I dogjën makinën dje, ja kush është biznesmeni 45-vjeçar…

613
Sigal

Biznesmenit të njohur nga Lezha i djegin makinës, rrezikohet dhe biznesi i kampingut. Makina e biznesmenit Arben Fusha nga Lezha është djegur plotësisht në orët e para të së shtunës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe makina e shkrumbuar i përket 45-vjeçarit Fusha, i njohur për disa biznese ku një ndër to është dhe kampingu. Mjeti tip fuoristradë ka qenë i parkuar pranë biznesit dhe shtëpisë se biznesmenit në rrugën drejt Shëngjinit.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga Policia, dallohen dy persona të cilët kanë hyrë brenda ambienteve të rrethuara të biznesit dhe i kanë vënë flakën makinës një “Marcedez Benc ML”. Më pas ata janë larguar nga vendngjarja. Në momentin e ngjarjes brenda biznesit nuk ka pasur asnjë person, ndërsa kanë qenë banorë të zonës të cilët kanë konstatuar faktet dhe kanë njoftuar zjarrfikësit.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të këtyre të fundit, mjeti është shkrumbuar plotësisht, pasi dyshohet se fillimisht është spërkatur me benzinë nga autoret. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë duken dy persona, të cilët e kanë kryer këtë veprim. Nuk dihet nëse ata kanë qenë të maskuar apo jo, por identifikimi i tyre nuk është bërë ende i mundur thotë Policia. Mjeti fuoristradë tip “Mercedez Benz” është djegur plotësisht, ndërsa Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët.

Biznesmeni Fusha mësohet se ndodhet aktualisht në Londër, ku ka udhëtuar prej disa ditësh bashkë me familjen e tij. Pronari i mjetit pas ngjarjes ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd, ndërsa Policia po vijon hetimet për zbulimin e autorëve. Mësohet se janë shoqëruar në Polici disa persona, të cilët po merren në pyetje lidhur me ngjarjen. Biznesmeni, që iu dogj automjeti, është pronar i një kompleksi, kamping dhe pishina, në zonën e Shëngjinit, ndërsa nuk njihet si njeri problematik apo me precedentë të mëparshëm penalë.

Emri i tij është përmendur në media disa muaj më parë kur u ofrua për të dhuruar një shtëpi dykatëshe në Lezhë. Babai i pesë vajzave u shpreh i gatshëm për të ndihmuar 6 motrat jetime nga fshati Surroj i Kukësit, të cilat pasi humbën babain 7 vite më parë, humbën dhe nënën vetëm një vit më parë. Mes personave që u ofruan për ndihmë ishte pikërisht dhe 45-vjeçari nga Lezha.

Por, shtëpia e ofruar prej tij u refuzua për faktin se 6 vajzave iu sigurua një banesë në Tiranë. “Shok dhe miq që ju kam në ‘Facebook’, unë vërtetë me shpirt e thashë dhe e them se për ata engjëj e kisha dhuruar shtëpinë në Lezhë, por më thonë se kujdestaria e vajzave është në Tiranë dhe s’mundet t’i transferojmë në Lezhë”, shkruante Fusha në “Facebook” lidhur me ofrimin e tij për të ndihmuar 6 jetimet nga Kukësi.

PLAGOSJA

Biznesmeni Arben Fusha bën një jetë mes Shqipërisë dhe Anglisë. 45-vjeçari është babai i pesë vajzave dhe jeton në zonën e Shëngjinit, ku edhe ka aktivitetin e tij. Fusha mësohet se ka mbetur i plagosur në vitin 2008. Ngjarja në atë kohë mbeti e pazbardhur nga Policia e Lezhës.