HEC-i Bushatit ka nisur si interes jugosllav i Titos më 1932, si djallëzi e Enverit më 1973, si “shërbim serb” i Berishës më 199

659
Sigal

Kujtesë dhe saktësim për ing. Emin Musliu, lidhur me historikun e (mos)ndërtimit të HEC-it të Bushatit: E bllokoi Lidhja e Kombeve më 1932 dhe Banka Botërore më 1995, 1998, 1999, 2001

Javën e kaluar, ing. Emin Musliu, “veterani” i ndërtimit të HEC-ve në Shqipëri, fliste në gazetën “Telegraf” edhe për projektin e parealizuar si ndërtim, të HEC-it të Bushatit. Ing. Musliu, deklaronte me pak rreshta si “lajm kronike”, se punimet për HEC-in e Bushatit, kanë nisur për herë të parë në vitin 1973 dhe janë ndërprerë në vitin 1974 e më pas nuk u fol më për të. Thjeshtë, për efekt kujtese e saktësimi për ing. Emin Musliun, po publikoj historikun e vërtetë të synimit, idesë dhe projektit për të ndërtuar HEC-in e Bushatit. Konkretisht, “Çështja HEC-i Bushatit”, nuk është mbyllur në vitin 1974. Në vitin 2002 është rikthyer “projekti” e janë hedhur hapat konkrete për ndërtimin e këtij hidrocentrali. Për këtë çështje, ka folur publikisht përpara Bankës Botërore edhe ing. Ali Hoxha. Në vëzhgimin e tij, ai argumentonte dëmet e jashtëzakonshme që do të shkaktoheshin në mjedis, në bujqësi, florë, faunë dhe financat e shtetit shqiptar, nëse do të konkretizohej marrëzia e ndërtimit të HEC-it të Bushatit. “Historiku” i HEC-it “pazar” të Bushatit, dëshmon se është folur e po vazhdon të flitet për interesa ndërshtetërore, por që rëndojnë e rëndojnë ndjeshëm, madje me pasoja të përjetshme vetëm ekonominë dhe mjedisin shqiptar. Megjithatë, ndërtimi i këtij hidrocentrali ishte këmbëngulje e përhershme e shtetit shqiptar që prej vitit 1932, nxitur nga interesa jashtë kufijve. Vetëm 19 vite më parë, konkretisht në vitin 1995, me urdhër të ish-Presidentit Sali Berisha, pas një negocimi “sekret” me palën malazeze (serbe) u planifikua të nisnin urgjent punimet për ndërtimin e HEC-it të Bushatit. Po cila është historia e (mos)ndërtimit të këtij HEC-i?

 HEC-i Bushatit, 82 vjet histori projektesh e vendimesh Serbi-Shqipëri

 Sipas dokumenteve arkivorë, historia e ndërtimit të hidrocentralit të Bushatit, nuk e ka fillesën në kohën e “veprave të dritës së partisë”, të ndërtuara në periudhën e Socializmit, siç deklaron ing. Emin Musliu, por ka nisur qysh në vitin 1932. Është hedhur si ide dhe është bërë vendim edhe përpara 42 viteve, konkretisht në vitin 1972. Sipas të dhënave arkivore të ing. Ali Hoxha, ky projekt ka qenë i përfshirë në skemën e përgjithshme strategjike kombëtare shqiptare, të shfrytëzimit hidro-energjetik të Lumit Drin. Projekt-ideja e HEC-it të Bushatit, u hartua nga prof. Farudin Hoxha qysh në vitin 1972 e më pas u bë vendim në vitin 1973 dhe u bllokua në vitin 1974. Megjithëse u trumbetua me bujë nga ish-sistemi komunist, çuditërisht ndërtimi i HEC-it të Bushatit u la në heshtje pa asnjë shpjegim deri në vitin 1990. Ky qëndrim heshtës, sipas dosjes përkatëse, kishte lidhje me 3 shkaqe:

1. Pafuqinë financiare të shtetit shqiptar, për të përballuar ndërtimin e tij.

2. Pasojat e zbatimit të projektit, të cilat krijonin probleme fizike për terrenin dhe problemet sociale, si papunësi e vështirësi strehimi nga shpërnguljet e banorëve.

