I bllokoi verë e veshje në makinë kanoset inspektori i ‘Crown Agents’

560
Sigal

TIRANE – Sqarohet kallëzimi i bërë para 4 ditësh në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga inspektori i “Crown Agents”, kompani që po asiston doganat shqiptare. Sipas burimeve policore, shtetasi britanik me iniciale “K.D. 52 vjeç, ka denoncuar një telefonatë që i është bërë nga një numër britanik për shkak të bllokimit të disa sendeve personale në automjetin e një emigranti. Telefonuesi, sipas policisë, pretendonte se bllokimi i disa shisheve verë dhe veshjeve që gjendesin në makinën e tij, ishte një masë e tepruar. Pas kësaj telefonate, inspektori i “Crown Agents”, ka bërë një kallëzim në drejtorinë e policisë së Tiranës duke pretenduar se iu kanos jeta.  Policia ka kontaktuar ne numrin nga është bërë kërcënimi. Personi ka pranuar se ka pasur telefonatë me shtetasin britanik, por ka deklaruar se ka qenë një keqkuptim i kësaj telefonate pasi po i kërkonte dhe jepte shpjegime. Telefonuesi ka deklaruar se nuk e ka kërcënuar shtetasin britanik.