Hapet Shqipëria në 1 qershor, por ja çfarë do të vijojë të jetë ende e ndaluar

432
Sigal

Në kuadër të marrjes së masave të veçanta dhe kufizimeve kundër përhapjes së koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar urdhrin për lëvizjet e automjeteve dhe qytetarëve pas datës 1 qershor.

Nga data 1 qershor në gjithë vendin do të hiqen kufizimet e  orareve për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vendin, ndërsa do të rinisë lëvizja në gjithë territorin si dhe një seri aktivitetesh sipas protokolleve strikte të sigurisë.

Po ashtu, pas datës 1 qershor hapen kufijtë tokësor pa detyrim vetëkarantimi përveç rasteve kur konsiderohet e domosdoshme nga autoritetet shëndetësore.

Plazhet do të hapen më 1 qershor vetëm për strukturat akomoduese, ndërsa në datën 6 qershor do të hapen për të gjithë qytetarët.

Kopshtet dhe çerdhet, parqet, këndet e lojërave, palestrat dhe qendrat e internetit do të rinisin po ashtu punën në gjithë vendin duke zbatuar protokollet e sigurisë.

Aktivitetet sportive do të lejohet të rinisin pa spektatorë, ndërkohë që do të hapen edhe kurset profesionale, edukative, argëtuese dhe konkurset e punësimit.

Por pavarësisht shtimit të aktiviteteve që do të rifillojnë nga puna nga data 1 qershor, ka disa aktivitete të tjera të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri më 23 qershor, kur është përcaktuar edhe kohëzgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Bëhet fjalë për aktivitete ku grumbullimet e njerëzve mund të jenë më të mëdha dhe si pasojë edhe rreziku i përhapjes së infeksionit është më i madh.

Kështu, do të ndalohet hapja e klubeve të natës, hapja e pishinave, hapja e teatrove dhe kinemave.

Po ashtu ndalohen edhe tubimet dhe konferencat, si dhe organizimet e mëdha, përtej atyre familjare, si për funerale, dasma etj.