Ilaçet e Hemodializës, “thelë” 40% më e shtrenjtë për klientët monopolistët të kupolës së shëndetësisë

560
Shëndetësia Shqiptare, më konkretisht kupola drejtuese e ministrisë që i është lënë në administrim total privat firmosësit të koncesioneve Ilir Beqja, renditet si shërbimi dhe institucioni me numrin më të madh të denoncimeve që bëhen nga qytetarët dhe subjektet private, për korrupsion me buxhetin mjekësor që vidhet nëpërmjet tenderëve e koncesioneve, me ilaçet që futen nga importi të skaduar e me çmime të ulëta dhe shiten në tregun farmaceutik shqiptar të bosëve të shëndetësisë, si ilaçe të sigurta e me çmime deri 5 herë më të larta se në vendet e BE dhe që përdoren si të sigurta në spitale, klinika, qendra mjekësore rehabilitimi, ambulanca, në spitalet dhe pavionet e fëmijëve, në maternitete e deri në spitalet psikiatrike, pa harruar krimin gjigant financiar, që afro 70% e ilaçeve të shërbimit mjekësor shqiptar që paguhen nga taksat e shqiptarëve, vidhen me letra fiktive pa u futur fare më magazina, duke u shitur nëpër farmacitë, klinikat, qendrat shëndetësore e ambulancat private pronë e shtetarëve, politikanëve, shefave të shërbimeve, drejtuesve të qendrave mjekësore e të Ministrisë së Shëndetësisë, duke i detyruar qytetarët t’i blejnë me lekë jashtë spitaleve, urgjencave e klinikave, në të kundërt mund të vdesin e mbeten invalid për një ilaç, injeksion e serum, siç ka ndodhur në shumë raste. E sikur të mos mjaftonte ky krim financiar e njerëzor që bëhet me shqiptarët prej “kapuçonëve të zinj” të sektorit të “bluzave të bardha”, prej afro 3 vitesh pushtet “Rilindje” kupola e Ministrisë së Shëndetësisë nuk po ndalet as në “zullumin” e aferave korruptive me “pazarin” e tenderëve koncesioneve edhe në blerjen e ilaçeve. Një tender i tilla, që duhet të shërbej si lëndë e parë për sektorin e hetimit të anti-krimit ekonomik-financiar dhe për prokurorinë, rezulton të vulosur e firmosur nga kupola “Beqja” e Ministrisë së Shëndetësisë. Gazeta “Telegraf” po publikon sot, skandalin e inskenuar e të realizuar nga kupola e korruptuar e Ministrisë së Shëndetësisë “Beqja” dhe institucioneve mjekësore të komanduara prej saj, lidhur me tenderin për blerjen e ilaçeve të shërbimin e Hemodializës, tender i bërë me abuzime nga “A”-ja tek “ZH”-ja, financuar si një “thelë” e paracaktuar për klientët e kupolës së shëndetësisë.
Denoncon firma “SAER MEDICAL”, skualifikuar në tenderin e zhvilluar me skenar abuziv 
Ja çfarë thotë firma: U njoftuam nëpërmjet sistemit elektronik mbi raportin e bërë për procedurën me objekt prokurimi: “Blerje materiale mjekësore dhe barna për Hemodializën”, Loti 4, konkretisht Filtra, Linja, Age Hemodialize. Morëm pjesë në tender, por sipas “ustallarëve të KVO të tenderit, rezultoi se Shoqëria “SAER MEDICAL” ishte skualifikuar! Kjo ndodhi edhe pse në këtë prokurim, ne ishim me vlerë të ofruar 40% më ulët se të tjerët, me çmim dhe me materiale të cilësisë së I-rë, që përdoren në të gjithë vendet e botës. Vvonesa e marrjes së vendimit, na kishte krijuar dyshimet, që shoqëria jonë do të skualifikohej, duke parë edhe sjelljen e KVO dhe Shërbimit të Hemodializës, manifestuar dukshëm “kundër” gjatë seancës së provave të kampioneve që paraqitëm, të cilën do e sqarojmë sa më poshtë vijon. Le t’i trajtojmë në mënyrë kronologjike, sipas “argumenteve” absurde e tipik të qëllimshme për skualifikin, që paraqisnin “shefat” e institucionit prokurues, duke iu drejtuar këtij enti prokurores me këto fakte e argumente:
1. Ju përmendni në shkaqet e skualifikimit, që shoqëria jonë nuk plotëson kriteret e veçanta të kualifikimit, pasi nuk ka paraqitur kopjen e bilancit të vitit 2012. Shoqëria jonë operon prej më se 20 vitesh në tregun shqiptar në tregtimin e pajisjeve dhe materialeve me përdorim mjekësor, dhe Ju në bazë të VKM (Nr. 914 datë 29/12/2015 PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, Neni 66 pika 3, ku citohet: “Nëse është e nevojshme, komisioni I vlerësimit të ofertave kërkon sqarime nga ofertuesit, të cilat duhet të jenë me shkrim ose të reflektuara në procesverbal), mund t’i kërkonit sqarime shoqërisë sonë për më tepër që luhen 10,892,660 (dhjetë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë) lekë të taksapaguesve shqiptarë, aq më tepër që në bilancin e vitit 2013 pasqyrohet edhe viti paraardhës, pra viti 2012.
