Ikën nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Vjollca Braho, emërohet zv/ministre e Mirëqenies Sociale

529
Sigal

Partia
Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijon të forcojë pozitat e saj në koalicionin
qeverisës. Partia që përfaqëson edhe komunitetin çam në Shqipëri ka rritur
përfaqësimin e saj në nivelin e lartë qeverisës, ku nesër pritet të marrë dhe
një post zëvendës/ministri.

Burime zyrtare nga qeveria bëjnë të ditur për ‘BalkanWeb’
se zonja Vjollca Braho do të emërohet zv/ministre e Mirëqenies Sociale dhe
Rinisë, një post në qeveri i hapur posaçërisht për PDIU-në.

Zonja Vjollca Braho pritet të lërë detyrën e saj në krye të
Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të marrë postin e zv/ministres
në institucionin e drejtuar nga Blendi Klosi. Përveç postit që mban në kujdesin
shëndetësor, Braho është edhe nënkryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Vjollca Braho qëndron në krye të FSDKSH-së që prej
dhjetorit të vitit 2015, ndërsa më parë ka drejtuar Institutin e Sigurimeve
Shoqërore, duke realizuar një sërë reformash, mes tyre dhe ligji i ri për
sigurimet që ka nisur aplikimin në 1 janarin e 2015-ës.

Gjatë drejtimit të ISSH-së nga Vjollca Braho ndryshoi
rrënjësisht mënyra e llogaritjes dhe pagesave të përfitimeve, që me sistemin e
ri informatik uli kohën e caktimit të përfitimeve, saktësinë e tyre, eliminimin
e informalitetit dhe rritur cilësinë e shërbimeve.

Një tjetër sukses i institucionit të drejtuar për dy vite
nga Braho është ndryshimi i infrastrukturës nëpërmjet riorganizimit të godinave
qendrore të ISSH¬-së, agjencitë e drejtorive rajonale të Tiranës, Durrësit dhe
Korçës, si dhe nisja e punimeve për gjithë agjencitë e tjera. Të gjitha këto
ndryshime në infrastrukturë kanë sjellë ndryshime në aplikimet dhe shërbimet
ndaj qytetarëve.

Mësohet se vendin e Vjollca Brahos në krye të Fondit të
Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do ta zërë Erjon Manhasa.