Ing. Qerim Ismeni/ “Rruga e Kombit” me koncension do t’i rrjepë shqiptarët

976
Lidhur me këtë temë kam shkruar dhe më parë. Faktet që dalin në vazhdimësi pas çdo privatizimi apo tenderi koncesioni tregojnë për vjedhjet e hapura (grabitjet), qe i bëhen këtij populli. Afera CEZ vërteton makutërinë dhe batërdinë, që kanë bërë mbi këtë tokë, mbi këtë komb dhe se fatkeqësia që na ka zënë si popull qëndron në atë, që jemi shokuar në shkallë maksimale sa që po rrezikojmë të shkojmë drejtë zhdukjes nga harta e kombeve duke u shpërndarë në gjithë hapësirat e globit nga Alaska e deri në Zelandën e Re, siç thotë një shprehje popullore si zogjtë e korbit. Ky emigrim është i pakthyeshëm. Sot pas 25 vjetësh të shembjes së Komunizmit me entuziazëm të jashtëzakonshëm –jemi kombi më i proletarizuar në botë për të mos thënë komb muhaxhir – refugjat në tokën tonë amtare. Asgjë nga pasuritë tona nëntokësore si Nafta, Kromi, Bakri, Nikeli, Hekuri etj e ato mbitokësore si Toka bujqësore, Pyjet, Ujërat e HEC-et e ngritura mbi to, – nuk janë më të popullit, por janë kthyer në vende pune vrasëse helmuese e Skllavëruese për ne (Shqiptarët) Këto pasuri po shfrytëzohen në mënyrën më barbare në favor të një grupi të vogël njerëzish të huaj apo qeveritar duke varfëruar edhe më tej popullsitë në afërsi të këtyre pasurive dhe duke mos dhënë as edhe rentën , që është në shifra minimale në raport me botën . Kujtoni Kontratën e rishikuar me “Bankers-Petroleum “- ku shteti përfiton vetëm 1% të vlerës së pasurisë së shfrytëzuar. Shteti ynë ka privatizuar e koncensionuar përveç Resurseve natyrore si naftën e rafineritë, kromin me gjithë impiantet e përpunimit, bakrin, hekurin, ujërat e HEC-et, Tokën bujqësore, pyjet si dhe shumë shërbime, në Arsim, Shëndetësi, kolaudimi automjeteve, pullat fiskale, shërbimet në dogana si skanimi automjeteve, ngjyrimi karburanteve, lotaria kombëtare bile edhe ato shërbime që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare, ku mund të përmend Shërbimin e Përmbarimit si dhe atë të prodhimit të Dokumenteve të identifikimit, si dhe pothuajse është gati të privatizoj edhe Burgjet. Tani së fundi – më 15 Tetor 2015 –në momentet më të mjegullta të politikës kur kanë dalë sheshit Vjedhjet e mëdha : -1) Në Energjetikë-Afera CEZ si dhe shitja e 4 HEC-eve për Rimbursim TVSH-je, ku në çorbë janë figurat më të larta të shtetit Shqiptar ; 2) -Në Tatime me lojën me rimbursim të TVSH-së, në Skrap, ilaçe etje. 3) -Për guvernatorin e Bankës Shtetit Shqiptar është filluar një proces Gjyqësor, por që ka rrezik të bëhet Farsë. 4)-Ministria e Shëndetësisë ka filluar CHECK UP-in e tenderuar para disa muajsh në vlerë 120 milion Euro, kur janë miratuar Ligji i Pensioneve si dhe ai i energjisë Elektrike, të disbalancuara ose antipopullor, ku aksioni kundër informalitetit në territor është gjysmak ose i papërfunduar, kur Aksioni kundër informalitetit është pothuajse në fillim: -Ministri i Infrastrukturës, Zoti HAXHINASTO si pa zhurmë dhe nëpër mjegull hapë tenderin për t’ju vënë edhe një lak tjetër në grykë Shqiptarëve –Taksë për kalim në Rrugën e Kombit. Argumenti –shteti nuk mund të përballoj kostot e mirëmbajtjes së rrugëve. Por zoti Haxhinasto harron se pavarësisht nga shokimi që i është bërë këtij populli akoma jemi në gjendje për të sjellë në kujtesë se taksën për mirëmbajtje rruge e paguajmë në çdo litër karburant që prej disa vitesh. Kësaj i thonë privatizim i rrugëve zoti Ministër? Në këto kushte me të drejtë më lind pyetja: PSE na duhet Qeveria, Shteti, kur çdo gjë duhet privatizuar apo koncensionuar ? ! Natyrshëm, për ne që shohim e dëgjojmë, vjen përgjigja- për të na vjedhur-më falni për të na “rrjepur” dhe se kush nuk pranon të “rripet” t’ia mbath jo për Gjermani se është afër, por për në pol të Veriut-Alaskë apo Zelandë të Re, më keq se Sirianët prej luftës që i ka zënë. Ja pra kush po i largon me dhunë