HEC në Park Kombëtar/ Banorët e Zall Gjoçajt protestë para SPAK, kallëzime për disa zyrtarë

198
Sigal

Banorët e Zall Gjoçajt protestuan këtë të premte përballë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku depozituan edhe një kallëzim për një sërë zyrtarësh, ndër ta edhe ministrin Blendi Klosi.

Ata i konsideruan ndërtimet në Parkun Kombëtar të paligjshme dhe thanë për mediat se do vazhdojnë protestën që vazhdon prej dy vitesh.

Gjykata Administrative Tiranë vendosi më 25 janar vazhdimin e punimeve të ndërtimit të HEC-eve “Sekë” dhe “Zais”, në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj. Ndërsa në 18 janar, Gjykata Administrative i hoqi kompanisë ndërtuese të hidrocentraleve të drejtën për të prodhuar energji brenda zonës së mbrojtur.

Hidrocentralet Sekë dhe Zais morën leje ndërtimi më 3 tetor të 2018. Dy hidrocentralet në fjalë janë pjesë e rreth 100 hidrocentraleve, të cilave qeveria Rama u ka dhënë leje ndërtimi.

Banorët e fshatit Zais i kanë kundërshtuar projektet me argumentimin se këto vepra hidroenergjitike do t’u marrin burimet ujore dhe do të dëmtojnë zonën. Ata kanë protestuar që në fillim të vitit 2019. Protesta janë organizuar edhe në Tiranë, përpara Kryeministrisë.