Haxhi Dede Edmond Brahimaj/ Sot nga ora 10.00-17.00 përkujtohet 75-vjetori i ish-kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Ali Rizait

646
Sigal

Nga Nuri Çuni

Përkujtohet sot 75-vjetori i kalimit nga jeta i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Ali Rizait

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Vlerësim dhe mirënjohje për kontributin e këtij kleriku bektashian!

Sot mbushen plot 75 vjet nga kalimi nga kjo jetë i klerikut të njohur, ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Ali Riza Dede. Për këtë eveniment, duke nisur nga ora 10:00, deri në 17:00, në Selinë e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, bëhen vizita. Ali Riza Dede ka një kontribut të rëndësishëm si klerik dhe atdhetar. “Ali Riza Dede, i përket atyre klerikëve të përkushtuar të besimit tonë bektashian, që ia kushtoi gjithë jetën besimit dhe besimtarëve. Ai Ka lënë gjurmë jo vetëm në teqetë ku ai punoi, në Krujë, Martanesh, Elbasan ku punoi 23 vite etj, por dhe në periudhën që u zgjodh Kryegjysh Botëror Bektashian. Duke përkujtuar 75-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë, ne vlerësojmë kontributin që ai ka dhënë për bektashizmin në një nga periudhat e vështira”-pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Edukimi bektashian

Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Ali Riza Dede, ka lindur në qytetin e Krujës më 18 tetor të vitit 1876, prej një familje me traditë bektashiane, në banesat brenda mjedisit të kalasë së Krujës. Qysh në moshë të vogël, prindërit e çonin shpesh në teqenë e Dollmës, të Shememi Babait dhe teqetë e tjera në qytetin e lindjes. I edukuar me  këtë besim të mrekullueshëm bektashian, ai shikonte dritën dhe dashurinë ndaj Zotit, ku mbresa të veçanta lanë vizitat e shpeshta në teqen e Sari Salltikut në malin e Krujës, që e bënte më këmbë çdo javë me prindërit e tij. Ishte kjo një traditë që e respektonin gjithë besimtarët e Krujës që shkonin tek Guva e Shenjtë. Pas vdekjes së babait, Hasanit, i ra barra për të mbajtur familjen e tij, sepse Rizai ishte më i madhi i fëmijëve. Në moshën 14 vjeçare punoi hyzmeqar në Krujë, Shijak në punë të ndryshme. Në moshën 18 vjeçare shkon në teqenë e Shememi Baba në Fushë-Krujë dhe merr dorë te babai i teqesë, bëhet anëtarë spiritual, myhib, dhe me kalimin  e kohës, duke marrë njohuri dhe duke ndjekur rregullat dhe normat e tarikatit bektashian, iu shtua më shumë dashuria për tu bërë klerik.  Me lejen e familjes dhe të afërmve të tij, konsakrohet dervish nga baba  Haxhi Subashi i teqesë së Shememi Babait.

Formimi i mëtejshëm si klerik

Ali Dede Rizai, kishte dëshirë për të ngritur njohuritë e tij për bektashizmin dhe kërkonte vazhdimisht të vazhdonte shkollë jashtë vendit, në Haxhi Bektash. Për këtë iu krijua mundësia, aty rreth viteve 1902, të shkonte së bashku me dervish Xhaferin (u bë edhe ky, Kryegjysh, në vitin 1944) nga Gjirokastra, në Haxhi Bektash në Turqi. Këtu për disa vite, dervish Rizai bëri shkollë dhe mori njohuritë e nevojshme për udhën bektashiane. Por, gjatë kësaj periudhe, kreu udhëtimin-obligim në Mekë, vizitoi varrin e Profetit Muhamed, të Imam Aliut në Nexhef dhe varret e dëshmorëve të Qerbelasë. Më tej bëri dhe shumë vizita në Irak e vende të tjera të Lindjes. Për disa vite me radhë bëri shkollën teologjike në qytetin e Damaskut, në Siri duke shtuar më tej njohuritë fetare teologjike dhe mësime për mjekësinë. Rreth viteve 1914 kthehet në Shqipëri, në qytetin e lindjes, Krujë. Por situata e vështirë dhe lufta e verbër fetar ishte, bënë që dervish Rizai, së bashku me dervish  Asllan Trepshin të shkojnë për të shërbyer në teqenë e Martaneshit për disa vite me radhë. Ata lanë gjurmë shumë të mira në popullsinë e kësaj krahine me tradita në besim e dashuri në Zot. Veçanërisht, i vyeri baba Aliu komunikonte me besimtarët dhe shpesh shkonte te vendi i shenjtë në Ballenjë të Martaneshit, te guva e Ballëm Sullanit me histori të madhe. Këtu, në Kaptinën e Martaneshit bëhej pelegrinazh nga gjithë zona e nga Dibra.

