Hyqmet Zane: Metamorfoza e një shoqërie që pret progres dhe merr regres

331
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kur Franc Kafka shkroi “Metamorfozën” e tij, ai libër u ndalua në Shqipëri, megjithëse fenomenet e asaj metamorfoze po e kaplonin shoqërinë shqiptare të kohës dhe po e shndërronin në një shoqëri pa bosht, që formën ia jepte sistemi. Pati nga ata që e lexuan dhe e kuptuan mesazhin e rëndësishëm. Në kësi rastesh duhen ca mendje që vërtet bëjnë ndryshime të mëdha, që gjithnjë shkojnë nga regresi në progres. Ata cilësohen “burra shteti” që lënë pas vetes historinë e ndryshimeve në kohë dhe në hapësirë. Atyre edhe iu referohemi në shoqërinë tonë shqiptare.

Bisedat intelektuale nuk kanë të ndalur në këtë vendin tonë, kudo, në kafene, në shtëpi, në rrugë e ku mund të jenë mbi dy shqiptarë, ata debatojnë për sojin e jetës dhe qeverisje, po aq sa edhe bisedat mes partive për interesat e tyre në shërbim të qëllimeve që kanë. Thuhet se për të arritur një shoqëri të konsoliduar, duhet edhe një elitë e konsoliduar që të shpëtojë apo të orientojë metamorfozën e një shoqërie. Dalin shumë e shumë individë që gjykojnë me ftohtësi dhe me realizëm, por nuk dëgjohen në ambiente partie, porse në organizime intelektuale, ata janë ekselentët e shoqërisë. Jam dakord, por kur përballë ke një njeri që në tërësinë e tij pretendon se di gjithëçka dhe bën gjithëçka, por që nga progresi e çon vendin në regres, atëherë me plot gojën do të duhet të themi se jemi ose jetojnë në një vend ku shoqëria hesht para individit kryeministër apo kushdo qoftë ai, se ai i di të gjitha.

Dihet me siguri se Enver Hoxha si eklektik, që ishte pretendonte dhe bënte sikur i dinte të gjitha. Kush kishte kundërshtime apo nuk sinkronizohej me diktatorin, i “pritej” koka. Për fat cikli i metamorfozës ka pikun e vet të zhvillimit, tanimë nga Edi Rama. Ai di gjithëçka, ai flet “bukur”, artikulon “mirë”, është imponues dhe harbut, nuk pyet për njeri dhe drejton me dorë të “hekurt”. Ai edhe Europës i kundërvihet, edhe për Trump ai kishte mëndje të thoshte kritika, ai edhe Kinës po t’i futet i tregon vendin, Rusisë po e po. Po për çfarë, lind pyetja, për të bërë më të keqen e mundshme apo për një të ashtuquajturi “rilindje” që përfundoi në një atrofizim social, ekonomik, politik. po aq sa edhe arsimor e shëndetësor, pa folur për të keqen që është bërë kavalet plehu dhe sapo ta hapësh pak, plas era e keqe. Kjo ndodhi se ai kishte dhe ka mendimin se është i vetmi piktor – kryeministër dhe i vetmi kryeministër – piktor !! ??

Retospektivë e detyruar

Kur shqiptarët ishin nën Perandorinë Osmane, dolën 39 Vezirë (kryeministra), pa folur për të tjera. Por asnjeri prej tyre nuk bëri asgjë për Shqipërinë që të mendonte se një ditë edhe Perandoria do kishte metamorfozën e vet dhe siç ndodhi iku dhe pas la zbrazëtirën e mungesës së ideve apo strategjive për të ardhmen. Fqinjët tanë të ardhur në këto vende, grekët dhe serbët në atë prag metamorfoze të perandorisë bënë platformat e tyre të ekspansionit, ashtu siҫ edhe kanë ardhur në këto troje ballkanike.

E njohura Megali Idea (Ideja e madhe), platformë politike e qarqeve shoviniste greke e shpallur nga kryeministri Koletti në Ansamblenë Kombëtare të Greqisë në vitin 1844 si themel të ekzistencës politike të saj për zgjerimin e teritoreve me tokat e fqinjëve me synim deri në lumin Shkumbin, vazhdon edhe sot e kësaj dite si teori dhe praktikë që e njeh dhe e kupton edhe Europa dhe hesht. E njejta platformë e ngjashme me të është Naçertania (Projekti) serbe që mbeti në fuqi nga viti 1844 deri sot me pretendimet që përpiqen të realizojnë si në kohën e kryeministrit Garashanin. Edhe këtë Europa e di, e njeh dhe ia di ligësinë.

