Hashashi, asnjë dënim për përdorim vetjak deri në 3 gramë

3451
Sigal

Autoritetet
shqiptare po shikojnë mundësinë e heqjes së dënimit për personat që
konsiderohen si përdorues të kanabisit. Prej kohësh, të varurit nga kjo lëndë
narkotike e kanë cilësuar të padrejtë faktin se ata kur kapen me sasi të vogla
kanabisi dënohen njësoj si prodhuesit dhe trafikantët e drogave të ndryshme.

Burime pranë grupit të ekspertëve
ligjorë që po përgatisin propozimin për ndryshimet e Kodit Penal, thanë për
TVSH se sasia për përdorim vetjak mendohet të jetë deri në 3 gramë. Propozimi i
hedhur së fundmi erdhi nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Por, krahas heqjes së dënimit për
personat në varësi nga kanabisi, pritet ashpërsimi i dënimit për prodhuesit dhe
trafikuesit dhe kultivuesit e lëndëve narkotike. Çdo vit, rreth 250 përdorues
të lëndëve narkotike dalin brenda një viti përpara gjykatës së Tiranës, ku
marrin dënime të ndryshme si prodhues dhe shpërndarës të lëndëve narkotike. Të
prekur nga ky përcaktim janë edhe minorenët, të cilët sipas psikologëve mbeten
“viktimat” kryesore të përdorimit të kanabisit.

PROPOZIMI I TAHIRIT 

Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka propozuar qeverisë
ndryshime në legjislacion, të cilat i hapin rrugë mosdënimit me burg të pirjes
të hashashit. “Konsumi dhe mbajtja e sasive që me ligj konsiderohen për konsum
vetjak, nuk përbëjnë vepër penale por kundërvajtje administrative”, thuhet në
nenin 238 të Kodit Penal, propozuar nga Tahiri.

Ministria e Brendshme mbështet
propozimin për dekriminalizimin e konsumit të hashashit. Tahiri pohon se kjo
është një eksperiencë e disa vendeve europiane dhe se pirja e hashashit duhet
të dënohet me gjobë. “Propozohet që konsumi dhe mbajtja për konsum vetjak i një
sasie të kufizuar lënde narkotike të konsiderohet shkelje administrative dhe jo
penale. Kjo është një praktikë e ndjekur nga shumë shtete të Evropës.

Kujtojmë se Policia e Shtetit kap
shumë persona që janë konsumatorë dhe mbajtës të sasive të vogla të lëndëve
narkotike. 70% e këtyre rasteve përfundojnë me mosfillim të procedimit penal
nga prokuroria. Edhe për rastet që fillojnë procedimet penale, kërkohet një
angazhim tepër i madh burimesh dhe ekspertizë për të vërtetuar ‘dozën ditore’
të një konsumatori rast pas rasti, pasi ajo ndryshon nga një individ në tjetrin
për shkak të stadit të ndryshëm të karrierës në konsumin e lëndëve narkotike
(doza ditore është më pak te një person që sapo ka filluar të konsumojë lëndë
narkotike dhe më e madhe te një person i avancuar).

Për vërtetimin e këtyre zhvillohen
seanca gjyqësore pa fund dhe me pjesëmarrjen e një numri të madh ekspertësh,
duke sjellë shpenzime gjyqësore të panevojshme dhe shterim të burimeve”, thuhet
në argumentimin e Tahirit.