Hyn në fuqi vendimi për krijimin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara për prokurime mallrash e shërbimesh për kryeministrinë dhe ministritë

44
Sigal

Nga blerjet e automjeteve, karburantit, shërbimit të lavanderisë, sigurimi i jetës, shëndetit dhe deri te për rikonstruksion objektesh procedurat e prokurimet për llogari të këshillit të ministrave dhe minsitriev do të kryhen nëpërmjet “Operatorit të Blerjeve të Përqendruara”.

Në Fletoren Zyrtare u botua vendimi “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Përqendruara” sha, për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë”.

Vendimi përcakton krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100% shtetëror, me emërtimin Operatori i Blerjeve të Përqendruara (në vijim “OBP”), për ofrimin e shërbimeve të prokurimeve për autoritetet/entet kontraktore, në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.

Shoqëria aksionare, sipas përcaktimeve në pikën 1 të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për ekonominë.

Sipas vendimit kapitali fillestar i regjistruar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20,000,000 lekë dhe përballohet nga fondi rezervë i buxhetit tё shtetit. Ministria përgjegjëse për ekonominë transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ministria përgjegjëse për ekonominë ndjek procedurat e nevojshme ligjore, për: a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare; OBP sh.a. është organ qendror blerës, misioni i të cilit konsiston në kryerjen e procedurave të përqendruara të prokurimit për mallra, punë, shërbime, të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës.

Organet drejtuese të shoqërisë aksionare OBP sh.a., sipas parashikimeve të ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, janë: Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Drejtori. Detyrat dhe pёrgjegjёsitё e Asamblesë sё Përgjithshme dhe Këshillit Mbikëqyrës rregullohen dhe funksionojnë, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe statutit të OBP sh.a.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, do të zhvillojë procedurat në fushën e prokurimit të mallrave, shërbimeve dhe punëve, si: a) blerje automjetesh; b) blerje karburanti, me përjashtim të vajgurit Jet A1 dhe karburantit që prokurohet për përdorim nga fermerët; c) blerje materialesh kancelarie; ç) blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim; d) blerje materialesh të ndryshme për pastrim; dh) blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre; e) blerje këpucësh; ë) blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike; f) blerje tonerash; g) shërbime në fushën e sigurimeve, si: i. sigurim i automjeteve; ii. sigurim i mjeteve lundruese; iii. sigurim i mjeteve ajrore; iv. sigurim jete dhe shëndeti; v. sigurim i godinave publike; gj) shërbim gatimi dhe shpërndarjeje ushqimi; h) shërbim pastrimi; i) shërbim lavanderie; j) shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje të ndërtesave publike; k) riparim dhe mirëmbajtje automjetesh; l) botime, printime dhe materiale shtypshkrimi; ll) blerje materialesh të buta dhe veshmbathjesh; m) riparim e mirëmbajtje sistemesh të ngrohjeftohjeve; n) blerje pajisjesh laboratorike, si dhe mjetesh didaktike, të lidhura me proceset e tyre të punës, me përjashtim të atyre mjekësore; nj) shërbime dezinfektimi, deratizimi dhe dezinsektimi; o) blerje artikujsh ushqimorë; p) blerje pajisjesh kondicionimi; q) shërbim gjelbërimi; r) rikonstruksion objektesh./ MONITOR