Ilir Meta takon kreun e dhomës së popullit të Bosnjës, kërkesa: Njihni Kosovën

511
Në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut që po zhvillohet këtë javë në Tiranë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti Kryetarin e Dhomës së Popullit të Bosnje-Hercegovinës z. Ognjen Tadić.
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e delegacionit nga dhoma e lartë e Bosnje-Hercegovinës në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut duke vënë në dukje domethënien e organizimit për herë të parë të PAM-it në një vend të Ballkanit.Meta dhe z Tadic ndanë bindjen se duke marrë në konsideratë marrëdhëniet e mira politike mes dy vendeve, puna e përbashkët duhet fokusuar në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe bujqësisë.
Kryetari i Dhomës së Popullit të Bosnje-Hercegovinës z. Ognjen Tadić shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut në Tiranë dhe theksoi se Bosnje-Hercegovina e vlerëson mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë, si një vend që tashmë po njeh një zhvillim të dukshëm.Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, z. Meta theksoi rëndësinë e avancimit me integrimin rajonal dhe avancimin e të gjithë vendeve të rajonit drejt integrimit të plotë euro-atlantik. Në këtë drejtim u ripërsërit kërkesa e palës shqiptare për ndryshimin e qëndrimit të Bosnje-Hercegovinës ndaj njohjes së Republikës së Kosovës, si një kontribut për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë
Sigal