Ilir Beqaj propozon rritjen e taksave: Familjet të paguajnë për çdo televizor që zotërojnë në shtëpi

673
Propozimi i Ilir Beqjes: Taksë për çdo aparat televizori
Deputeti kërkon që pagesa për RTSH të mos jetë 1.200 lekë në vit, por të rritet për familjet që zotërojnë më shumë marrës
Deputeti socialist dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, gjatë debatit të djeshëm në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ka habitur me deklaratën e tij, që është kundërshtuar edhe nga vetë socialistët. Bëhet fjalë për taksën që çdo familje paguan në faturën e konsumit të energjisë elektrike çdo muaj për llogari të Radio-Televizionit Shqiptar. Aktualisht çdo familje paguan 100 lekë në muaj, pra 1.200 lekë në vit për aparatin televiziv. Por Ilir Beqja, tashmë vetëm deputet i PS-së, ka thënë se shqiptarët duhet të paguajnë, jo vetëm një taksë për RTSH-në, por taksë për çdo aparat televiziv që kanë në shtëpi. “Mesa di unë, ajo nuk është taksë për shërbimin, por është taksë për aparatin televiziv kur është vendosur. Pa dashur të futem në emra të përveçëm, një hotel me 40 dhoma duhet të paguajë 40 herë taksë, sepse ka 40 aparate televizive. Një pikë bastesh sportive duhet të paguajë 20 taksa se ka 20 aparate televizive”, ka thënë Ilir Beqaj. Propozimi i Beqajt është kundërshtuar nga socialisti Fidel Ylli, i cili iu kthye Beqajt duke thënë: “Po në shtëpi kur ke 7 televizorë, do paguash shtatë herë ti?! Do vijë ai të kontrollojë ty në shtëpi?!”, tha deputeti i PS-së, i habitur. Beqaj e sqaroi menjëherë socialistin, pasi sipas tij, taksa është për aparatin jo për shërbimin: ”Ajo është taksë aparati, jo taksë shërbimi”. “Po patjetër, ta kontrollon nga sinjali që çon”, ka thënë socialisti. Në mbështetje të deputetit Ilir Beqja ka qenë dhe kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala, i cili ka thënë se në vendet e rajonit, taksa varion nga 17 euro deri në 37 euro. “Të mbash 12 kanale me të njëjtin buxhet dhe të jenë cilësore, kjo nuk është e mundur. Pasi mund të them që taksa në Shqipëri është 8.7 euro. Nuk ka vend që e ka poshtë 17 eurove. Mali Zi e ka taksën 17 euro, Maqedonia 37 euro, Serbia e ka taksën 30. Nëse duhet të kemi një operator publik të shëndetshëm, nuk e mbulon dot me atë buxhet”, ka thënë Salaj.

Ndërkohë rritje është kërkuar edhe për masën e taksës, që sot është 1.200 lekë në vit (rreth 10 euro në vit). Të ardhurat e grumbulluara nga taksa e televizorit arritën në vitin 2017, në rreth 1.2 miliardë lekë ose rreth 9 milionë euro, sipas të dhënave që Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar raportoi në Kuvendin e Shqipërisë. RTSH propozon se “një rritje prej 50 % mbi nivelin aktual do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar, për shembull, pagesat vjetore për “Deutsche Bank” të marra për procesin e digjitalizimit”. Rritja e fundit u shënua në vitin 2011, nga 600 në 1200 lek në vit për çdo familje. Në 2014, RTSH siguroi një rritje të pazakontë të të ardhurave si rezultat i mbledhjes së taksave të papaguara në vite, përmes Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), rezultat ky edhe i nxitjes së madhe të qeverisë për të kufizuar humbjet e energjisë. Pjesa më e madhe u përdor për të parapaguar 15 për qind të kredisë së digjitalizimit. Ndërkohë RTSH pohon se që nga ajo kohë, të ardhurat e mbledhura nga taksa e aparatit kanë shkuar në nivele më modeste. Për shembull, në 2017 mbledhja e taksës ishte në nivel 10 për qind më të ulët se në 2016, duke krijuar një deficit prej 750.000 eurosh. Veç kësaj, OSHEE mban 10% të taksës së mbledhjes, që është mjaft e lartë e krahasuar me tarifat e vendosura nga operatorë të ngjashëm në Evropë, që shkon mesatarisht nga 1.5 % në 4.5%. Në raportin vjetor, RTSH analizon se të ardhurat nga taksat e aparatit konsiderohen si burimet kryesore dhe më të qëndrueshme të të ardhurave për transmetuesit publikë në kontinent, pjesërisht, sepse është një e ardhur e garantuar e parashikuar çdo vit dhe të lejon të bësh plane për buxhetin. Në rastin e RTSH-së, të ardhurat nga taksat e aparatit përbëjnë 76% të të ardhurave në total (përjashto këtu grantet vjetore të qeverisë nga buxheti i shtetit, të cilat përcaktohen me ligj se për çfarë shërbimesh apo aktivitetesh të RTSH-së do të përdoren).
Sigal