Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një  mesazh Presidentit të shtetit grek pas tragjedisë së përmasëve të mëdha nga zjarret që pëfshinë Athinën dhe ku humben jeten me dhjetra qytetarë e janë plagusr disa dhjetra të tjerë.

“Ju siguroj se, në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë”, shkruan Meta në mesazhin e tij.

Ja mesazhi i plotë i kreut të shtetit shqiptar për kreun e shtetit grek

Zoti President,

Me ankth e shqetësim të madh po ndjek përhapjen dhe dëmet që po shkaktojnë zjarret e furishme që kanë rënë përqark Athinës.

Jam shumë i tronditur nga viktimat në njerëz dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre.

Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë. Lutem që të mos ketë viktima të tjera në njerëz dhe që zjarret e egra të vihen shpejt nën kontroll nga autoritetet zjarrëfikëse greke.

Ju siguroj se, në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë.