Identifikohet 71-vjeçari që u vra me armë zjarri në Fushë-Prezë, dalin detaje të reja

325
Sigal

71-vjeçari, i cili u vra me armë zjarri pasditen e sotme në Fushë-Prezë, është identifikuar si Abdulla Budlla, nga fshati Hametaq.

Ai dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, ndërsa trupi i tij u gjet i shtrirë i pajetë në cep të rrugës nga kalimtarë të rastit.

Në vendngjarje u gjet edhe automjeti me të cilin lëvizte viktima, ndërsa trupi i tij u gjet pak metra më larg.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:45, në rrethana ende të paqarta, ndërsa është bërë rrethimi e zonës, si dhe janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:45, në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. 71 vjeç, banues në fshatin Hametaq, Njësia administrative Prezë.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , ku kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.