3. Bllokazhi që krijuan institucionet mjedisore e financiare ndërkombëtare, duke bërë presion me embargo ndaj Shqipërisë, nëse ndërtohej ky hidrocentral që favorizonte vetëm interesat Jugosllave.

 HEC-i Bushatit ishte ide e Titos që në vitin 1932, u bllokua nga Lidhja e Kombeve

 Paçka se ndërtimi i HEC-it të Bushatit, paraqitet prej ing. Emin Musliut si “projekt dhe ide e ish-sistemit komunist shqiptar në vitet ‘70”, dokumentet flasin për të kundërtën. Ideja e ndërtimit të kësaj vepre të madhe, shkon shumë vite më herët, saktësisht 12 vjet përpara çlirimit të Shqipërisë, konkretisht në vitin 1932. Historia e ndërtimit të këtij hidrocentrali “fantazmë” nuk ka nisur në vitin 1973, siç thotë ing. Emin Musliu, por ka nisur 82 vjet më parë dhe madje jashtë kufijve të Shqipërisë. “Lojën” dhe aventurën për ndërtimin e HEC-it të Bushatit e ka nisur fillimisht Jugosllavia. E prirur vetëm nga interesat e saj kombëtare, në vitin 1932, shteti Federativ Jugosllav përgatiti një projekt të fuqishëm energjetik në lidhje me idenë e ndërtimit të hidrocentralit në fjalë, nëpërmjet të cilit synonte të devijonte lumin Drin, duke e futur rrjedhën e tij nëpër fushën e Trushit. Por, kjo ide e Titos, me interesa të mëdha ekonomike e territoriale për Jugosllavinë dhe me pasoja e humbje të rënda për Shqipërinë, nuk u realizua dot. Pse? Në arkivat e Ministrisë Shqiptare të Ndërtimit, të muajve tetor-nëntor 1932, ndodhen përgjigjet me argumentet e paraqitura prej ekspertit të Lidhjes së Kombeve, italianit Amadeo, lidhur me vendimin për mos lejimin e ndërtimit të HEC-të Bushatit prej Jugosllavisë, sipas ide-urdhrit të Titos dhe aprovimit të fshehtë zyrtar, që kishte dhënë ish-mbreti Ahmet Zogu. Në këto përgjigje, të cilat mbahen “tepër sekret”, përcaktohet prerë se projekti i ndërtimit të HEC-it të Bushatit, paraqitet i njëanshëm dhe me pasoja të rënda fizike, mjedisore e social-ekonomike për Shqipërinë. Ndërtimi i tij, sipas ekspertizës së Lidhjes së Kombeve ishte (dhe është) 100% në dëm të palës shqiptare, sepse devijimi i lumit Drin me shtrat rrjedhjeje përmes fushës së Trushit, shkakton dëmtime tepër të mëdha për bujqësinë shqiptare në masën 80 % të tokës bujqësore dhe zhdukjes së burimeve ujore nëntokësore në masën 90 % të tyre.

