IKMT paralajmëron prishjen e 160 objekteve brenda gushtit

1520
Vazhdon me intensitet prishja e objekteve që pengojnë zgjerimin e rrugës në Unazën e Madhe. Sipas kreut të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallëndyshe Bici, puna është ndarë në dy grupe. Grupi i parë ka filluar punën nga ‘Komuna e Parisit’ në drejtim të ‘shkollës teknologjike’, ku pjesa më e madhe e objekteve është prishur. Ka ngelur vetëm një numër i vogël objektesh, që presin të trajtohen me Këshillin Bashkiak të Bashkisë së re të Tiranës. Grupi tjetër ka nisur nga ‘Pallati me Shigjeta’ në drejtim të Doganës. “Deri tani janë prishur mbi 70 objekte, ndërsa lista e objekteve që kemi ne në planin tonë të punës, kap shifrën prej 160 objektesh”, është shprehur Bici. Ajo shpjegon se nuk ka asnjë diferencim të objekteve, që janë planifikuar për t’u prishur, dhe se secili prej tyre është duke u trajtuar në bazë të ligjit. “Ka pasur objekte që kanë funksionuar si objekte shërbimi dhe në katet më të larta si objekte banimi. Jemi siguruar që këto objekte të jenë trajtuar sipas statusit të tyre ligjor që kanë pasur. Rezistencë përgjithësisht nuk kemi pasur, por edhe në raste të veçanta palët e tjera e kanë mirëkuptuar hapjen e këtij segmenti, që përbën një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Të gjithë janë trajtuar sipas statusit të tyre ligjor. Nuk ka pasur diferencim apo ndryshim nga njëri objekt te tjetri. Kjo ka ardhur për shkak se ne kemi bërë një verifikim prej muajsh në terren të çdo subjekti, i cili më pas i është nënshtruar prishjes”, theksoi më tej Dallëndyshe Bici. Në lidhje me fillimin e punimeve për ndërtimin e “Unazës së madhe”, nga kompania që ka marrë përsipër zbatimin e projektit, kreu i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit tha se gjithçka është koordinuar në mënyrë që të punohet paralelisht. “Puna është alternuar shumë mirë me firmën zbatuese. Me lirimin e objekteve ata kanë një terren të mjaftueshëm për të punuar. Kemi alternuar gjithçka për vazhdimin e punës nga firma zbatuese, e përcaktuar për ndërtimin e ‘Unazës së madhe’”, tha Bici. Aksioni në gjurmën e “Unazës së madhe” ka nisur që prej 3 javësh dhe, sipas kreut të Inspektoriatit, do të punohet pa ndërprerje gjatë gjithë muajit gusht, deri sa të prishen të gjitha objektet e planifikuara.
Projekti i Unazës së Madhe
Unaza e Madhe e Tiranës është një nga projektet më të hershme që është hartuar nga specialistët për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Ideja është hedhur fillimisht në vitin 1989. Bashkia, ka nisur hartimin e një projekti serioz, por një nga problemet kryesore është shpronësimi i pronarëve. Rastet më problematike janë ato në vijën që do të kalojë unaza, ku ka ndërtime me karakter tregtar dhe biznesi, por edhe godina banimi. Projekti i Unazës së Madhe parashikon jo vetëm një rregullim të trafikut në gjithë kryeqytetin, por edhe ndërtimin e veprave të artit, që do ta rendisnin Tiranën në një nga qytetet me rrugë moderne dhe bashkëkohore. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe, që lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës, me gjatësi rreth 2.2 kilometër, së bashku me zgjerimin, është filluar në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometër dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Ndërkohë, në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele.
Veprat që do të ndërtohen 
1. Mbikalimi në kryqëzimin me rrugën “Komuna e Parisit”.
2. Sinjalistika vertikale dhe horizontale.
3. Semaforë në çdo kryqëzim. 
4. Ndërtimi i kanalizimit të ujërave të zeza.
5. Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të bardha.
6. Tubacionet ndihmëse, për instalimin e menjëhershëm ose të mëvonshëm të linjave elektrike të përcaktuar për zonat urbane. 
7. Tubacionet ndihmëse për instalimin e menjëhershëm ose të mëvonshëm të linjave telefonike të përcaktuar për zonat urbane. 
8. Ndërtimi i zonës së gjelbër, përgjatë gjithë aksit rrugor.
Etapat e shpronësimeve
1. Përcaktohet gjurma, se ku do të kaloj Unaza e Madhe. Ku përpilohet lista e subjekte që duhen shpronësuar.
2. Ministria e Transportit ngre grupin e punës, që do të merret me realizmin e procesit të shpronësimit.
3. Grupi i punës përcakton kategoritë e shpronësimeve. Shpronësimi vetëm për tokën, shpronësim për tokën dhe ndërtesën që është ndërtuar në tokë, si dhe shpronësimi i tokave të cilësuar, si livadhe ose pyje.
4. Pronarët paraqesin pranë ministrisë dokumentet e vërtetësisë së pronës.
5. Ministria e Transportit, verifikon vërtetësinë e dokumenteve. 
6. Ministria e Transportit, përpilon listën e pronarëve, të cilët do të shpronësohen.
7. Ministria e Transportit dërgon për miratim në qeveri listën e emrave të pronarëve që do të shpronësohen.
8. Qeveria pas miratimit bën shpërndarjen e lekëve.
Segmenti i parë 
Rruga e Kavajës – Diga e liqenit Artificial
Segmenti i dytë 
Diga e liqenit Artificial – Rruga e Elbasanit
Sigal