Hungaria vlerëson Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu mikun e Janos Hunyadi

181
Sigal

Në një ceremoni të organizuar nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Pécs, z. Avni Hafuzi, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest dhe Bashkia e Egerit përkujtoi 555-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu!

Ceremonia u zhvillua në qytetin e Egerit, në sheshin ku ndodhet edhe pllakata me emrin e heroit. Në ceremoni morën pjesë dy nënkryetarët e Bashkisë së Egerit: z.Gábor Minczér dhe z.Attila Farkas , gjithashtu pati një pjesëmarrje të gjerë të diasporës shqiptare në Hungari, si dhe miq e dashamirës hungarezë.

Në fjalën e tij nënkryetari i Bashkisë z. Gábor Minczér vlerësoi figurën e Skënderbeut dhe marrëdhëniet e tij me Janos Hunyadi. z. Minczér nënvizoi po ashtu miqësinë e hershme mes dy popujve si dhe rëndësinë e urave të reja të bashkëpunimit mes Hungarisë dhe Shqipërisë.

Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Pécs, z. Avni Hafuzi bëri një prezantim të denjë të figurës së heroit tonë kombëtar, si dhe vlerave historike dhe natyrore të Shqipërisë. Z.Hafuzi falenderoi Komunitetin shqiptar dhe Bashkinë e Egerit për miratimin e propozimit për vendosjen e bustit të Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër. Projekt i cili do të realizohet brenda vitit 2023.

Nga ana jonë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë falenderoi Konsullin e Nderit z. Avni Hafuzi për organizimin, diasporën shqiptare në Hungari për pjesëmarrjen e gjerë dhe Bashkinë e Egerit për mbështetjen dhe bashkëpunimin.