 Pasojat dhe leverdia shqiptare, nga ndërtimi HEC-it të Bushatit

 Pasojat shkatërruese që shkaktonte ndërtimi i HEC-it të Bushatit, shpjegohen duke e nisur argumentin, nga ky fakt i para shumë viteve: Në projektin origjinal, uji i hidrocentralit Vau-Dejë duhet të binte në kuotën 20 metër mbi nivelin e detit. Ndërsa në të vërtetë, me qëllim që HEC-i Bushatit të përurohej në kohën e duhur, por edhe me synim që nëpërmjet tij të ndërtohej një rezervuar për të vaditur tokat e Zadrimës, kuota e rënies së tij u la 23 metër. Nga ato 3 metër diferencë e shtuar, që nuk u arritën në kuotën e rënies, shteti shqiptar humbiste 60 milionë kilovatorë energji në vit. Ndërkohë, që sipas mendimit të prof. Farudin Hoxhës, kuota e rënies së HEC-it Vau-Dejë mund e duhej të ulej në 18 metër, gjë që do ta bënte akoma më fitimprurës këtë hidrocentral. Ky argument fitimprurës, nuk u pranua nga “elita e specialistëve zyrtarë” të qeverisjes së vitit 1995 e po kështu nga “ekspertët” e qeverisjes së vitit 1998, aq sa në mënyrën më absurde vazhdohej të këmbëngulej në ndërtimin e tij. Kujtojmë, se në shtator 1999, në Institutin e Projektimit të Hidrocentraleve në Tiranë (IPHT) është bërë ballafaqimi i projektuesve kryesorë të këtij HEC-i, me Shoqatën e Mbrojtjes së Mjedisit e Ujërave, të Shkodrës. Takimi, në të cilin ishte prezent edhe prof. Farudin Hoxha dështoi, mbasi projektuesit e Institutit të Hidrocentraleve nuk ishin në gjendje të kundërshtonin vërejtjet e përfaqësuesve të kësaj Shoqate, duke futur në kaos e duke braktisur takimin. Në fakt, pala qeveritare shqiptare iku nga takimi, mbasi nuk kishte në dosje 1 nga 3 kushtet kryesore të vendosura prej Bankës Botërore: Bashkëbisedimin dhe lejen nga banorët e zonës, ku do të ndërtohej HEC-i. Siç dihet, ndërtimi i çdo hidrocentrali është vepër komplekse që ndërron rrjedhën dhe regjimin e ujërave të zonës e rajonit ku rrjedhin këto ujëra. Nga ndërtimi i hidrocentralit të Bushatit, ndryshohej regjimi i plotë i lumenjve Drin, Bunë, Gjadër e Kir. Po kështu, ulej minimalisht me 70 cm niveli i Liqenit të Shkodrës. Kjo pasojë nuk do të ishte e vogël, mbasi i shndërrohej pamja fushës së zonës të Nënshkodrës. Ndërsa qindra hektarëve të tjerë “tokë bujqësore”, do t’u shtohej me 40 % lagështira, ose do të thaheshin përfundimisht. Nga ky ndërtim me devijim rrjedhash lumenjsh, prishej rrjeti i ujërave nëntokësorë dhe rrjeti kompleks i kanaleve ujitës dhe kuptohet se çfarë ndodh pas këtij çrregullimi total. Bujqësia do të përballej pas kësaj, me një problem që do të kërkonte një ndërhyrje tjetër më të madhe financiare për ta rehabilituar, ose do të përjetonte krizën e mungesës së përjetshme të sistemit të rregullt ujit në tokat e tyre, madje edhe të mungesës së tij të plotë e përfundimtare. Sipas llogarive, nga ky ndërtim, shteti shqiptar do të fitonte disa milionë dollarë në vit nga shitja e energjisë elektrike, ndërsa populli do të kishte pak më shumë kohë ndriçim në familje. Një tjetër leverdi e paraqitur nga “ideatorët” dhe urdhëruesit e ndërtimit të HEC-it të Bushatit, përmendej edhe fakti, se prej punimeve të ndërtimit të këtij hidrocentrali, si dhe nga aktiviteti prodhues pas vënies në funksionim, do të punësoheshin afro 1100 forca të lira pune.

 “Loja” e vitit 1972: Enveri falsifikoi projektin e HEC-it, për të mashtruar ndërkombëtarët

