Harta e re gjyqësore, KShH: Mungon studimi objektiv, pengon aksesin në drejtësi të qytetarëve

49
Sigal

Qysh në momentin kur u diskutua vlerësimi paraprak për hartën e re gjyqësore, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) tërhoqi vëmendjen për mungesën e një studimi objektiv, të gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës në reduktimin drastik të numrit të gjykatave në vend, duke krijuar premisa per te penguar aksesin ne drejtesi te njerezve ne nevoje.

Njëzet ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin nr. 211, miratoi raportin vlerësues për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Tërheq vëmendjen fakti se në pikën 3 të vendimit të KLGJ-së thuhet se raporti i vlerësimit përfundimtar dhe propozimi i miratuar nga KLGJ përcillet tek Ministri i Drejtësisë, për të vijuar me marrjen e mendimit nga KLP, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave. Komiteti i Helsinkit vëren me shqetësim, se ky proces konsultimi duhet të ishte i bashkërenduar midis KLGJ dhe M.Drejtësisë dhe jo të realizohej në mënyrë të fragmentarizuar, duke u miratuar fillimisht në KLGJ dhe më pas për tu përcjellë për konsultim të mëtejshëm në M.Drejtësisë. Këto vonesa janë të pajustifikuara në kohë, për një proces që duhet të ishte ndër më prioritarët pas krijimi të KLGJ, tre vite e gjysëm më parë.

Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datë 29.06.2022, rezulton se ka marrë në shqyrtim situatën e paraqitur pas realizimit të bojkotit të proceseve gjyqësore për shkak të miratimit të propozimit të Hartës së Re të Gjyqësorit dhe duke qenë se KLGJ nuk pati asnjë reagim lidhur me problematikën e paraqitur nga ana e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, ka vendosur:

–          Te Bojkotoje pa afat të gjitha seancat e proceseve gjyqësore civile, penale dhe administrative.

–          Te Bojkotoje seancat e proceve gjyqesore te masave të sigurimit personal në të gjitha shkallët e gjyqësorit për një afat 10 ditor.

–          Moszbatimi i këtij vendimi nga ana e antarësisë të konsiderohet shkelje e rëndë e dispozitave të ligjit me pasojë fillimin e procedimit disiplinor.

KShH, sugjeron që Këshilli i Avokatisë të rishikojë qëndrimin e tij, sepse mosrespektimi i bojkotit të seancave gjyqësore nuk parashikohet si shkak i posaçëm ligjor për procedim disiplinor. Aq më tepër, që për seanca të një natyre të ngutshme sikurse janë vlerësimi i masave të sigurimit apo seanca për çështje që kanë të bëjnë me pensionet, marrëdhëniet familjare apo të punës, masat ndaj dhunës në familje apo të drejtat e fëmijëve, ky bojkot mund të dëmtojë interesat dhe nevojën për drejtësi të qytetarëve e grupeve në nevojë.

Në përfundim shohim të arsyeshme të nënvizojmë se:

KLGJ dhe M.D, në vend që të reagojnë dhe të ulen për të biseduar me përfaqësuesit e organeve drejtuese të avokatisë për shqetësimet e tyre të drejta dhe legjitime, për uljen drastike të numrit të gjykatave, deri më tani kanë zgjedhur të heshtin. Kjo situatë është e papranueshme, në kushtet e një reforme shumë të rëndësishme që ka si qëllim madhor mbarëvajtjen dhe funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, të bazuar mbi parimet e përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës.

Po ashtu, tërheq vëmendjen edhe mosreagimi dhe qëndrimi pasiv i Këshillit të Ministrave për situatën e krijuar, pasi ky institucion ka atributin përfundimtar për të miratuar hartën e re gjyqësore pasi ka marrë propozimin e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrit të Drejtësisë.

Bashkëlidhur po ju përcjellim reagimin publik të KShH-së lidhur me këtë çështje.\

Me konsideratë,

Komiteti Shqiptar i Helsinkit