I mori jetën 2 vajzave / Shoferi me precedentë penalë, u plagos me armë zjarri para një viti

103
Sigal

Një aksident tragjik u mori dy vajza dhe la të plagosur rëndë drejtuesin e mjetit. Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në autostradën Tiranë-Durrës.

Policia e Durrësit sqaroi se drejtuesi i automjetit, 26- vjeçari Arbër Tivari, ka humbur kontrollit e makinës duke u përplasur me trafik ndarësen, përplasje e cila ishte fatale për dy pasagjeret e mjetit. Ende nuk dihet se pse të rinjtë ishin në udhëtim rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës.

“Në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, shtetasi A. T., 26 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me trafik ndarësen. Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën dy pasagjeret shtetasja S. Gj., 26 vjeçe, dhe pasagjerja tjetër ende e paidentifikuar që ndodheshin në automjet. Ndërsa shtetasi A. T, është transportuar në spital në gjendje të rëndë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e shtetases tjetër që humbi jetën”, tha Policia e Durrësit në njoftimin paraprake.

Pak orë pas përplasjes tragjike, Policia identifikoi dy viktimat e aksidentit. Ato janë Silva Gjergji, 26 vjeçe dhe Roxhesa Klironomi, 24 vjeçe, pasagjere në automjetin që drejtohej nga 26-vjeçari, Arbër Tivari. Ata kishin darkuar mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Durrësit dhe po ktheheshin në Tiranë rreth orës 02:00 të mëngjesit. Pas përplasjes fatale, i riu është transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën udhëtonte 26-vjeçari. Për pasojë, ai ka humbur kontrollin e makinës, duke u përplasur furishëm për bordurat anësore të rrugës. Përplasja ka qenë fatale për dy pasagjeret. Ende nuk dihet nëse i riu kishte konsumuar alkool në momentin e aksidentit apo ishte nën efektin e lëndëve narkotike. Si viktimat ashtu edhe 26-vjeçari i plagosur do t’u nënshtrohen analizave dhe ekzaminimeve mjekoligjore për të zbuluar nëse kishin konsumuar lëndë të ndaluara.

Arbër Tivari nuk është emër i panjohur për Policinë e Durrësit, pasi rreth një vit më parë përfundoi në spital me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Ngjarja ndodhi më 22 mars 2021, kur Tivari mbeti i plagosur me armë zjarri pas përplasjes së makinës me një tjetër person. Përveç Tivarit që u arrestua, Policia shpalli në kërkim Ardit Buçpapajn. Në atë kohë, pati dyshime se dy të rinjtë shpërndanin lëndë narkotike në qytetin bregdetar. Policia ushtroi kontrolle në banesën e Tivarit, duke zbuluar armë dhe municione luftarake. Tivari është arrestuar të paktën tre herë nga Policia lokale, ndërsa njihet si person problematik në qytetin bregdetar.