Këshilltar i ministrit të Punës, eliminoi protestat për hatër të marrëveshjes me qeverinë
– Zoti Xibri, presidenti i KSSH-së Kol Nikolla deklaroi në një intervistë për gazetën “Telegraf” se ju keni qenë një kohë të gjatë edhe këshilltar i 2 ministrave të Punës, ndaj ju nuk mund të përfaqësoni sindikatën e minatorëve. Cila është përgjigja juaj?
– Për sa kohë që isha këshilltar në Ministrinë e Punës, unë kisha dhënë dorëheqjen si kryetar i sindikatës së minatorëve. Por, në këtë rast, dua të sqaroj diçka. Qenia ime si këshilltar, në ministrinë e Punës, kishte për qëllim, që ne, pranë “mbretit” t’i bënim punët më qetë. Pra, të eliminonim protestat, dhe nëpërmjet qenies time në Ministrinë e Punës, të gjenim gjuhën e mirëkuptimit paqësisht për statusin e minatorit. Por qenia ime si këshilltar i ministrit të Punës, kishte edhe një qëllim tjetër, sepse këto ishin marrëveshjet që bëmë me kryeministrin Rama, që statusin e minatorit, që ishte marrëveshja me shkrim dhe me vulë, që do të veprohej ndaj pronave të sindikatave. Që të bëhej një ligj i ri, në mënyrë që ato prona, të ashtuquajtura prona të sindikatave, të shërbenin qëllimit për të cilin janë dhënë, pra, që të funksionojë sindikalizmi, e jo të funksionojë 2 banda sindikale, sepse normalisht, mënyra sesi i shfrytëzojnë ata ato prona, janë në shërbim të dy bandave sindikale. Pra, ky ishte qëllimi im, pse pranova të punoj këshilltar i Ministrit të Punës. 
– Çfarë arritët të bënit në shërbim të minatorëve, sa kohë që ju ishit këshilltar i ministrave të punës të qeverisë së Rilindjes?
– Për fat të keq, sa kohë, që unë isha në ministrinë e Punës, nuk u bë asgjë. 
– Si mund ta argumentoni?
– 2 vjet e ca që unë isha këshilltar i ministrit të Punës, zotit Klosi, unë, as një herë të vetme nuk u ula në tavolinë me ministrin Klosi, për të diskutuar për problemet, që unë isha këshilltar i tij në ministrinë e Punës.
– E pabesueshme. Ishit këshilltar i ministrit 2 vjet e ca dhe asnjëherë ai nuk ju pranoi në tavolinën e këshillimeve?
– Mungonte interesimi i ministrit Klosi, sepse nga ana ime unë i thosha ministrit Klosi “të ulemi e të bisedojmë për çështjet e minatorëve?” por ai nuk pranoi asnjë herë të bisedonim. 
– Paguheshit 2 vjet e gjysmë si këshilltar i ministrit Klosi dhe asnjëherë nuk ju pranoi të bisedonit?
– Asnjëherë të vetme nuk pranoi të diskutonim problemet, për të cilat unë isha. 
– Kishit një rol formal si këshilltar i ministrit të Punës?
– Po, rol formal.
– Po ministri i mëparshëm i Punës, Veliaj, si u soll me ju?
– Pata pak kohë, por edhe me ministrin Veliaj, e njëjta gjë, siç më ndodhi me ministrin Klosi. Nuk biseduam asnjëherë për asgjë. Ministrat e Punës kishin mungesë vullneti për të diskutuar problemet e minatorëve. Nuk u interesonte asgjë. Ishte në filozofinë e punës të qeverisë së Rilindjes, që “ ne nuk do merremi me problemet e minatorëve fare”, megjithëse ne kishim marrëveshje të nënshkruar me kryeministrin Rama. 
– Ju pohuat, që kishin vullnet të mirë, që minatorët të ndërprisnin protestat, që paqësisht të përshpejtohej miratimi i statutit të minatorit, duke qenë këshilltar i ministrit të Punës. Ju i ndërpretë grevat e minatorëve, ndërkohë që qeveria i braktisi premtimet e marrëveshjes së nënshkruar?
– Kështu është. Derisa u nënshkrua marrëveshja me kryeministrin Rama, që në fushatën elektorale të 2013, nuk kishte kuptim që minatorët të vazhdonin protestat për statusin, derisa unë isha aty, te ministria e Punës, e specifikuar nga kryeministri Rama. Unë bëra verifikimet, ku janë sindikatat, sa janë të përfaqësuara realisht, dhe përse i përdorin ato prona të tyre. Gjendja ishte shumë më skandaloze, sesa unë kisha menduar. 
– Ju akuzojnë juve, zoti Xibri, se bëni sindikalizëm, për të bërë presion dhe të merrni një leje ndërtimi këtu në Tiranë. Si i përgjigjeni kësaj akuze?
– Këto janë gjëra, që normalisht, duhet të shikohen me detaje. Unë as kam ndërtuar asnjëherë, as nuk kam ndonjë biznes. Unë kam shitur tokat e nënës dhe të babës dhe kam bërë sindikalizëm. Sepse, që të bësh sindikalizëm, ka kosto. Ata më akuzojnë mua, sepse vetë ndihen tani të rrezikuar. Më në fund, qeveria po orientohet drejt problemeve që ne kemi kërkuar për transparencën e pronave të sindikatave. Duam të rishikohen trajtimi i pronave të sindikatave, ose le t’i heqë fare, dhe t’i kthejë në fonde sociale. Sindikatat le të funksionojnë me vullnetarizëm, për shpirt. Krerët e sindikatave i kanë keqpërdorur, tjetërsuar pronat dhe i përdorën si t’i kishin ata mall privat.
Sigal