Sigal

Ndarja nga jeta e një njeriu, është një gjë që i ndodh gjithkujt sot e mot, por lindja e një njeriu që bëhet personazh dhe personalitet në jetën e tij, ai meriton vëmendje dhe respekt, nderim sa është gjallë, po dhe pas ndarjes nga jeta. Sipas teologjisë, njeriut në atë botën tjetër i bëhet gjykimi dhe i ruhet emri në panteonin e vlerave. Këto fjalë do t’i shkonin për shtat edhe “Heroit të Popullit”. Ali Demi. E them kështu, jo se është patrioti im dhe jam krenar për të, por edhe sepse në jetë janë vënë në peshoren e së vërtetës gjithçka. Me këtë ndjesi përjetoj edhe lindjen e këtij Heroi nga Filati i Çamërisë që lindi si biri i dashur i nënë Nazos dhe i baba Ahmetit, po edhe si vëllai i Vehbiut dhe i motrave Ildize dhe Nekie, i një fisi të dëgjuar dhe të respektuar në Çamëri. Ai lindi edhe si një dëshmitar i të vërtetave që na kanë shoqëruar padrejtësisht si komunitet çam andej dhe këndej kufirit. Ai lindi edhe si krenari kombëtare dhe si i vetmi Hero i Popullit që ka Çamëria që për fatin e keq nuk ka një vend në panteonin e nderit të Nënës Shqipëri. Shpirti i protestës që ka pasur Ali Demi për nderin e kombit, ishte mesazhi i një biri të Çamërisë që asnjëherë nuk e humbi ndjesinë e tij në shërbim të lirisë dhe popullit të tij. Burgosja e Ali Demit nga fashistët ishte një gjë e padurueshme nga ai dhe gjeti të gjitha mundësitë që të arratisej, të hapte një tunel dhe t’i shpëtonte ferrit të burgut të një pushtuesi fashist. Kur u bënë demonstratat kundër pushtimit fashist në ditët e para të prillit 1939, Qemal Stafa që ishte në burg, i dërgon një letër ku i shkruante: “Unë jam me ju…”, çka tregon se Aliu ishte një lider në lëvizjen e studentëve kundër fashizmit. Janë këto të dhëna nga shkrimet e historianit Kristo Frasherit.

Dhe liria erdhi, i pari vlerësim për të rënët që bëri qeveria e pasluftës, me titullin e lartë “Hero Kombëtar” (sot “Heroi i Popullit”) iu dha këtij biri të Çamërisë. Edhe diktatura e nderoi, edhe pse me një peng në zemrat e motrave të tij, që varri i tij të ishte në Tiranë, atje ku ishte edhe bashkëpunëtori i tij, Qemal Stafa. Erdhi edhe demokracia dhe eshtrat e Aliut mbetën në Vlorë në varrezat publike dhe më pas në varrezat e dëshmorëve të Vlorës, ku janë edhe sot.

Erdhi edhe viti 2018, kur ai kishte 100-vjetorin e ditëlindjes, më 18 janar dhe askush nuk foli edhe pse një program aktivitetesh ishin në dispozicion të tij. Erdhi edhe 18 janari 2019, 101 vjet nga ditëlindja e tij dhe Ali Demi rri në heshtjen e tij, është krenar për veprën e tij, por që siç duket nuk ia kishte marrë mendja se jo grekët, por në Shqipëri nuk do të kujtohej kush për të që t’i kujtonte aktivitetin dhe veprën që la pas. Në atë botën tjetër gjithnjë bëhen gjykime dhe jepet llogari para Zotit të gjithësisë, por edhe shprehen të vërtetat. Në një “protestë” siç ka ditur të bëjë Ali Demi edhe në kushtet e burgosjes të bërë në formën e një “letre” që ai i dërgonte një mikut të tij të armëve në luftën për idealet e një kauze të madhe për lirinë e atdheut dhe çlirimin e vendit, i “shprehej” siç shkruhen letrat në botën tjetër. Nuk ka letër e penë e bojë, por është një protestë e shkruar me shpirt dhe lexohen shpirtërisht. Ishte një “letër-protestë”e dhimbshme dhe tronditëse që të le pa fjalë.

