Hyqmet Zane: Zaptimi i shesheve dhe turizmi i munguar në Elbasan

509
Sigal

Elbasani është një nga qytetet ku bukuria e tij është kënduar nga poetët e tij si ajo e Filip Papajanit (Lipi) kur shkruante

Elbasani asht qyteti

Begatia e Shqipnisë,

Mbi qytetet qytet mbreti

Vend, fole e ditunisë.

Ar, ergjënd ku lumi derdhet:

Sa blerojnë an’ e mb’anë!

N’gjethe, n’lule mbushen gjerdhet:

Begati kudo përmban’.”

Vërtet kështu ka qenë Elbasani rreth 100 e ca vjet më parë dhe kjo është meritë e qytetarisë së tij që brenda dhe jashtë kalasë, bënë qytetin që të meritonte cilësime të tilla, jo vetëm nga vendasit si poezia e Doktor Filipit apo vargjet e këngëve të Usta Isufit, por edhe nga të huajt si austriakët, ku në muzeun e Vjenës janë me dhjetëra e dhjetëra foto që e sjellin Elbasanin në kohën e dikurshme dhe që kishe qejf ta shikoje. Për këtë ky qytet u bë i preferuar dhe me emër edhe në Evropë. Por nëse do të merrte mesazhe Lipi në atë botë, se si është katandisur Elbasani, nëse do të shikosh monumentin e Usta Myzyrit do i vinte vërtet keq, ashtu si edhe shumë e shumë elbasanllinjve që e duan qytetin e tyre me fanatizëm dhe që nuk e ndërrojnë atë me asnjë qytet tjetër. Keqardhje ndjej edhe unë që kam ardhur këtu, meqë e njoh herët këtë qytet dhe e kam tatuar pulsin me mirësinë e këtij qyteti. Ndaj dhe më vjen keq se si hapësirat e tij publike janë të zaptuara, jo për llogari të mirësisë qytetare, por për llogari të privatëve që në një formë a në një tjetër kanë bërë atë që i vjen keq gjithkujt, sidomos për prishjen e gjelbërimit, sidomos tek parku “Rinia” siç njihet. Betonizimi në rreth 50 për qind dhe prishja e gjelbërimit të mirënjohur të këtij parku, kanë çuditur qytetarinë, po aq sa është kudo shprehet keqardhje, sepse gjithçka ka mbetur enigmë, se çfarë do bëhet këtu?

Çfarë ka ndodhur? Pse kjo ndjesi tahmaje për të zënë terrenet publike me leje dhe pa leje? Pangopshmëria për të bërë karshillëk qytetarisë nga disa individë me mbështetje pushteti, e ka bërë Elbasanin dhe elbasanasit të ndihen të shpërfillur. Çfarë zhvillimi i ka sjellë qytetit një realitet i tillë? Elbasani i dikurshëm me bukuri natyrale nuk ekziston dhe përveç rrugëve të shtruara e të sistemuara, asgjë tjetër nuk meriton respekt. Kjo gjendje ka të sinkronizuar tendencën e pushtetit për të menduar e për të bërë të “mira” individëve me tendencën për të dëmtuar atë quhet mirësi e pasuri e përbashkët qytetare për një qytet që ka humbur identitetin. Cili pushtet apo qeverisje do të pranonte një shpërfytyrim të tillë të një qyteti ku siç thuhet këndonin kumritë, lulëzonin trëndafilat, i këndohej bukurisë, të natyrës dhe të njerëzve?

