Hyri në administratë me një apartament 47 metër katror dhe doli me disa shtëpi të tjera! Si ndryshoi pasuria e Alda Klosit në 6 vite

109
Sigal

Pas arrestimit të pastrueses Rozeta Dobi dhe djalit të saj, u publikua deklaratat e pasurisë së Alda Klosit që nga dita ku ajo ishte emëruar në administratën e lartë shtetërore në 2016, si drejtore në ministrinë e Financave.

Pas vjedhjes se banesës së saj nga pastruesja, ku ajo pretendoi se i ka marrë 120 mijë euro si dhe bizhuteri, Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin për pasurinë e Klosit, ish-shefes së kabinetit të ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Mes pasurive të saj rezultojnë 5 apartamente, mes të cilëve 3 në Tiranë dhe dy ne bregdetin e Lezhës, ku për këto të fundit deklaron në kartelat e saj se i ka të dhuruara, raporton Panorama.

Gjithashtu, sipas deklarimeve që ka kryer, bëhet me dije se Klosi ka edhe dy prona të tjera, troje në Tiranë.

Për këtë arsye prokuroria nisi edhe dërgimin e shkresave pranë institucioneve bankare si dhe të deklarimit të pasurisë, duke qenë se përfaqësonte subjekt deklarues.

Ajo që mbetet në pikëpyetje është fakti se cila ka qenë arsyeja që Klosi jetonte në apartament me qira në “Rrugën e Kosovarëve”, pavarësisht se rezulton pronare apo bashkëpronare në 4 të tillë.

Më 4 shkurt, pak orë pas arrestimit të saj, policia tha se Alda Klosi është e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

DEKLARIMET

Duke iu referuar të dhënave të deklaruara nga vetë zyrtarja e lartë, verifikohet se për vitin 2016 Alda Klosi, ka deklaruar blerjen e një apartamenti 47 metra në Tiranë, ku pronare është Klosi së bashku me ish-bashkëshortin e saj, Altin Klosi.

Vlera e blerjes së apartamentit në vitin 2016 është 25 milion lekë të vjetra. Kjo shumë financiare sipas Alda Klosit, ka rrjedhur nga një kontratë shitje të një apartamenti me sipërfaqe 110 metra katror, i cili ishte në pronësi të prindërve të Altin Klosit.

Kontrata e shitjes se këtij objekti daton në 2 shkurt 2012. Gjithashtu, Klosi për vitin 2016 ka deklaruar dhe një automjet tip ‘Toyota Yaris’ me vlerë prej 1 milion e 800 mijë lekë të vjetra e prodhimit 2004.

Ndër të tjera, në vitin 2016, Klosi ka deklaruar një pagë mujore prej 1 milion e 841 mijë lekë të vjetra, si Drejtoreshë pranë Ministrisë së Financave.

Njëherësh dhe një llogari bankare me vlerë 250 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu, Klosi tregon të ardhura neto me vlerë prej 1 milion e 400 mijë lekë të vjetra si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës i Shoqërisë së Parë Financiare e zhvillimit FAF, për vitin 2016.

Mes pasurive të deklaruara nga Alda Klosi është një llogari rrjedhëse bankare, për pagën si pjesë e Bordit të Çështjeve të Mira dhe Lotaria Kombëtare.

Gjithashtu, deklaron një kartë krediti prej 1 milion lekë të vjetra.

Ndërsa bashkëshorti i saj, Altin Klosi, deklaron në vitin 2016 një truall prej 100 metër katror që e disponon qysh prej vitit 2009 në fshatin Lalm të Tiranës, mbi të cilin është një ndërtim prej 90 metra katror. Vlera e këtij trualli plus banese deklarohet 90 milionë lekë të vjetra. Kjo pasuri është krijuar nga emigracioni në Greqi.

PASURI DHE DETYRIME TË TJERA

Sipas të dhënave bëhet me dije se në deklaratën e pasurisë për vitin 2017 të Alda Klosit tregon se në tetorin e vitit 2017 ka blerë një apartament prej 72 metra katror në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Burimin financiar për krijimin e këtij apartamenti si pasuri mes çiftit Klosi, tregohet se është një kredi prej 31375 euro, që mbaron së likuiduari në 1 nëntor 2024.

Por kjo kredi dyshohet se është shlyer krejtësisht brenda një viti pasi akti i fitimit të pronësisë së këtij apartamenti nga çifti Klosi mban datën 12 dhjetor 2017.

Një garanci financiare prej 10 mijë euro të një ambienti të dhënë me qira si dhe njëherësh edhe një borxh prej 9.5 milion lekë të vjetra, që duhet ta kthenin deri në datën 30 tetor 2020.

Nga ana tjetër një apartament prej 47 metra katror në Tiranë në emër të Aldo Klosit dhe Altin Klosit, është bllokuar nga “Fondi Besa” dhe “Credins Bank”.

Po ashtu mësohet se dhe një pasuri tjetër, apartament prej 50 metrash në Tiranë në emër të Alda Klosit, vëllait të saj Leonard Cikos dhe Vangjeli Cikos, është vendosur sekuestro prenventive nga përmbarimi EPSA.

Mes pasurive të deklaruara janë dhe të ardhurat 30 mijë lekë në muaj, nga qiraja e një ambienti.

Pavarësisht kredive të marra dhe borxheve të deklaruara, Alda dhe Altin Klosi dalin pronarë në 2021 me kontrata dhurimi të dy apartamenteve në plazhin e Shëngjinit të Lezhës.

Gjithashtu, dy troje prej 216 dhe 160 metra katror të familjes Ciko, ku pronare është dhe Alda Klosi, që i është dhënë për ndërtim kompanisë “2B Construction Grup”, që administrohet nga Uljan dhe Dorina Kala.