I bllokohet skafi dhe gjobitet 28-vjeçari në Ksamil, policia e pikasi duke lundruar në zonë të kufizuar për mjetet ujore

72
Sigal

Një 28-vjeçari në Ksamil i është bllokuar skafi, si dhe është gjobitur me 100.000 mijë lekë të rinj, pasi është konstatuar nga policia duke lundruar në një zonë të kufizuar për mjetet ujore.

Policia bën me dije se pronari i skafit ka rezultuar se nuk dispononte as dokumentacionin përkatës, në bordin e mjetit, duke u gjobitur edhe me 10.000 mijë lekë të rinj.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve, përgjatë vijës bregdetare të Sarandës, në kuadër të masave të marra për sezonin turistik, kanë konstatuar në plazhin e Ksamilit, një mjet lundrues tip skaf duke ushtruar aktivitetin e tij brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese dhe menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij, në Portin e Sarandës, për verifikime të mëtejshme.

Në bazë të ligjit nr.43, të vitit 2020, drejtuesi i mjetit lundrues tip skaf, shtetasi K. M., 28 vjeç, banues në Ksamil, u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 24/1/c, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues dhe u ndëshkua me masën tjetër administrative 10.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 14/1/b, pasi gjatë kontrollit rezultoi pa dokumentacionin përkatës, në bord”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.