 Shteti Shqiptar, nuk u tërhoq nga synimi për të ndërtuar HEC-in e Bushatit. Si për koincidencë, apo ndoshta si vazhdim i skemës së vjetër “pro” interesave serbe, këtë devijim parashikonte edhe vendimi “Enver Hoxha” i vitit 1974, vendimi “Berisha” i vitit 1995 dhe 3 vendimet “Nano” të viteve 1998, 1999 e 2002 për ndërtimin e HEC-it të Bushatit! Saktësojmë, projekt-ideja “Enver Hoxha” për këtë vepër, u hartua dhe u prezantua nga prof. Farudin Hoxhës, paraqitur për herë të parë në vitin 1972 vetëm përpara Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos e Ramiz Alisë. Pas “konsulencës’ me kupolën komuniste, projekti u modifikua nga grupi i inxhinierëve të Institutit të Projektimeve Hidrocentraleve (IPH). Realisht, ky modifikim u bë fiktivisht në disa elementë pa asnjë ndikim mbi projektin bazë, pra, duke mos prekur fare projektin, me synimin që të prezantohej si “ide dhe projekt i ri” në sy të financuesve të mundshëm ndërkombëtar. Por, shumë gjëra ndryshuan qysh nga viti 1972 dhe projekti i HEC-it të Bushatit mbeti i ngurosur. Troç, ishte një “marifet alla-shqiptarçe”, të cilin ndërkombëtarët nuk e “hëngrën” dhe kërkuan mos nisjen e ndërtimit. Shteti shqiptar i vitit 1972, megjithëse gjeti burimet e plota të financimit të projektit, nuk u lejua të niste punimet dhe u tërhoq, mbasi kishte pranuar kushtet e Komitetit Europian dhe 4 Konventat Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit. Ndërkombëtarët këmbëngulën, mbasi, ata nuk pranojnë për asnjë rast ndërtimin e atyre HEC-eve që krijojnë deviacione, siç është rasti i HEC-it të Bushatit, sipas projektit të të cilit ndryshohet rrjedha e Drinit, nga HEC-i Vaut të Dejës, deri në derdhjen e Bunës, proces ky që lejohet të bëhet vetëm me projekte teknike. Kjo skemë teknike, kërkon shoqërimin e domosdoshëm të ndërtimit të veprës, me projekte bindëse të mbrojtjes së mjedisit, të eko-sistemeve, të mbrojtjes së tokave bujqësore dhe resurseve të komuniteteve lokale. Kjo parashikon mënjanimin e plotë, ose kompensimin e efekteve anësore, humbjet në ekonominë bujqësore e në natyrë, të cilat shkaktohen nga ndërtimi i hidrocentraleve të strukturës me deviacione, siç ishte projekti i HEC-it të Bushatit.

 Tito, Zogu, Enveri, Berisha e Nano një ide, projekt e qëndrim: Këmbëngulje për të ndërtuar HEC-in e Bushatit

 Këto detyrime, megjithëse janë ditur e janë reklamuar, për të vazhduar projektin serb (projektin “Tito-Zog” të vitit 1932) të ndërtimit të këtij HEC-i, shteti shqiptar qëllimisht nuk i ka bashkëngjitur asnjëherë në projektin e paraqitur ndërkombëtar. Këto detyrime janë zhdukur nga dosja e projektit, për të mashtruar bllokuesit ndërkombëtarë, qëllimisht për të mashtruar e futur donatorët e huaj në lojën e nisjes së investimit, pa menduar ndërprerjen e ndërtimit. Këmbëngulja absurde e përpjekjeve për ndërtimin e këtij hidrocentrali, vazhdoi në vitin 1995, prej ish-pushtetit “Berisha”, me të njëjtin projekt të vitit 1974 të Enver Hoxhës, që ishte kopje e projektit të dyshes Tito-Zog të vitit 1932. Në paragrafin “sqarim për ndërkombëtarët” në faqen 154, pala shtetërore shqiptare e vitit 1995, deklaronte: “Hidrocentrali i Bushatit është vepër me karakter energjetik dhe nuk ka lidhje me cenimin e tërësisë ujore të Shkodrës”. Ndërkohë, shteti Shqiptar i vitit 1995 ishte bindur, se Banka Botërore, nuk do të investonte “as 1 cent”, madje as nuk do të pranonte të dialogonte për projektin e ndërtimit të HEC-it të Bushatit, mbasi në dosje nuk ishin paraqitur projektet përkatëse mjedisore dhe treguesit e efekteve të planit social-ekonomik.

Aventura e vitit 1995: Shteti braktisi Bankën Botërore, u lidh me Kinën!