Në vitin 1918 thirret nga baba Hamidi i teqesë “Pusi që lahet vetë” në Elbasan, ku plotësoi përvojën nën kujdesin e veçantë të tij. Pas vdekjes së baba Hamidit, zë postin e tij sipas rregullave bektashiane. Këtu punoi me përkushtim për 23 vite me radhë, deri në vitin 1941. Nga viti në vit u rrit autoriteti i tij dhe fitoi një respekt të veçantë, jo vetëm për besimtarët bektashian, pore dhe gjithë banorët e Elbasanit dhe krahinat rreth saj. Ai me punën shumëvjeçare dhe predikimin fetar kishte fituar aftësi, dhunti mistike të cilat i vuri në shërbim të besimtarëve dhe dashamirësve të krahinës së Elbasanit, u bë një personalitet i njohur i bektashizmit. Përgatiti shumë myhibë, dervish, ai ndihmoi edhe  dervish Ahmet Myftar Ahmataj për kulturën dhe ritet fetare të besimit bektashian, e pa tek ai, dashurinë, përkushtimin për familjen e Ehli-Bejtit, që ishte dervish në kohën e tij. Teqenë e ktheu në një vend të bukur me kopsht, bimë e lule, sa vizitohej nga gjithë qytetarët e Elbasanit, e cila u kthye në një vatër edukimi e strehë e të varfëve, e cila rrezatonte mirësi, dashuri dhe vëllazëri për të gjithë.

Kryegjysh Botëror Bektashian

Pasi  u vra i ndjeri Kryegjysh, Sali Niazi Dede, më 28 nëntor të vitit 1941, në Tiranë, këshilli klerikal e zgjodhi  baba Rizanë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, më 10 janar të vitit 1942. Si Kryegjysh së pari përfundoi godinën e madhe që ngriti Sali Niazi Dede dhe organizoi punën brenda e jashtë vendit në forcimin e bektashizmit. Në këtë periudhë komunikoi, bashkëpunoi, e bëri lidhje me disa teqe në Ballkan dhe më gjerë. Dokumentet arkivore flasin për bashkëpunimin me komunitet bektashiane në rajon dhe në botë. Sigurisht, në vitet 1942-1944, për shkak të rrjedhave të vrullshme të Luftës së Dytë Botërore, ashtu si çdo besim tjetër në Shqipëri, edhe bektashizmi do të gjendej përpara dilemave të mëdha. Sepse teqetë, gëlonin nga myhibë dhe dashamirës, të cilët i mbanin sytë nga myrshidët e tyre. Pati teqe bektashiane si ajo e Rabijes në Tepelenë që u shndërrua në Qerbela nga gjaku i klerikëve dhe myhibëve, në luftë me okupatorin fashist italian, por pati edhe teqe si ajo e Zallit në Gjirokastër, e cila nuk i hapi dyert për komunizmin, duke ditur se idetë e tij, vinin nga Rusia e largët, e cila askurrë nuk na kishte dashur. Pra realisht, dervishët dhe baballarët bektashianë në më të shumtën e rasteve, u udhëhoqën jo nga ideologjitë, por nga deviza e shenjtë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Pikërisht në këto momente me përgjegjësi kaq të madhe historike, Dede Ali Rizai u tregua kurajoz dhe largpamës. Ai me fjalë dhe vepra bëri thirrje që çdo besimtar bektashian t’u dilte zot fateve të kombit, sepse edhe vet Piri ynë, Haxhi Bektash Veliu, e quante detyrim që vatani të mbrohej me pushkë nga të huajt. Edhe pse pati ndërhyrje nga instancat shtetërore të kohës për t’iu bashkuar pushtetit në vendimet e marra, Dede Ali Rizai e ruajti të shenjtë traditën bektashiane dhe eci në gjurmët e ndritura të Sali Niazi Dedeit. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1944 në spitalin e Tiranës, por vdekja e tij, mbeti një mister sot e kësaj dite. Me rrëzimin e komunizmit në Shqipëri u sollën eshtrat e  tij në qershor të vitit 1993 nga varreza publike Tiranë dhe sot prehen në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Është dekoruar me titullin e lartë nga Presidenti i Republikës në vitin 1993, me Urdhrin për veprimtari patriotike të Klasit I. Gjithashtu në vitin 2017 u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Nderi i kombit”. Përkujtimi i tij jubileun e 75 vjetorit të kalimit nga jeta, veprimtaria dhe kontributi i tij është një mesazh me vlera të më dha për bektashizmin në Shqipëri dhe në botë. Ishte dhe mbeti i palodhur në rrugën e Hakut. Zëri i tij, fryma e tij, gjithë jeta e tij, vjen sot në brezat e klerikëve dhe besimtarëve bektashianë si një ujëvarë malli të përjetshëm. Sakrificat e tij mbeten dëshmi për brezat.

Përgatiti për botim: K. Boriçi

BOX

Njoftim

Sot me rastin e përkujtimit të 70-vjetorit të kalimit nga jeta të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Ali Riza Dede dhe 103 vjetorit të lindjes së Dede Ahmet Myftarit, sot më datë 22 shkurt 2019,  nga ora 10:00 deri në 17:00, bëhen vizita në Selinë e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

Kryegjyshi Botëror Bektashian

Hirësia e Tij,

Haxhi Dede Edmond Brahimaj