Hapet gara për postin e Avokatit të Popullit, kriteret që duhet të plotësohen

459
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë ka çelur garën për kandidim për postin e Avokatit të Popullit, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të atij aktual, Igli Totozani.

Kandidatët që do të garojnë për këtë post, kanë 20 ditë afat për të depozituar aplikimin, ku përveç dokumenteve të kërkuara u kërkohet të plotësojnë edhe formularin në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

Gjithashtu, kandidatët duhet të depozitojnë një deklaratë, para zhvillimit të seancës dëgjimore në komisionin e Ligjeve, që provon se ai/ajo nuk është anëtar i asnjë partie apo organizate politike.

Po kështu, kandidati duhet të jetë shtetas shqiptar, të mos jetë dënuar penalisht, si dhe të ketë njohuri në fushën e drejtave të njeriut.

Me reformën kushtetuese të miratuar në korrik, institucionit të Avokatit të Popullit i shtohen kompetencat. Kjo për rastet kur Presidenti i Republikës nuk i plotëson brenda 45 ditëve listat me kandidatët për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe Komisionerët Publikë, kjo e drejtë i kalon Avokatit të Popullit.