I mituri u dhunua seksualisht dhe u shantazhua me videon për të vjedhur shtëpinë e tezes. Detajet e ngjarjes së rëndë

649
Sigal

 Një 13-vjeçar është përdhunuar nga 3 persona në Tiranë, të cilët përmes shantazhit me videon e realizuar gjatë abuzimit, e kanë detyruar që t’i ndihmonte për vjedhjen e shtëpisë së tezes së tij.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur disa ditë më parë, por në rast se tezja e të miturit nuk do të zbulonte vjedhjen e bizhuterive të çmuara në shtëpi, duket se ngjarja më e rëndë, përdhunimi i të miturit, nuk do të ishte zbuluar.

Denoncimi i saj në Polici dhe dyshimet për një vjedhje pa thyerje, që konsistonte nga persona të brendshëm, ka bërë që djali i mitur të rrëfente gjithçka.

Si rezultat i hetimeve është arritur të identifikohen dhe të arrestohen 2 nga 3 autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë që ndodhi në Tiranë.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se kanë arrestuar dy nga autorët e dyshuar: shtetasit Valter Hysaj, 20 vjeç, dhe Fatmir Haxhiu, 21 vjeç, banues në Kombinat. Ndërsa kanë shpallur në kërkim 45- vjeçarin Bledar Matja, që duket se është edhe ideatori i kësaj historie.

Megjithatë, njoftimin zyrtar Policia e nis me zbardhjen e vjedhjes, ndonëse ajo që kishte ndodhur para saj është shumë herë më e rëndë sesa plaçkitja e një kasaforte me bizhuteri. Bëhet fjalë për tri vepra penale: “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

ABUZIMI SEKSUAL

I mituri me të cilin është abuzuar seksualisht, që pas një muaji mbush 14 vjeç, prej disa ditësh kishte ardhur me pushime në Tiranë dhe qëndronte në shtëpinë e tezes së tij. Prindërit e tij jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa ai kishte ardhur i vetëm në kryeqytet. Dy të rinj që synonin paratë, duke qenë se ishin në dijeni të faktit se tezja e të miturit kishte gjendje të mirë ekonomike, e kanë afruar 13-vjeçarin për disa ditë me radhë.

Burime nga grupi hetimor thanë dje se, duke u instruktuar nga 45- vjeçari që është shpallur në kërkim, ata e kanë ftuar në shtëpi djalin e mitur, duke i propozuar të luanin me videogame. I dëmtuari ka pranuar, pa e ditur se sa të shkelte në atë vend, e priste ferri. Burimet thanë se autorët kanë abuzuar seksualisht me 13- vjeçarin, ndërsa njëri prej tyre ka realizuar videon, e cila më pas është përdorur për t’i vënë gjobë. Për disa ditë me radhë ata i kanë bërë shantazh të miturit, duke i thënë se do ta publikonin videon në rrjetet sociale në rast se nuk u jepte 5 mijë euro.

VJEDHJA

Duke qenë se i mituri nuk kishte mundësi t’u jepte autorëve shumën e parave që i kishin kërkuar, ata e kanë detyruar që t’i ndihmonte për të hyrë në shtëpinë e tezes. I detyruar nga shantazhi dhe presioni i vazhdueshëm psikologjik, 13-vjeçari u ka dhënë çelësin e shtëpisë dhe tre autorët e dyshuar kanë vënë në jetë planin e vjedhjes. Ata janë futur në shtëpinë e tezes së djalit dhe kanë marrë nga aty bizhuteri të çmuara, mes të cilave edhe një unazë diamanti. Vjedhja është konstatuar pas disa orësh nga e zonja e shtëpisë, e cila ka denoncuar ngjarjen në Komisariatin Nr.6, pa qenë në dijeni se një ngjarje edhe më e rëndë i kishte paraprirë plaçkitjes së bizhuterive.

Kur oficerët e Policisë kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë konstatuar se vjedhja ishte kryer pa thyerje, pa forcë dhe pa përdorur asnjë objekt për hapjen me dhunë të derës. Ata kanë kuptuar se hajdutët kishin hyrë në shtëpi duke përdorur çelësin për të hapur derën. Në këtë moment kanë lindur dyshimet për ndonjë bashkëpunëtor të brendshëm dhe i mituri, duke qenë se ishte i vetmi përveç tezes që kishte çelësin e shtëpisë, ka pranuar të tregojë gjithçka. Ai është pyetur në Polici në prezencën e tezes së tij dhe të një psikologu dhe në këtë formë është zbuluar e gjithë ngjarja.

Policia: Zbardhet vjedhja e bizhuterive me vlerë 5 mijë euro

“Zbardhet vjedhja e bizhuterive me vlerë rreth 5000 euro, në banesën e një shtetaseje. Zbardhet dhe dokumentohet mekanizmi dhe metodat e ndjekura për të kryer vjedhjen. Në pranga 2 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim, pasi dyshohet se kanë shantazhuar një të mitur për ta përdorur për të kryer vjedhjen”, kështu e nisi dje njoftimin zyrtar Policia e Tiranës. Ndërsa në fund njoftoi se për të arritur te kjo ngjarje, ishte abuzuar seksualisht me një të mitur.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr.6 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasve: V.H., 20 vjeç, dhe F.H, 21 vjeç, Tiranë, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin B.M., 46 vjeç, të tre banues në Kombinat, Tiranë. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhjen e banesës së një shtetaseje, ku kanë marrë bizhuteri me vlerë rreth 5000 euro. Gjithashtu, nga hetimet e kryera nën drejtimin e Prokurorisë dyshohet se këta shtetas, po në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shantazhuar një të mitur 13- vjeçar se do t’i publikonin një video intime që ia kishin bërë, me qëllim që ta përdornin këtë për të realizuar vjedhjen e banesës. Për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera“, tha zyrtarisht Policia.

AUTORET

1. Valter Hysaj, 20 vjeç, i arrestuar

2. Fatmir Haxhiu, 21 vjeç, i arrestuar

3. Bledar Matja, 45 vjeç, në kërkim

AKUZAT

1. “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”

2. “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”

3. “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”