Homazh për shembjen e Teatrit: Krim shtetëror i pandëshkuar nga drejtësia e kapur

291
Sigal

Aktivistët që mbrojtën Teatrin Kombëtar për një kohë të gjatë, kanë mbajtur një protestë-homazh sot në një vjetorin e shembjes së godinës simbol të Tiranës. Ata kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj në vendin ku ishte godina e Teatrit Kombëtar.

“Teatri Kombëtar, krim shtetëror i pandëshkuar nga drejtësia e kapur,” thuhet në banderolë.

Si sot, një vit më parë, dy ndërtesat e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental u shkatërruan plotësisht.

Duke filluar rreth orës 4:30 të mëngjesit të 17 majit 2020 u prish ndërtesa e Teatrit Kombëtar. Fillimisht, policia rrethoi zonën e Teatrit Kombëtar në një operacion të beftë policor kur qindra forca policore rrethuan ndërtesën e teatrit.

Në pak minuta ato larguan forcërisht dhjetëra qytetarë që kishin gjithë natën që qëndronin aty.

Disa qytetarë që kundërshtuan u shoqëruan për në komisariatet e policisë. Pas shembjes së Teatrit, qytetarët u përplasën me policinë gjatë gjithë ditës.

Shumë policë bashkiakë, forcat RENEA dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë rrethuan të gjithë perimetrin e ish-Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Brendshme.