Ndër të tjera Aliu në atë “letër-protestën” e tij, shprehej me fjalët e indinjatës së thellë që kishte : – “Nuk di se çfarë faji kam bërë që më kanë harruar bashkëluftëtarët e mi të Komitetit të Veteranëve, që, as kujtohen ndonjëherë të më zënë emrin në gojë, por m’i kanë lënë eshtrat në varrezat e Vlorës, a thua se nuk kishte vend në varrezat e dëshmorëve të kombit, aty pranë Qemalit, se ai më njihte mirë mua dhe e dinte kush isha dhe çfarë kam bërë. Kam qenë i pari “Hero Kombëtar” që më dha dekoratën pushteti i kohës. Siç duket është bërë shkak origjina ime nga Çamëria, se kam marrë vesh që grekët janë ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe mua që jam antifashisti i deklaruar dhe që kam emrin të shkruar gjithandej, nuk duan ta dëgjojnë.

Por po bëj çudi se edhe vëllezërit e mi çamë, nuk di se kujt i kam rënë në qafë që sot më ka lënë në harresë, nuk di kush e kishte këtë mundësi dhe nuk deshi apo nuk e dinte ta bënte nderimin? Nuk e di, por me siguri di që, para Zotit që më krijoi jam borxhli se nuk dita të ruhesha që të kisha fatin të shikoja dritën e lirisë?! Nuk i jam borxhli askujt tjetër, por veç para nënës sime që i dhëmbi shumë ikja ime në këtë botë. Mora vesh se nëna ime Nazua më qau me lot pa ma parë trupin, se m’u bë shoshë më plumba dhe pa m’i krehur flokët kur të shkoja në këtë botën ku jam në të vërtetë. Mua veçse më kanë borxh se më duket më vranë për t’më zënë vendin, se kur u bë gjyqi këtu, kështu u tha. Nuk i njihja gjyqtarët, por ata ishin të drejtë dhe më thanë se më duket se më vranë për të harruar si shumë e shumë dëshmorë të tjerë të Çamërisë, por edhe si shumë viktima të popullatës çame që u masakruan dhe sot nuk ka qeveri shqiptare që të kërkojë të drejtat e tyre, nuk ka kryetar Shoqate apo i ndonjë partie politike që të thotë një fjalë të vetme se unë e dhashë gjakun për ta dhe ata më harruan. Nuk i bëra dëm askujt veç nënës tim dhe babait tim, I bëra dëm motrave dhe vëllait tim që nuk do më shihnin më. Por askujt tjetër. Unë lashë një emër që ata të nderoheshin dhe jo të turpëroheshin, lashë veprën time heroike dhe emrin tim e kanë shkruar në një cep rruge, pa u kujtuar kush e pa thënë kush se cili jam, nga isha dhe çfarë bëra për vendin tim. Edhe veteranët e Luftës më kanë harruar, se duket i kanë zënë mat “dëshmorët” e rinj të kauzave të diktaturës. Nuk e di, por këtë nuk e meritoja dhe nuk e kisha besuar se mund të ndodhte kështu që, as kur kam ditëlindjen e as kur kam datën që jam vrarë, askush nuk kujtohet të thotë një fjalë të vetme”.

Kjo “letër-protestë” që po oshtin në hapësirën e një vendi dhe një kohe do të duhej të dëgjohej nga ata që pretendojnë se kanë më shumë merita për këtë vend, se që nga presidenti dhe kryeministri, tek një kryetar partie apo shoqate që emir i Ali Demit të mos ishte thjesht i shkruar në një vend, apo në një shkollë, apo rrugë, por të nderohej dhe kujtohej si një vlerë që na dëshmon, se bijtë e Çamërisë luftuan armiqtë e kombit në Luftën Antifashiste dhe sot akuzohen si bashkëpunëtorë me pushtuesit, sepse kështu do greku dhe grekofilët.