shqiptarët nga toka e tyre, – gjë që nuk e realizuan pushtuesit Otoman –Sllavë etj në shekuj po e realizojnë qeveritarët tanë makutër në këto 25 vjet “Demokraci”. Këto pra janë faktorët kryesor pse vetëm në këto 9 muaj janë larguar nga Shqipëria një numër afër 3.5 herë numri mesatar i lindjeve në vit. Ndërkaq me 15 Tetor 2015 përligjet se me duart e kujt, cilit koncensionarmarrës të përzgjedhur nga zoti Haxhinasto, do të na vjedhin qeveritarët tanë të lartë. Me siguri që, koncensionarmarrësi i mirëmbajtjes së rrugës së “Kombit”do të jetë homolog apo sinonim i CEZ-it nr 1, i cili do të na vjedh sa herë do të shkelim pranë tunelit të Kalimashit. Politika e deritanishme e qeverisë vërteton se pse nuk analizohen privatizimet dhe koncensionet e dhëna deri tani që pothuajse të gjitha kanë rezultuar të gabuara kriminale dhe skllavëruese, pse nuk ndëshkohen ato që privatizuan 4 HEC-et, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, apo dhanë me koncension -kromin Bulqizë ,fushën e naftës Patos –Marinzë me 1 % për ne (Shqipërinë) e 99% për “Bankers –Petroleum” masakruan territorin, zhdukën nga inventari mijëra ha tokë bujqësore të klasit parë, vodhën miliona Euro nga arka e shtetit etj. Ato nuk analizohen sepse siç thotë një shprehje e urtë popullore – Korbi korbit nuk I nxjerrë sytë- sepse qeveritarët tanë pozitë- opozitë janë ortak në vjedhje. Pra një pjesë e elitës politike është hajdute e pa skrupull në ortakëri. Ato janë njerëz që nuk lidhen në asnjë fe apo ide përveçse fesë dhe idesë së vjedhjes të popullit tyre. Po ndaloj pak në një llogaritje të thjeshtë mbi koncensionimin e rrugës “Kombit” ! Sipas të dhënave fluksi i llogaritur i lëvizjes, me rezerva, është mbi 12 000 automjete/ditë me një strukturë të përafërt: autovetura afër 70 % ; automjete me kapacitet 2-5 ton afër 10 % ; 5- 15 ton afër 15 % ; dhe me më shumë se 15 ton afër 5 % . Duke pranuar çmimet referuese respektivisht 5 , 7 , 15, dhe 25 Euro/automjet mund të gjejë në mënyrë të thjeshtuar se koncensioneri do t’ju marrë qytetarëve shqiptarë afër 110 000 Euro/ditë ose 40.15 milion. Euro/vit dhe se për 35 vjet afër 1405 milion Euro. Nga kjo shumë koncensionari do të paguaj shtetit shqiptar 10 % ose 4.015 milion/vit, do të shpenzojë për mirëmbajtje referuar manualeve teknike të rrugëve deri në 1 % të vlerës së investuar. Në qoftë se e zhveshim vlerën e investuar në rrugën e “Kombit “nga vjedhjet dhe keq menaxhimi i fondeve rezulton se kostoja e përgjithshme e saj është afër 600 milion Euro . Nga këtej rezulton se kërkesa për fonde për mirëmbajtje është afër 6 milion. Euro/vit, ose 210 milion euro/35 vjet. Investimet e pritshme për përmirësimin e disa nyjeve hyrëse- dalëse si dhe ndërtimi i urës mbi Drinin e Zi (Kukës) mund të kapin shifrën 80 milion Euro. Përfundimisht konçensionari i merr popullit shqiptar afër 1405 milion, Euro nga të cilat afër 950 milion Euro për vete në 35 vjet ose 28 milion/vit dhe se diferencën afër 12 milion Euro lënë këtu. Shtrohet pyetja, – A duhet ta pranojë populli shqiptarë këtë vjedhje të hapur ?? Por problemi nuk është vetëm tek Haxhinasto, ai vijon tek shumë ministra apo kryetar bashkish, të cilët janë të gatshëm të votojnë në çdo rast për ulje të buxhetit në shëndetësi, arsim, mbrojtje sociale, furnizim me ujë apo në rritjen e sigurisë në transport. Por nga ana tjetër janë dorëlirë “babaxhan”në firmosjen (shpenzimin ) e fondeve në fusha joproduktive si Rikonstruksion sheshesh e ndërtesash qeveritare etj , që fare mirë qytetarët i shohin si fonde ku një pjesë e tyre vidhen lehtë nga titullarët !? Pse? – kuptohet – në garë me Haxhinaston apo …. ! . Në këto kushte kur besueshmëria ndaj qeverisë në lidhje me mirë menaxhimin e pasurisë kombëtare dhe buxhetit gjendet në pikën më të ulët bëj thirrje opinionit publik, medias që të kontribuojnë për t’i thënë “Stop” koncensioneve e privatizimeve skllavëruese.
Sigal