Idriz Latif Nezha: S’kam marrë asnjë lekë dëmshpërblim, m’i kanë vjedhur duke më mohuar atësinë

699
Letër në “TELEGRAF”/Denoncimi i një 80-vjeçari, ish-i dënuar politik, i tallur nga “demokracia” e 25 viteve, biri i një të pushkatuari prej diktaturës
Unë që po ju shkruaj, jam një lexues i rregullt i gazetës “Telegraf”. Quhem Idriz Latif Nezha, i vit-lindjes 1938, me detyrë “Kryetar i shoqatës së familjarëve të të Pushkatuarve dhe të Përndjekurve Politikë për Integrim” në Qarkun Fier, me qendër banimi në Lushnjë. Statusin “I dënuar politik prej ish-regjimit komunist 1945-1991” e provoj me Dosjen nr. 15775/1, që gjendet në Ministrinë e Drejtësisë. Nëpërmjet gazetës “Telegraf”, dua të denoncoj një qëndrim mohues e denigrues, që vazhdon të mbahet ndaj meje dhe familjes sime, që gjatë regjimit të diktaturës në Shqipëri, kemi vuajtur pushkatimet, burgjet, internimet në kampe izolimi, punën e detyruar pa pagesë dhe mohimin e plotë të çdo të drejte sociale, gjë që vazhdon edhe sot pas 27 vitesh demokraci! Cili është halli im? Ju bëj me dije, se babai im, Latif Elmaz Nezha, i vit-lindjes 1891, me vendbanim në Lushnjë është ekzekutuar nga regjimi komunist për motive politike, vërtetuar ky fakt me dokumentin zyrtar të Arkivit të Shtetit, që thotë: “Vërtetojmë se në listën e të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, të vdekurve në burgje dhe hetuesi për motive politike, në numrin rendor 3491, rezulton se Latif Elmaz Nezha, i vit-lindjes 1891, vend-banimi Lushnjë është ekzekutuar më datë 13. 10. 1952. Përgj/Sek/Arkivit…”

Po kështu, unë i biri i tij, Idriz Latif Nezha, jam i persekutuar politik. Këtë e provon dokumenti i Arkivit të Shtetit, me nr 424/1, nr/prot, Tiranë, datë 15/05/2007, ku shkruhet: “Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave. Nr 445, datë 13/12/1991, Komisioni i krijuar për njohjen e kohës së vuajtjes së dënimit administrativ, me vendim nr. 13 datë 02/07/1992, me shkresën Nr. 716 prot. ka vendosur njohjen e kohës së internimit nga rrethi Lushnjë, në rrethin Elbasan, nga viti 1950 deri në vitin 1956 për arsye politike, për shtetasin Idriz Latif Nezha. Përgj/Sek/Arkivit….”

Shqetësimi im është ky: Unë si i persekutuar politik, deri tani nuk kam marrë asnjë 5 lekësh dëmshpërblim financiar për vitet e dënimit, qoftë nga të djathtët dhe nga të majtët që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 25 viteve. Dosja ime është plotësuar qysh në vitin 2006, sipas gjithë rregullave shtetërore ende në fuqi, përgatitur nga avokat Ll. Ndoja. Ju bëj me dije, se i jam drejtuar për të më dhënë të drejtën edhe Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrit të Drejtësisë etj, por asnjë interesim nuk është treguar prej tyre për të zbardhur, trajtuar dhe vendosur në vend të drejtën time të penguar e të mohuar! Pas çdo ankesë-kërkese që kam bërë në 11 vitet e pas plotësimit të dosjes, nga ana e pushtetarëve më vjen përherë e njëjta përgjigje: “Nuk figuron të jesh djalë i Latif Nezhës”(?!). Një absurd dhe turp që moralisht e ligjërisht nuk do ta lejoj. Të gjitha dokumentet dhe jeta ime, provojnë të kundërtën. Unë kam të drejtë të dyshoj, se mohimi i atësisë ka lidhje me zhvatjen e lekëve të dëmshpërblimit tim, nga ata qeveritarë që kanë “gurin dhe arrën”. Disa, më thonë: “Ke bërë gabim, që nuk u ke dhënë ryshfet atyre që merreshin me ndjekjen e dosjeve të dëmshpërblimit”. Këtë gjë e kanë bërë shumë bashkë-vuajtës të tjerë, por unë nuk e bëra dhe e… pësova! S’do shumë mend të kuptohet, se lekët e mia i ka futur në xhep dikush tjetër dhe ndaj po më vërdallisin e lodhin me skenarin e turpshëm të mohimit të atësisë.

Po ju drejtohem juve, zoti Ëngjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf”, me besimin e plotë se do të zbardhni këtë mohim të drejtë e siç mendoj edhe abuzim me lekët e dëmshpërblimit tim. Pranoj, të ballafaqohem me çdo individ apo zyrtar që hedh baltë mbi vuajtjet e mia, mbi nderin dhe identitetin tim atëror e familjar. Besoj, se me sensibilizimin tuaj publik, problemi im do të futet në rrugën e zgjidhjes.

Idriz Latif Nezha
Kryetar i të Pushkatuarve dhe të Përndjekurve Politik për Integrim, të Qarkut Fier
Lushnjë, më 24/07/2017
Kujtesë kryeministrit

Ky 80-vjeçar, ish-i dënuar politik, që po lodhet e denigrohet nga zyrtarët, kërkon ta dëgjoni

Përparim HALILI
Zoti Kryeministër! Kur nisët mandatin e parë të “Rilindjes”, premtuat se brenda 4 viteve, pra deri sot që flasim, do të shlyheshin me “gjallje” këstet e dëmshpërblimit për të gjithë të pushkatuarit prej diktaturës komuniste dhe për të gjithë ish-të dënuarit politikë, mbi moshën 75 vjeç. Në kuadrin e dëgjesave që po bëni këto ditë me popullin, dëgjojeni edhe hallin që ka ky ish-dënuar politik, 80-vjeçari Idriz Latif Nezha, me banim në Lushnjë! Ka 26 vjet (1991), që i është njohur zyrtarisht periudha e dënimit politik. Ka 11 vite (2006), që ka plotësuar dhe ka dorëzuar dosjen e plotë e të saktë në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë lekët. Por as sot e kësaj dite, nuk po i japin asnjë qindarkë nga vlera e dëmshpërblimit që i njeh ligji! Ish-zyrtarët e pushtetit të PD e kanë sjellë vërdallë me letra e premtime pa fund! Ndërsa zyrtarët e “Rilindjes”, po i mohojnë edhe atësinë, duke e trajtuar si “person jo real”, ndërkohë që në letrat zyrtare të ish-diktaturës që i kanë dhënë vetë batakçinjtë e “demokracisë”, ka si atësi shtetasin “Latif Elmaz Nezha”, pushkatuar 65 vite më parë (1952) nga ish-diktatura si “armik i partisë”. Për rrjedhojë, prej 11 vitesh nuk po i japin lekët, duke mos e pritur as në zyrat e shtetit, por duke i kthyer vetëm përgjigjen e njëjtë shabllone me “vulë” të djathtë e të majtë, me këtë tekst: “Nuk përfiton dëmshpërblim, mbasi nuk figuron si djali i Latif Elmaz Nezhës!
Nëse mundeni zoti kryeministër, ashtu siç vepruat me atë 80-vjeçaren në Berat që brenda natës e pajisët me legalizimin e banesës sa është gjallë, kusur e keni, por kapini “për veshi” edhe këta drejtorët e zyrës së dëmshpërblimeve të ish-të përndjekurve politikë, që në zbatim të ligjit, t’i japin lekët sa është gjallë edhe këtij 80-vjeçari të dënuar politik!
Në rastin konkret zoti kryeministër, po vazhdon të bëhet një maskarallëk aq i ndyrë prej zyrtarëve të shtetit, sa këtij hallexhiut “pa njerëz” në pushtet e nëpër kryesi partish, jo vetëm po i mohojnë lekët e viteve të dënimit, por po i mohojnë edhe… atësinë! Sipas letrës së 80-vjeçarit dërguar në “Telegraf”, ky marifet bëhet për të fshehur vjedhjen e lekëve dhe firmosjen ndoshta në emër të tij, ose të ndonjë “Idrizi” tjetër me atësi të sajuar. Ndoshta, tek dyshimi i vjedhjes së lekëve të dëmshpërblimit të këtij 80-vjeçari dhe tek zvarritja e qëllimshme gjersa ai të ikë nga kjo botë, duhet të nisë zbardhja e kësaj poshtërsie që vazhdon të bëhet nga parazitët, brejtësit dhe hajdutët që kanë mbushur zyrat e pushtetit, e që ju i quani “armiq të shtetit dhe qytetarëve”!
Shënim i “Telegraf”
Rasti i ish-të dënuarit politik, 80-vjeçarit Idriz Latif Nezha, provon demagogjinë, mashtrimin, talljen, mohimin dhe denigrimin që është bërë në këto 26 vite “demokraci”, nga të gjithë pushtetet majtas e djathtas, në lidhje me të drejtat ligjore të të përndjekurve e të pushkatuarve të vërtetë politik anti-komunistë, ndërkohë që abuzuesit; ish-drejtues e drejtues aktualë të shoqatave apo drejtues shtetërorë që trajtojnë këtë shtresë, janë bërë me pasuri të shumta nëpërmjet zhvatjes së fondeve të dhëna për integrimin social-ekonomik të kësaj shtrese. Është absurd fakti që prej 25 vitesh, saktësisht prej datës 02/07/1992, me Vendim nr. 13, referuar dosjeve të burgim-internimeve, zotit Idriz Latif Nezha i është njohur zyrtarisht koha e vuajtjes së dënimit dhe pushkatimi i babait të tij Latif Elmaz Nezha, të cilin po ia mohojnë si baba pas 80 vitesh, disa drejtues zyrash e institucionesh të “sistemit demokratik”, shumë prej të cilëve janë bijë e bija, dhëndurë e nuse, bashkëshortë/e, krushq e baxhanakë, teze, halla, dajo, nipër, mbesa të ish-kryetarëve të degëve të punëve të brendshme, të ekzekutorëve dhe varrmihësve, të spiunëve, hetuesve e sigurimsave, të ish-gjykatësve famëkeqë dhe xhahil-gardianëve të burgjeve e kampeve të internimit të ish-diktaturës komuniste. Gazeta “TELEGRAF”, ka nisur investigimin për këtë skandal dhe deri tani, ka rënë në gjurmët e një falsifikimi të kryer nga zyrtarë të shtetit, në bashkëveprim me drejtues të Institutit të Ish-të Përndjekurve Politikë, fakte, të cilat do t’i publikojmë së shpejti, ndërkohë që javën tjetër, gazeta “Telegraf” do të publikojë një speciale me të dhëna tronditëse, korruptive e pazaresh morale me fondet dhe të drejtat e ish-të përndjekurve politikë, si “lëndë e parë” reagimi, veprimesh, zgjidhjesh dhe lufte anti-korrupsion në sektorin e trajtimit të kësaj shtrese sociale!
Sigal