Përballë tyre qëndrojmë ne, shqiptarët si një komb autokton që ajo elita intelektuale shqiptare çfarë bëri, cili ishte projekti ynë ? U bë dhe Lidhja e Prizrenit dhe nuk pati atë ndikim që do të duhej të kishte, edhe pse filozofi Sami Frashëri e ideoi të ardhmen në veprën e tij “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Realisht u bënë ca gjëra, por jo ajo që pritej. Erdhi edhe Pavarësia dhe mbetëm në qiell të hapur dhe metamorfoza e Shqipërisë ishte copëtimi deri në këtë Shqipëri që kemi dhe me troje të coptuara dhe me pasoja që solli një shtet të rrethuar nga vetvetja, e pa parë në asnjë vend tjetër të botës. Metamorfoza e këtij kombi u vu në rrezik, sepse ishim në projektin e zhdukjes, por që pati aleatë si Presidenti Amerikan i kohës Ëillson, që i tha ndal kësaj drame të zhdukjes së një kombi me coptime pa fund. Pati edhe partnerë të tjerë si austrikakët, por që nuk mundën ta ndalnin lakminë e lobingut greko-serb në kancelaritë e Europës.

Mbretëria i dha një hov shndërrimeve dhe konsolidimit të shtetit, sa ambasadori amerikan i kohës i dërgonte fonogram Departamentit të Shtetit se “Mbretëria hodhi bazat e shtetit të parë modern shqiptar”. Do të mjaftonte kjo që Mbretëria e Ahmet Zogut të fitonte vlerë edhe pse kongresi i 24 majit 1944 i komunistëve në Përmet i bllokuan kredencialet, sepse do të duhej që një kopje e keqe e Mbretit do të sundonte 45 vjet Shqipërinë dhe shqiptarët me një metamorfozë shumë të padëshiruar  dhe që mbolli ligësinë në çdo qelizë të jetës. Mit’hat Frashëri do ta përkufizonte kështu atë që pritej të vinte pas 28 nëntorit 1944, por që nuk  e besuan dhe shqiptarët përqafuan frymën leniniste dhe atë staliniste. Ai thoshte “Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenëve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut”.

Dhe metamorfoza e asaj teorie dhe praktike i dha frytet e veta që la pas edhe një organ si sigurimi i shtetit që me elementët e tij në hije vepron me organizatat bazë të partisë që ushqejnë kryeministrin dhe këtë palo rilindje si teori e praktikë e vazhdimësisë së Enver Hoxhës. Aq e vërtetë është kjo sa modeli i sotëm i kryeministrit i ngjan një kavaleti plehu që kur hapet qelb dynjanë dhe që mbetet një plehurishtë e gjithë qeverisja e tij që ka dhënë një imazh metamorfoze edhe më të keqe se mund te mendohej.  Metamorfoza e një shoqërie pret gjithënjë me shpresë e besë progres dhe nuk ia merr mendja se regresi do të jetë pjesë e kësaj shoqërie, që hesht dhe bën sikur është e kënaqur, sepse vetë kryeministri me dorën e tij të vetmen punë që di të bëjë nuk janë pikturat se ato nuk i njeh dhe nuk i ka parë njeri në Shqipëri dhe askush nuk e ka një të tillë në shtëpi, por është ajo puna që prezantoi tanimë në Vlorë të mbledhë plehrat për kronikat televizive, në një kohë që plehrat po qelbin dynjanë në këtë vendin tonë.

Epilog
Në rrëfimin e shkrimtarit Visar Zhiti tek “Ferri i çarë”, ai sjell një të vërtetë të madhe të asaj metamorfoze që ka ndodhur dhe do të ndodhë. Mjeshtëria e shkrimtarit shkruan “Plaku Ziso Vangjeli gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Si historian dhe ushtarak punoi në Paris, pastaj në një klub kulturor dhe ju dha të kthehej. Sëmundja e dashurisë për atdhe. Sipas bisedimeve paraprake do të punonte si pedagog. Ja fali shtetit gjithë bibliotekën e tij, por përfundon në burg. – Kur të bjerë “komunizma”, – thosh – se do të bjerë “patjetër”, ne do të vuajmë më pas me dekada prej hibridit. Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit. Bijtë e të kuqve do të vijojnë etërit. Ajo përzierje zelli dhe inati, herë i fshehtë e herë i hapur për etërit e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë dhe më të liq. Nga kundërshtarët e tyre që i urrejnë për vdekje, do të vjedhin idetë, projektet dhe deri dhe sloganet e do t’i propagandojnë më mizorisht për t’i vënë ata në jetë, gjoja si amanete …”.
Nuk ka nevojë për komente për këtë epilog kuptimplotë për metamorfozën e shoqërisë shqiptare.