Hynë në fuqi VKM-ja për prishjen e Teatrit Kombëtar

748
Sigal

Botohet në fletoren zyrtare vendimi për krijimin e komisionit negociues të kontratës për shembjen e Teatrit Kombëtar

Qeveria e bindur për të prishur teatrin, hyn në fuqi vendimi i mbajtur i fshehtë

Dy muaj pas miratimit në qeveri është publikuar ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare vendimi që autorizon ngritjen e një komisioni që do të vlerësojë negocimin e kontratës me palën private që do të ketë në objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar. E kthyer në një nga çështjet më të debatuara që prej fillimit të vitit të shkuar dhe kundërshtuar fort nga shoqëria civile, projekti synon që të ngrejë nga e para një projekt të ri duke shembur Teatrin Kombëtar. Vlen për t’u theksuar se ky vendim i botuar në fletoren zyrtare nuk ishte bërë publik nga qeveria, pasi në listën e VKM-ve të publikuara në datën 4 prill ky vendim nuk gjendet.

Çfarë përmban vendimi i miratuar i qeverisë

Së pari, nënvizon se qëllim i tij është krijimi i komisionit për realizimin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.

Së dyti, përcaktimin e kritereve kualifikuese e vlerësuese dhe dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e palës private që do të marrë përsipër realizimin e projektit të zhvillimit të zonës dhe të godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Kjo do të thotë se qeveria nuk është tërhequr nga projekti i Teatrit, por vetëm ka reflektuar kërkesën e bërë nga Bashkimi Evropian që procedura të ishte me një garë transparente, duke qenë se më herët një projektligj i ngjashëm sanksiononte se operatori privat ishte Fusha sh.p.k. Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në fillim të këtij viti 2018 kur artistëve ju prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar por që pas tij do të ishin edhe të paktën katër kulla. Kjo do të sillte përplasje të ashpër madje edhe artistët do të ndaheshin në dy kampe ndërkohë që varianti i kullave përfundoi në shtatë. Përmasat publike që mori shqetësimi lidhur me Teatrin Kombëtar bënë që Kryeministri Edi Rama të deklaronte se nuk do të kishte kulla por edhe nëse do të kishte kjo nuk ishte diçka e keqe. Projekti më i diskutuar ende nuk ka marrë fazën finale ndërkohë që do të jetë kontrata ajo që do të zbardhë mënyrën sesi është konceptuar gjithçka.