IDM, Studimi: Ekstremizmi politik në Shqipëri, më shumë shqetësues se sa ai fetar.

20
Sigal

Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi sot një studim, sipas të cilit qytetarët janë më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik sesa për atë fetar. Nga studimi doli ekstremizmi fetar është shqetësim për mbi 30 për qind të qytetarëve, ndërsa ai politik për mbi 43 për qind të popullatës. Mbi 76 për qind e të anketuarve besojnë se aktorët qeverisës në Shqipëri keqpërdorin institucionet dhe burimet shtetërore për interesa të ngushta politike. Ky vlerësim kombëtar mbi Ekstremizmin e Dhunshëm në Shqipëri është mbështetur në një pyetësor, i cili iu drejtua rastësisht në terren një mijë e 600 të anketuarve në 61 nga 62 bashki të vendit. Nga studimi doli se mbi 30 për qind e të anketuarve janë të shqetësuar për ekstremizmin fetar në Shqipëri, ndërsa vetëm 6.6 për qind e tyre anketuarve besojnë se në zonën ku ata jetojnë ka individë ose grupe që nxisin ekstremizmin fetar, me sjellje intolerante, islamofobe, apo edhe të feve të tjera. Afro 37 për qind e të anketuarve besojnë se komuniteti i tyre fetar është i përfaqësuar sa duhet në politikë dhe institucione shtetërore. Ndërsa mbi 43 për qind pohuan se në lagjet e tyre ka grupe fetare, që u ofrojnë të mira materiale ose ekonomike praktikantëve të fesë së tyre. Një gjetje shqetësuese për autorët e studimit lidhet me shifrat se mbi 30 për qind e të anketuarve mendojnë që pasurimi i shpejtë nuk është gabim, ndërsa afro 28 për qind pohuan se e justifikojnë çdo lloj veprimtarie ekonomike, qoftë edhe të paligjshme.Vetëgjyqësia zë një vend me rëndësi në pohimet e qytetarëve. Mbi 40 -të të tyre thanë se njerëzit kanë të drejtë të bëjnë vetëgjyqësi, kur u mohohen liritë e të drejtat nga institucionet shtetërore. Madje mbi 46 për qind besojnë se sistemi politik në Shqipëri është i padrejtë dhe duhet ndryshuar, madje edhe me dhunë po qe nevoja. Përfshirja ose nxitja e civilëve për t’u përfshirë në konflikte të armatosura cilësohet si një veprim i lejueshëm për 23 për qind të anketuarve. Më shumë se 47 për qind e të anketuarve nuk besojnë se institucionet shtetërore respektojnë të drejtat dhe liritë e qytetarit. Një e katërta e tyre u shprehën se çdo qytetar duhet të mbrojë ideologjinë e vet me çdo mjet dhe çmim. Po aq ishin edhe ata që besojnë se është detyrë e çdo besimtari të mbrojë vlerat dhe dinjitetin e vet fetar me çdo mjet dhe çmim. Por nga ana tjetër, 13.6 për qind pohuan se një besimtar i denjë nuk duhet të denoncojë anëtarët e komunitetit të tij që kanë bindje ekstremiste fetare. Çereku i qytetarëve të anketuar (26.4%) besojnë se vendet me shumicë të krishterë në Ballkan kanë pasur më shumë mbështetje nga Perëndimi pikërisht për shkak të përkatësisë fetare. Ndërkohë, vetëm një pakicë nga 7- 11 për qind mendojnë se në Shqipëri është e vështirë të jesh besimtar mysliman apo i krishterë. Mbi gjysma e të anketuarve thanë se (54.1%) besojnë që qëndrimet e kreut të komunitetit fetar (në Tiranë) gëzojnë mbështetjen e plotë të besimtarëve të zonës ku jetojnë. Ndërsa 40.5% besojnë se njerëzit kanë të drejtë të ndjekin interpretime fetare jozyrtare nëse nuk pajtohen me bashkësitë përkatëse fetare.