Heroinë e ndarë në doza, prangoset 34-vjeçari në Tiranë

148
Sigal

Policia e Tiranës bën të ditur se ka arrestuar një 34-vjeçar i cili shpërndante doza heroine në kryeqytet.

Arrestimi është bërë pranë rrugës së Kavajës, ku 34 vjeçari është kontrolluar fizikisht dhe sipas policisë i janë gjetur doza të vogla të gatshme për shitje.

“Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta, në doza të vogla, nga Komisariati i Policisë Nr. 2.

Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike heroinë e ndarë në doza, gati për shitje.

Vihet në pranga 34-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari kriminale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në të dhënat e marra në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike heroinë, menjëherë organizuan punën për kapjen e tij.

Në Rrugën e Kavajës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin F. G., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. G. iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë e dyshuar narkotike heroinë e ndarë në doza, gati për shitje.

Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në Rrugën e Kavajës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thekson Policia.