Igli Totozani, 5 Vjet Avokat i Popullit

2379
Igli Totozani ka mbaruar mandatin e tij 5-vjeçar në detyrën e Avokatit të Popullit. Ai është shprehur në një letër drejtuar qytetarëve shqiptarë se këto pesë vite kanë qenë një përvojë e jashtëzakonshme për të si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga ajo njerëzore.

Ja letra e z. Igli Totozani 
“Mandati im 5-vjeçar në detyrën e Avokatit të Popullit ka përfunduar. Për mua personalisht kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga ajo njerëzore. Jam përpjekur që gjatë punës time të përditshme, por edhe të të gjithë stafit të institucionit të Avokatit të Popullit, të orientohem drejt zgjidhjes së halleve dhe shqetësimeve të atyre, që pësuan padrejtësi. I qëndruam pranë grupeve më vulnerabël: të varfërve, romëve, personave me aftësi të kufizuara, të pastrehëve, minoriteteve, femijëve, grave viktima të dhunës në familje etj. Puna e bërë në këto vite, jo vetëm që nuk ka qenë e thjeshtë, por shpesh jemi ndeshur me vështirësi të mëdha. Kërkuam njohjen e minimumit jetik, u fokusuam te ndihma ekonomike, te aksesi i të varfërve në shërbime publike sikundër energjia elektrike apo uji i pijshëm, Arsim, Shendetësi, mbrojtje të të drejtave në punë të punëmarrësve, etj. Jam i bindur që nuk kemi arritur t’i zgjidhim të gjitha ankesat që na janë adresuar dhe për këtë ju kërkoj ndjesë, sikundër pohoj se janë me mijëra rastet ku kemi ndërhyrë me rekomandime dhe ja kemi dalë mbanë. Ndonëse nuk do të jem më në krye të një institucioni që ka për detyrë mbrojtjen, respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ju garantoj se nuk do të tërhiqem asnjëherë nga ky mision fisnik, tanimë si një qytetar i thjeshtë, por me një eksperiencë tepër të vlefshme. Do të jem gjithmonë në krahun tuaj, në krah të njerëzve më të pambrojtur dhe në nevojë”.Gjatë mandatit 5-vjeçar të z. Igli Totozani si Avokat i Popullit, u finalizua një volum i madh pune. Kështu gjatë 5 viteve u trajtuan:

Ankesa gjatë viteve 2012-2016 22.209
Raporte të veçanta drejtuar Kuvendit 34
Rekomandime Legjislative 2012–2016 110
Raste me Inisiative 951
Inspektime 688
Këshillime Verbale+Shkresore 7805
Ligje te permiresuara me kontributin e AP 30 

Z. Igli Totozani u zgjodh në detyrën e Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë në muajin Dhjetor 2011, nga një votim me shumicë të cilësuar, në Parlament. Në këtë 5 vjeçar Avokati i Popullit, z. Igli Totozani dy herë me radhë me vota unanime u zgjodh President i Organizatës Ndërkombëtare të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) në Qershor 2014 dhe në Mars 2016. 

Qershor 2012
Avokati i Popullit z. Igli Totozani zgjidhet anëtar i Këshillit Administrativ i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM).

Maj 2013
Z. Igli Totozani, zgjidhet ne Kombet e Bashkuara ne Gjeneve anëtar i dy bordeve: Bordit të Rrjetit Rajonal Europian dhe Bordit Drejtues të Komitetit Ndërkombëtar për Koordinimin e Institucioneve Kombëtare të Drejtave të Njeriut.

Maj 2013
I jepet çmimi “Aleati i Vitit LGBT 2012” nga Organizatat e shoqërisë civile “Aleanca Kunder Diskriminimit” dhe “Pro LGBT”.

Nëntor 2013
Avokati i Popullit të Shqipërisë, z. Igli Totozani zgjidhet Anëtar i Këshillit Administrativ të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve Frankofonë, (AOMF).

Prill 2014
I jepet titulli “Romanipe Honoris Causa”, nga Instituti i Kulturës Rome, duke e njohur si anëtar nderi i komunitetit rome dhe si “Amaro Avokat- I Ko Sudal” (Avokati Ynë në Botë)

Prill 2014
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, zgjidhet Anëtar i Bordit Drejtues të Rajonit të Europës të Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve (IOI).

Tetor 2015
Rizgjidhet Anëtar i Bordit të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Ndërmjetësuesve Frankofonë (AOMF).

Nëntor 2015
Avokati i Popullit z. Igli Totozani rizgjidhet anëtar i Bordit Botëror të Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve (IOI).
Sigal