I sekuestruan 3mln euro vetëm sot, kush është shkodrani që hiqej si kosovar e mbushte me drogë Evropën

Këtë të martë policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë sekuestruar një sërë asetesh me një vlerë që kap shifrën e 3 milionë eurove. Paratë në fjalë kanë ardhur nga trafiku i drogës dhe kanë qenë në duart e 4 shqiptarëve, të arrestuar në Danimarkë në qershor të këtij viti.

Konkretisht të arrestuarit janë Jetmir Kastrati, Eri Pelinku, Dëfrim Eçi si dhe Armando Duçaj.

Sigal

Jetmir Kastrati rezulton të jetë koka e kreut të grupit kriminal. Kastrati është me origjinë nga Shkodra, por shpesh herë prezantohej me një identitet kosovar, si Sokol Krasniqi. Emri i Kastratit nuk ishte i panjohur për autoritetet në mbarë Europën, pasi aktiviteti i bandës së tij kriminale shtrihej në disa shtete, përfshi këtu Danimarkën, Gjermaninë, Holandën, Suedinë, Belgjikën dhe natyrisht Shqipërinë, ku paratë e drogës ishte kthyer në asete si dhjetëra banesa, dhjetëra makina të modeleve të fundit, e madje dhe një pulari e cila kishte kushtuar rreth 1 mln euro.

Objektet në fjalë u sekuestruan këtë të martë nga policia përmes operacionit “Goldfinger”.

Por kush është Jetmir Kastrati, i cili futi në punë 6 shtete për ta kapur dhe shkatërruar grupin kriminal që ai drejtonte?

Kastrati e gjente drogën në vende të origjinës së saj si Ekuadori dhe Kolumbia dhe më pas e sillte drejt Evropës, duke marrë kësisoj dhe rolin e drejtuesit të një organizate që kishte në përbërje shqiptarë, serbë, holandezë e të tjerë shtetas të ndryshëm. Hetimi mbi grupin nisi që në vitin 2015, kur në Danimarkë u kapën disa korrierë droge. Në janar të 2018 Danimarka kërkoi ndihëmn e një sërë shtetesh për të neutralizuar të gjithë organizatën.

Kastrati përveçse identitetit të tij si shqiptar i Kosovës mbante dhe një pasaportë suedeze me emrin Dëfrim Beck.

Prej kohësh dyshohej se pularia e cila u vu nën sekuestro këtë të martë, të ishte në pronësi të Kastratit. Ky i fundit për të fshehur gjurmët e kishte regjistruar në zyrat shtetërore pronën në emër të kunatit të tij Astrit Beqiri. Një sërë pronash të Kastratit janë kaluar në emër të kunatit, pasi bosi i drogës e kishte kuptuar që ishte vënë në shënjestër nga autoritetet e huaja.

Më poshtë njoftimi i plotë i policisë mbi asetet e sekuestruara këtë të martë:

NJOFTIMI I PLOTË:

Vijon operacioni “Goldfinger“, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni.

Sekustrohen 3 milionë euro pasuri, me burim të ardhurash nga aktiviteti kriminal i 4 personave, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, në Danimarkë, më datë 26 qershor 2019.

Këta persona janë pjesëtarë të një grupi të madh të strukturuar kriminal për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vendet e BE-së dhe një pjesë të parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha.

Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore.

Pasuritë e sekuestruara tashmë administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Minsistrisë së Financave.
Në vazhdim të operacionit “Goldfinger“, i zhvilluar më datë 26.06.2019, gjatë të cilit u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, operacion i koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, i shtrirë në disa shtete, si Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Hollandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri, Drejtoria Hetimore Qëndrore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vijuar hetimin pasuror për të sekuestruar të gjitha pasuritë e personave të arrestuar gjatë operacionit, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i tyre.

Gjatë hetimeve për identifikimin e pasurive të tjera që kishin rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasve J. K., D. E., A.D. dhe E.P., të arrestuar në Danimarkë më datë 26.06.2019, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, Drejtoria Hetimore Qëndrore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, evidentoi një sërë pronash të tjera të këtyre personave dhe i kërkoi Gjykatës sekuestron përfundimtare në bazë të ligjitit antimafia.

Bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, u vendos sekuestrimi mbi pasuritë, si më poshtë:

Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;
10 apartemente banimi, në plazhin e Velipojës;
1 apartament banimi në Shkodër;
14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit;

Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro.

Të gjitha pronat e sekuestruara dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilët i kanë regjistruar në emër të familjarve të tyre.

Pronat e sekuestruara më datë 26.06.2019 dhe 29.10.2019, me vendim gjykate, i janë dorëzuar për administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Minsistrisë së Financave.

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo personave me të cilët kanë lidhje miqësore dhe shoqërore.

Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të tjera të luajtshme apo të paluajtshme, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminale i këtyre personave.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të identifikuar pasuri të tjera të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtyre personave dhe i personave të tjerë.