  • Nëse nga lashtësia na ka mbetur emri Skampini dhe rruga Egnatia:
  • Nëse nga shek. XV u vu dorë nga Perandoria Osmane që e ringriti këtë qytet;
  • Nëse kronikani Mevlah Çelebiu ia këndoi bukuritë;
  • Nëse udhëtarë turistë të huaj ia pëlqyen mirësitë;
  • Nëse anglezja Hazlluk, e mirënjohur jetoi në këtë qytet e ishte e kënaqur edhe për personalitet që gjeneronin në këtë Elbasan, a nuk do të ishte ky një turizëm kulturor i niveleve evropiane;
  • Nëse nga ana strategjike ky qytet do të konceptohej si vlerë turistike, aq më tepër që rreth e rrotull tij ka krahina të dëgjuara për bukuri dhe histori dhe që përbëjnë bazën e turizmit kulturor:

ATËHERË duhet vënë dorë e ndryshuar qëndrimi ndaj tij dhe mënyra e punës për t’i kthyer qytetit vlerat e dikurshme dhe çuar ato më tej.

Elbasan Albania around the city – tourism

Vizita disa ditore në një qytet Italian si Firence, më la një përshtypje të veçantë, ekskluzivisht për shfrytëzimin e kontrolluar të territoreve publike në shërbim të turizmit kulturor dhe pastërtinë e mjedisit. Rrugë të shtruara me gurë në mënyrë të papërsëritshme dhe shumëshekullore, trotuare të rregulluar me një finesë tipike për një qytet, ndërtesa që me vjetërsinë e tyre të sjellin kujtimet etj. Menjëherë të bie në sy pastërtia, asnjë letër e hedhur përtokë, turistë që lëvizin të orientuar nga ciceronët dhe mundësia e një hapësire të shfrytëzueshme në funksion të këtij qyteti që mbahet me thithjen e turistëve nga e gjithë bota.

Dhe gjithnjë i krahasoj këto realitete me Elbasanin, qytetin ku jetoj dhe punoj se sa ngjashmëri kanë mes tyre. Kur jam në Firence më shkon në mendje ideja dhe kam bindjen e plotë se nuk është qyteti që i bën njerëzit me cilësime të dukshme, por janë njerëzit që bëjnë qytetin, janë vlerat e trashëgueshme të figurave historike dhe ngjarjeve që i kanë dhënë Firences madhështinë e qytetit që vizitohet me shumë dëshirë dhe ku fiorentinët janë krenarë për atë që kanë bërë të parët e tyre dhe për resurset që u kanë lënë për shfrytëzim.

Krahasimisht mund të mos shkojë paralelizmi mes Elbasanit dhe Firences për shumë arsye, objektive dhe subjektive, por mbushja pa kriter dhe pa logjikë e qytetit me kaq shumë lokale kafeteri, me kaq shumë njerëz që dinë vetëm të rrinë ulur, veçanërisht të rinj dhe të reja që me orë të tëra shtyjnë ditën dhe mbeten peng të facebook-ut dhe postulatit “kafe dhe llafe”, njëherazi bëhen tregues të një realiteti të pazakontë. Elbasani një bukuri e pa vlerësuar, a mund të mendojmë se ka vend për ndryshime, a do të ndjehej mirë një ministër apo kryeministër, nëse do të kalonte njëherë në këmbë nga Stadiumi deri tek Zaranika kur të shikonte këtë realitet, ku zaptimi i territoreve me leje apo pa leje, është kthyer sundim i trojeve publike që kanë humbur identitetin e qytetit të bukurisë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe katet e para të pallateve në rrugët dytësore që lidhin hapësirat e lagjeve, janë kthyer në lokale njeri pas tjetrit, duke zaptuar sheshet publike para tyre. Edhe pse duhet që ato sheshe janë prone e gjithë qytetarëve që banojnë në ato pallate, si pa të keq ato janë përvetësuar edhe me tendencën që mund të legalizohen me marifetet e atyre që dinë të bëjnë “ndere” më para dhe që kthehen më pas në një problem i madh për komunitetin. Ndoshta ka ardhur koha për atë “revolucionin” e domosdoshëm për të civilizuar qytetarinë si model evropian apo amerikan ku këto fenomene nuk ekzistojnë dhe nuk ka burrë nëne që të marrë kurajë të tillë si në Elbasan e në Shqipëri.