2. Ju pretendoni që në mostrat e dorëzuara, “paketimi i ageve arterio-venoze i prezantuar nga operatori ekonomik SAER MEDICAL nuk është i veçantë”, ashtu siç kërkohet në specifikimet teknike. Ju bëjmë me dije se, paketimi mund të bëhet si të doni Ju dhe si të përcaktohet në kontratë. Ne sollëm mostrat në mënyrë që të vlerësohej cilësia e materialit. Në ofertë është ofertuar çdo artikull më vete dhe ashtu do të lëvrohej në rast kontrate. Nëse ishit në mëdyshje, përsëri bazuar në VKM Nr.914 mund të na kërkonit sqarime dhe jo të na skualifikonit. Kush ju tha që paketimi ageve arterio-venozedo të jetë së bashku, përkundrazi në ofertë e cila kalon në kontratë duket qartë që ato janë veçmas.
3. Për sa i përket filtrave të dorëzuar nga ana jonë, Ju bëjmë me dije që këto filtra janë me ngjyrë rozë nga ana e jashtme dhe Ju pretendoni se ngjyra e filtrave tanë është më e errët. Për të sqaruar këtë fakt, ne Ju sollëm sqarimet teknike së bashku me evidencat klinike.
Dy pyetje dhe disa fakte specifike për barnat e paraqitura në tender
1. Me cilët filtra i krahasoni filtrat tanë, që na thoni që janë më të errët? 
2. Përse nuk skualifikoni shoqëritë e tjera të cilat kanë filtra me ngjyrë më të çelët se të tanët?
Në tender nuk morën pjesë një numër i madh kompanish, ku ne të ishim ndryshe nga të tjerët. Në tender morën pjesë vetëm dy kompani dhe nëse është e vërtetë thënia juaj, atëherë është e vërtetë edhe e kundërta që filtrat e tyre, janë më të çelët. Ju e dini fare mirë, që prej më se 10 vitesh ky shërbim është bërë monopol dhe futen të njëjtat materiale, nga të njëjtat kompani, ashtu si ndodhi edhe dhe në këtë procedurë. Gjithashtu, në këtë proces ka të bëjë shumë edhe mënyra se si futet heparina dhe lloji i heparinës së përdorur, ashtu siç është sqaruar edhe nga firma prodhuese e filtrave. Meqenëse ne u thërritëm që të ishim të pranishëm gjatë procesit të testimit të mostrave, përse heparina nuk u injektua përpara nesh, që të shikohej që mënyra e administrimit të heparinës ishte e njëjtë? Ne Ju kemi furnizuar me 5 filtra shtesë për testim dhe Ju keni edhe 2 filtra të tjerë të papërdorur. Kërkojmë që të bëhet prova me të njëjtën metodikë dhe do të dalë në pah e vërteta. Nëse doni, këto prova i filmojmë dhe i çojmë në të gjithë qendrat e Hemodializës. 
1. Ju pretendoni se është përdorur forcë në mbylljen e kapakut. Kush e mati këtë forcë? Të gjithë ishin dëshmitarë që, në teatrin e përgatitur ishte një infermiere, e cila bënte sikur nuk mbyllte dot kapakun e aparaturës, por inxhinierët tanë të ndodhur aty e mbyllën me lehtësi. Kur ne e mbyllëm atë lehtësisht, ajo na tha që e mbyll më lehtë me të tjerat. Kjo ishte thjesht një lojë fjalësh që çuditërisht qenka shprehur në relacion dhe që përgënjeshtrohet shumë shpejt me bërjen e provave. Mos harroni që ju keni shtatë ditë dhe provat mund të bëhen brenda ditës së sotme pasi të gjithë kampionet i keni të pa hapura. 
2. Pretendohet se ne e kemi propozuar mbushjen e linjës me fiziologjik nga jashtë, duke anashkaluar opsionin automatik dhe duke përdorur atë manual. Kjo është absolutisht e pavërtetë pasi ne, në dallim nga konkurrentët, shkarkimin e fiziologjikut gjatë procesit të priming, e kryejmë nëpërmjet një qeseje dhe jo duke e drenuar tek tubat e lidhur në makinë. Kjo nuk do të thotë aspak që procesi bëhet manual, por që likidi fiziologjik, mblidhet në qesen e sjellë enkas për këtë set. Donim t’ju pyesnim se kush e mban përgjegjësinë për këto gjëra të pavërteta të shkruara në një relacion zyrtar të QSU “Nënë Tereza”? 
