Intelektualet e Mirditës: Rikthejini gjimnazit emrin e Bardhok Bibës

581
Sigal

Një grup intelektualësh dhe veteranësh nga Mirdita, pa asnjë ndjesi partiake janë mbledhur për të shprehur zemërimin dhe indinjatën e thellë për veprimet antikombëtare dhe profashiste të disa drejtuesish vendor të djathtë në këtë rreth, që pas marrjes së pushtetit në marsin e 1992-t pa pasur asnjë shkak, hoqën emrin e “Heroit të Popullit” Bardhok Biba shkollës së mesme të këtij rrethi dhe emrin e Ndrec Ndue Gjokës nga Muzeu Historik i rrethit. Këtë e konfirmon për gazetën “Telegraf”

historiani Preng Cub Lleshi. Ne,- thotë Prenga -nuk kemi preferuar greva e protesta për të detyruar Partinë Socialiste të Mirditës që të reagojë ndaj këtij akti të turpshëm të ndërmarrë nga ata që deri më dje kanë qenë të privilegjuarit e sistemit dhe punonjës pa rrogë të Sigurimit të Shtetit, të cilët pa pikën e turpit përbalten e nëpërkëmbën nderin dhe dinjitetin e figurave të ndritura e të respektuara të Mirditës siç është ai i “Heroit të Popullit” Bardhok Biba, Ndrec Ndue Gjoka etj.. Në këtë kërkesë të dorëzuar në sekretarinë e Këshillit Bashkiak në Rrëshen me dt. 10.03.2014, ku i propozojnë këtij këshilli ndër të tjera shkruhet: “Me rastin e 65-vjetorit të jubileut të themelimit të qytetit Rrëshen shkollës së mesme të Rrëshenit t’i rikthehet emri i “Heroit të Popullit” Bardhok Biba, si dhe Muzeut Historik të Mirditës atë të “Mësuesit të Popullit” Ndrec Ndue Gjoka. Në këtë kërkesë më tej thuhet se, “me këtë vendim mendojmë se do i rikthejmë dinjitetin e humbur e të nëpërkëmbur, jo vetëm këtyre, por dhe të gjithë dëshmorëve e heronjve të tjerë dhe të gjithë banorëve të ndershëm të Mirditës,- thotë Kryetari i Veteranëve të Mirditës z. Gjok Deda”. “Ka disa muaj që kjo kërkesë gjendet në sirtarët e Këshillit të Bashkisë Rrëshen dhe nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje”,-thotë z. Lleshi. Sipas sekretarit të këtij Këshilli z.Martin Bushpepa, “ky vendim është diskutuar-thotë sekretari,-por për fat të keq nuk gjendet në arkivin e këshillit asnjë vendim i viteve të shkuara të organeve kompetente që ta ketë të ligjëruar heqjen e emrit të Bardhok Bibës dhe të Ndrec Ndue Gjokës, nga shkolla dhe muzeu, gjë që nuk i jep asnjë kompetencë Këshillit Bashkiak për të marrë vendim tjetër si dublikatë, pa gjetur vendimin e heqjes së emrit, e përfundon bisedën e tij sekretari i këshillit”.