Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, se bashku me nje delegacion te larte me drejtues te institucioneve të drejtesise zhvilluan një vizitë pune në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg

170
Sigal

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Vitore Tusha, zv. Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushaj, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Gent Ibrahimi, Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela, Avokatja e Popullit znj. Erinda Ballanca dhe Drejtori i Shkollës së Magjistratutës z. Arben Rakipi, zhvilluan një vizitë pune në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe në Gjykatën Kushetuese Federale të Gjermanisë, si pjesë e një programi dialogu për përfaqësues të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenhauer.

Në një sesion të posacëm me gjyqtarët e zgjedhur në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Inspektori i Lartë Artur Metani mbajti një fjalë me temë “Pavarësia dhe Paanësia e Gjyqtarëve”, e parë në përgjithësi dhe nga këndvështrimi i hetimit e procedimit disiplinor.

“Pavarësia e gjyqësorit ka dy komponentë realë të saj që janë: paanshmëria dhe pavarësia e gjyqtarit dhe e gjykatës. Parimi i paanshmërisë nënkupton mungesën e paragjykimeve nga gjyqtarët në lidhje me çështjen e shtruar përpara tyre dhe që ata të mos veprojnë në mënyrë të tillë që të ndihmojnë interesat e njërës prej palëve. Një gjykatë duhet të jetë e paanshme jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të shprehur. E drejta për t‘u gjykuar përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme të caktuar me ligj kërkon që drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por ajo gjithashtu duhet të shikohet që bëhet. Respektimi i parimit të paanshmërisë duhet të verifikohet duke aplikuar testin subjektiv, që ka të bëjë me verifikimin e bindjes apo interesit personal të një gjyqtari në një çështje të caktuar dhe testin objektiv, me të cilin shqyrtohet nëse gjyqtari ka ofruar garanci procedurale të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim (Kyprianou k. Qipros; Micallef k. Maltës; Piersack k. Belgjikës; Grieves k. Mbretërisë së Bashkuar; Auschildt k. Danimarkës).”, tha z. Metani

Duke u ndalur tek rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së magjistratëve që është mospërgjegjësia për vendimet e dhëna sipas bindjes së tyre, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vërejti se duhet të ketë disa mënyra për t’i mbajtur përgjegjës magjistratët, përfshi edhe largimin nga detyra, në rast të shkeljeve që justifikojnë këtë veprim.

Kjo sepse pavarësia nuk është privilegj, por është përgjegjësi. Në rastin konkret duhet të ekzistojë një proces i vazhdueshëm i balancimit të pavarësisë dhe llogaridhënies. Këto procese  duhet të karakterizohen nga veprimi dhe kundër reagimi në të njëjtën kohë. Sa më shumë kompetenca të zotërojë pushteti gjyqësor, aq më të larta duhet të jenë kërkesat për llogaridhënie. Pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk mund të garantohet nëse nga ana e një shoqërie apo sistemi politik nuk ka vullnet për krijimin e një fryme stabiliteti dhe demokracie.  Pavarësia e pushtetit gjyqësor kërkon përfundimisht një kontekst dhe mentalitet jo autoritar. Përfundimi se “Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore” mund të jetë zhgënjyes në pamje të parë, por ky përfundim argumenton qartë se demokracia dhe sundimi i ligjit janë të lidhura bashkë.”, u shpreh Inspektori i Lartë Metani

Pavarësia e gjyqësorit, masat për uljen e numrit të cështjeve në gjykata dhe cështje të praktikës gjyqëore të GJEDNJ, lidhur me Shqipërinë u diskutuan mes delegacionit të lartë shqiptar dhe gjyqtarëve të GJEDNJ, z.Georges Ravarani, kryetar seksioni, gjyqtar i zgjedhur për Luksemburgun, z.Georgios Serghides, zëvendëskryetar seksioni, gjyqtar i zgjedhur për Qipron, z. Dmitry Dedov, gjyqtar i zgjedhur për Federatën Ruse, znj. María Elósegui, gjyqtare e zgjedhur për Spanjën, z. Darian Pavli, gjyqtar i zgjedhur për Shqipërinë, znj. Anja Seibert-Fohr, gjyqtare e zgjedhur për Gjermaninë, z. Peeter Roosma, gjyqtar i zgjedhur për Estoninë, z. Andreas Zünd, gjyqtar i zgjedhur për Zvicrën dhe z. Frédéric Krenc, gjyqtar i zgjedhur për Belgjikën..