Hetimi për tenderat sekretë/ Ministria e Shëndetësisë: Të hapur për organet e drejtësisë

324
Sigal

Debati i ditëve të fundit në lidhje më tenderat e dhënë nga qeveria në kohën e pandemisë në Shqipëri ka arritur në SPAK.

Mësohet se ka 10 ditë që SPAK ka nisur dy kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë dhe disa pyetje që kanë të bëjnë me këtë çeshtje.

“Çfarë procedure është ndjekur në tenderat e zhvilluar? Çfarë klasifikimi sekret dhe çfarë niveli sekret kanë tenderat e zhvilluara nga ky institucion? Numrin e tenderave të zhvilluar me procedurë sekrete? Sa është vlera e tenderave me procedurë sekrete? Çfarë është blerë me këto tendera?, thuhet në kërkesë.

Ditën e sotme ka reaguar edhe Ministria e Shendetësisë, e cila shpjegon se ka dy ditë që i është përgjigjur interesimit të SPAK për tenderat.

Ja njoftimi i plotë:

Ministria e Shëndetësisë: Të hapur për organet e drejtësisë

Në vijim të një artikulli të botuar sot në media, informojmë qytetarët se në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më datë 8 Maj 2020 është firmosur shkresa përcjellëse (faksimile bashkëlidhur) me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë.

Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19.

Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK.

Ministria e Shëndetësisë shpreh edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim me organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë.