Inspektori i Lartë Artur Metani pret homologët nga inspektoratet e Rumanisë, Portugalisë e Francës në Kuvend

201
Sigal

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani dhe inspektorët homologë, kreu i Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë z. Lucian Netejoru, znj. Martine Bardet nga Inspektorati i Përgjithshëm i Drejtësisë së Francës dhe z. Luis Jardim nga Inspektorati i Drejtësisë në Portugali zhvilluan një takim në Kuvendin e Shqipërisë, ku u pritën nga zv.kryetarja e Kuvendit znj. Ermonela Felaj dhe kryetarja e komisionit të ligjeve znj. Klotilda Bushka.

Znj.Felaj dhe znj.Bushka bënë një prezantim të reformës në drejtësi dhe rolit të institucioneve të reja të ngritura prej saj. Duke vlerësuar rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, zv.kryetarja e Kuvendit tha se “Inspektori Metani po e sheh punën, jo vetëm si sfidë profesionale por edhe personale sepse në një kohë të shkurtër i është dashur të përballet me vështirësi me impakt të lartë dhe nuk ka qenë e lehtë.”

Kryetarja e komisionit të ligjeve tha se Kuvendi i Shqipërisë mbështet nevojat e institucioneve të drejtësisë, përfshi ILD-në për funksionimin sa më të mirë, e në mënyrë të pavarur të tyre. “Fakti që raportojnë në Kuvend, nuk është aspak ndërhyrje në pavarësinë e tyre”, tha znj. Bushka.

Znj. Bardet tha se Inspektorati i Përgjithshëm i Drejtësisë së Francës, që kryeson Rrjetin Europian të Shërbimeve të Inspektimit, pjesë e të cilit janë edhe kolegët e saj që po vizitojnë Shqipërinë, evidentoi se standardet dhe eksperiencat e këtij Rrjeti janë gati t’i ndajnë me Shqipërinë dhe kjo ka filluar me trajnimin dy ditor që po zhvillojnë 4 inspektorë francezë, italianë e rumunë me ekipin e inspektorëve e ndihmës inspektorëve të zyrës së ILD-së.

Duke folur për eksperiencën e Rumanisë, me një Inspektim Gjyqësor krejt të pavarur, gjykatësi Netejoru tha se misioni i inspektimeve është që t’i shërbejë gjyqësorit për të përmirësuar aktivitetin e tij e për t’i dhënë një drejtësi të besueshme publikut.

Ndërsa inspektori-gjyqtar Jardim evidentoi se ka ngjashmëri mes Shqipërisë e Portugalisë, sa i takon rekrutimit të inspektorëve magjistratë me cilësi të larta profesionale e juridike dhe vlerësoi punën e bërë nga Inspektori i Lartë Metani. “Përpjekja e mrekullueshme që po bën z.Metani bashkë me inspektorët e tjerë, mbase tani do keqkuptohet, por në një të ardhme të afërt koha do u japë të drejtë.”, tha z.Jardim.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani vlerësoi bashkëpunimin e vendosur me kolegët europianë në kuadër të Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit e angazhimit të projektit SEJ III të Këshillit të Evropës, që po mbështet zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në fuqizimin e kapaciteteve profesionale.