Infektimi me Covid-19 i Erion Veliajt, reagon Meta: Ritme shqetësuese të shtimit të rasteve, me rëndësi jetike është…

302
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj konfirmoi se kishte dalë pozitiv në testin për Covid-19.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta, teksa i uron shërim të shpejtë, thekson se është me rëndësi jetike, që në kushtet e rritjes shqetësuese të të infektuarve, të rritet efikasiteti i masave mbrojtëse.

Presidenti Meta u bën thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e bëra publike për mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancave fizike, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.

“Gjithashtu, është tepër e nevojshme garantimi i masave mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”, tha Meta.

REAGIMI I PLOTE I PRESIDENTIT META:

Duke i uruar shërim sa më të shpejtë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj dhe shëndet të plotë familjes së tij, apeloj me forcë rëndësinë jetike të respektimit të protokolleve shëndetësore, si dhe rritjes së efikasitetit të masave mbrojtëse përmes ndërgjegjësimit, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë COVID-19.

Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur, fatkeqësisht edhe të numrit të viktimave, shtrojnë si domosdoshmëri një strategji më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e bëra publike për mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancave fizike, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.

Gjithashtu, është tepër e nevojshme garantimi i masave mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.