Hapi lokalin dhe theu urdhrin për herë të dytë, i hiqet leja për gjashtë muaj

303
Sigal

Një lokali në Tiranë i është hequr leja për 6 muaj pasi pronari theu urdhrin për herë të dytë brenda javës. Një lokal bar-kafe, në rrugën “Niko Avrami”, u konstatua i hapur një javë më parë dhe pronari me iniciale F.B., u dënua me gjobë, ndërsa ngjarja është përsëritur sërish.

Nga pamjet e kamerave të Policisë është vënë re që brenda lokalit kishte shishe birre, të cilat pronari ua kishte shërbyer klientëve.

NJOFTIMI I PLOTË:

Tiranë

Theu urdhrin për herë të dytë, duke hapur lokalin, i bllokohet aktiviteti për 6 muaj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrollit të territorit, për zbatimin e masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar të hapur në funksionim, një lokal bar-kafe, në rrugën “Niko Avrami”.

Më datë 27.03.2020 lokali është konstatuar i hapur për herë të parë dhe pronari është ndëshkuar me masë administrative.

Administratori i lokalit shtetasi F.B, është konstatuar përsëri duke mbajtur hapur lokalin dhe duke i shërbyer klientëve dhe në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3 të datës 15.03.2020 është ndëshkuar përsëri, me mbyllje të aktivitetit për 6 muaj.

Një javë më parë, po nga shërbimet e Komisariat të Policisë Nr. 4, një tjetër lokali, në pronësi të shtetases R. F., në rrugën “Sadik Petrela”, iu bllokua aktiviteti për 6 muaj, pasi u konstatua për herë të dytë i hapur, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Që prej daljes së Aktit Normativ e deri tani, në të gjithë vendin janë ndëshkuar 207 administratorë lokalesh që kanë ushtruar aktivitetin në kundërshtim me këtë Akt.

Policia e Shtetit apelon për respektim të masave kufizuese dhe fton qytetarët që në rast se konstatojnë lokale të hapura apo grumbullime personash, si dhe qytetarë që thyejnë vetëkarantinimin, të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital, pasi në këtë mënyrë kontribuojmë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Të gjitha lokalet janë mbyllur me urdhër të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut pasi janë vende ku mund të përhapet pandemia e koronavirusit.