3. Më tej, përsëri nuk tregoni të vërtetën kur thoni se: “Sensori ËHO u anashkalua gjatë testimit të setit të INNOVA, shërben gjatë momentit të mbushjes së linjës me fiziologjik”, kur ndërkohë, në atë portë ku lidhej dreni, nuk ka asnjë sensor dhe pas procesit të priming, kur fillon procesi hemodialitik, ky konektor shkëputet nga dreni dhe lidhet në qark. Ne na rezulton që nuk ka asnjë sensor.
Më vonë, përsëriten po të njëjtat fakte, mbi ngjyrën e kuqe të filtrit, për të cilat nuk po zgjatemi pasi i kemi sqaruar më sipër. Në vazhdim, Ju kaloni në një argument shumë të çuditshëm për ne, pasi thoni që mungonte qesja tek seti i linjave pediatrike, gjë që nuk është e vërtetë pasi ne na u kërkua kjo qese dhe ne e kemi dorëzuar te Shefi i Zyrës Juridike, dhe për këtë gjë ka dëshmitarë dhe kërkojmë ballafaqim.
Përse nuk u morën parasysh dokumentet shtesë që kërkuat? 
Më pas kalohet në faktin që dokumentet shtesë të kërkuara nga ana Juaj, pra evidencat klinike, të cilat ne na erdhën nga firmat prodhuese dhe i kemi dorëzuar. Por Ju nuk i merrni ato parasysh pasi janë në gjuhë të huaj dhe sipas ligjit, gjuha e përdorur në procedurë është gjuha shqipe. Ju kujtojmë që koha e lënë në dispozicion për ne ishte vetëm 48 orë, megjithëse ju keni bërë vlerësimin për 28 ditë, duke i kërkuar ditë shtesë APP. Në këto 48 orë, ne mundëm të siguronim dokumentacionin nga firmat prodhuese, por nuk kishim kohë që t’i përkthenim dhe t’i noterizonim. Nuk ka përkthyes në botë që përkthen 159 faqe për 48 orë, duke pasur parasysh që është dhe koha që ne i kërkuam dokumentacionin firmave dhe ato u morën me përgatitjen. Ne patëm në realitet vetëm 16 orë kohë.
Nuk ka kompani në botë që të gjejë të gjithë materialin, rreth 159 faqe dhe ta përkthejë dhe noterizojë brenda 48 orëve. Nëse donit një gjë të tillë, duhej të linit më tepër kohë në dispozicion, aq më tepër kur kohën e keni shpenzuar kot dhe Agjencia e Prokurimit Publik ju lejoi që të shtynit afatin e vlerësimit të ofertave.
Për sa më sipër, siç mund të vërehet, ne e kontestojmë të gjithë procesin e vlerësimit dhe kërkojmë një rivlerësim nga Ju drejtoreshë, që jeni edhe Kryetare e Entit Prokurues, pasi sipas nesh shpenzohen kot 10,892,660 lekë që është diferenca e ofertës tonë me atë më të lartë, ose e thënë ndryshe 40% e ofertës.
Edhe 8 pyetje që provojnë abuzimin dhe klientelizmin monopolist
1. Duke qenë se ne e kontestojmë të gjithë procesin dhe duke Ju dhënë materiale të cilat ju i keni edhe për 2 pacientë të tjerë, a mund të riprovohen këto edhe njëherë në prani të gjithë personelit të shërbimit të hemodializës dhe atij të nefrologjisë, duke u bërë edhe procedurat e injektimit të heparinës para gjithë komisionit? 
2. A ka patur ndonjë prej pacientëve që bëri seancën e dializës me materialet e paraqitura nga ne, simptoma minore apo madhore?
3. A ka ndonjë evidencë të analizave të gjakut të pacientëve të cilët bënë filtrimin e gjakut me filtrat tanë, në krahasim me ato të kompanisë tjetër, dhe po të ketë kush i ka parametrat më mirë?
4. A mund të masim parametrat dhe të shohim me cilin filtër gjaku është më i pastër? Nëse Ju nuk argumentoni humbjen e gjakut në filtra, është shumë e lehtë të argumentohet gjendja e gjakut të pacientit pas seancës së hemodializës dhe nëse tek pacienti do të kishte diferenca në analizat e gjakut, atëherë mund të deduktohej për defekt gjatë filtrimit të gjakut me filtrat e kompanisë A apo B.
5. Si ka mundësi që kompanitë produktet e të cilave ne kemi ofruar, prodhojnë për të njëjtat aparatura në gjithë vendet e botës dhe vetëm në Shqipëri nuk bëjnë?
6. Ju paskeni marrë relacion edhe nga personeli i mesëm, në një kohë që në të gjithë tenderët e zhvilluar në QSU “Nënë Tereza”, relacioni bëhet nga personeli i lartë, si është “harruar” ky detyrim? 
7. A keni bërë ndonjë mbledhje me personelin e lartë, mjekët, për të firmosur këtë relacion? 
8. A e firmosi ndonjë mjek? Ç’thanë mjekët?
Sigal