 I gjendur përballë bllokazhit të Bankës Botërore, në shtator 1995, shteti shqiptar “trokiti”, kërkoi dhe gjeti investitorë kinezë, për të zbatuar projektin e HEC-it të Bushatit. Rilidhja shqiptare me kinezët për ndërtim veprash të tilla, shpjegohej me këmbënguljen e shtetit shqiptar për të realizuar sa më shpejt zbatimin e këtij projekti jugosllav të vitit 1932, si premtim i bërë në takimin e fshehtë Berisha-Milosheviç-Arkan. Ky projekt u mirëprit nga pala kineze duke mos kërkuar asnjë nga kushtet që kërkonte ekspertiza e Lidhjes së Kombeve në vitin 1932, Konventat Ndërkombëtare të Mjedisit në vitin 1974 dhe Banka Botërore në vitin 1995, gjë e cila u deklarua në një takim paraprak konfidencial e sekret, bërë me palën shqiptare, palën kineze dhe palën serbe në Malin e Zi. Qeveria shqiptare dhe investitorët e “verdhë”, pasi bënë llogaritë, përcaktuan se ky hidrocentral, kishte kosto prej 150 milionë dollarë, nga të cilët, 126 milionë dollarë do të investoheshin nga kredia kineze afatgjatë 40 vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do të përballohej nga “xhepi” i shtetit shqiptar. Kushti i vetëm i palës shqiptare ndaj palës kineze ishte ky: HEC-i Bushatit të ndërtohej urgjent! Ky fakt u cilësua “skandal i rëndë” në historinë e energjetikës botërore, gjë të cilën, përballë presionit të ndërkombëtarëve, nuk guxoi ta bënte as “sulltani” Enver Hoxha.

Shqipëria, pazar me Malin e Zi kundër interesave shqiptare

 Por problemi nuk ishte vetëm shqiptar. Nëse ky hidrocentral, do të lejohej të ndërtohej, do të ulej ndjeshëm niveli i Liqenit të Shkodrës. Pjesa malazeze e këtij liqeni, dihet që është Park Kombëtar (i tyre) dhe malazezët me të drejtë, janë kurdoherë të interesuar për të patur nivele të larta uji në pjesën e tyre të liqenit, resurs ky që do të favorizonte florën dhe faunën e atij vendi. Ky “Pazar” shqiptaro-malazez kundër interesave shqiptare, ishte parashikuar teknikisht “me gojë” palëve, por nuk gjendej “me letra”’ në dosje, pra nuk ishte firmosur dokumentarisht në planin ndërshtetëror. Dosja e HEC-it të Bushatit, provon se ndërmjet dy shteteve Shqipëri-Mali Zi nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje konkrete. Malazezëve, padyshim u pëlqente kjo mungesë marrëveshjeje zyrtare, mbasi atyre u interesonte më tepër zhvillimi i turizmit të zonës së tyre liqenore, se sa energjia elektrike që ata do të merrnin në këmbim të uljes së nivelit të liqenit të Shkodrës, edhe në anën e tyre. Për rrjedhojë, do të krijohej një situatë e ngjashme me atë të Liqenit të Ohrit, ku pala maqedonase është e interesuar të ketë kuota më të larta uji në liqen se pjesa liqenore shqiptare, ndaj dhe shpesh bën “lojëra” dhe pazare të heshtura me palën shqiptare, me devijime rrjedhash e hapje mbyllje portash të digave të liqenit të Ohrit, siç veproi në dhjetor-janar 2010 gjatë përmbytjeve që ndodhën në Shkodër.

Në vend të HEC-it të Bushatit, u ndërtua TEC-i Vlorës

 Hidrocentrali i Bushatit, ishte planifikuar të ndërtohej me çdo kusht, jo për interesa kombëtare shqiptare, por sepse interesa të mëdha grosistësh rajonalë, europian e aziatikë fshiheshin pas tij. Tërheqja e shtetit shqiptar në vitin 2001, nga synimi për ndërtimin e hidrocentralit të Bushatit, lidhet me sensibilizmin e komunitetit zonal, nga shoqata “MESHBUSH”, por veçanërisht dhe me argumentet e disa specialistëve, paraqitur pranë përfaqësuesve të Bankës Botërore në Shqipëri. Në rast se HEC-i Bushatit do të ndërtohej, atëherë në mënyrë të pashmangshme kalaja “Rozafa” do të ishte tashmë e gjitha nën ujë, ndërsa Drini që kalon rrëzë Rozafës do të ndërronte shumë shpejt shtratin, duke lënë prapa një shkretëtirë të pafund zhavorri e llumi. Por, ndodh diçka tjetër: Përfaqësuesit e Bankës Botërore që bllokuan HEC-in e Bushatit, në vend të tij lejuan ndërtimin e TEC-it në Vlorë me justifikimin e “nevojës për burime energjie për konsum familjar”.

Përparim HALILI