Hapet gara për kreun e hipotekave, ja kriteret

589
Qeveria ka hapur garën për zgjedhjen e kreut të hipotekave, ndërsa drejtoresha aktuale, Blerina Doracaj, mohoi të jetë shkarkuar vetëm dy muaj pas emërimit të saj. Ministria e Drejtësisë ka nisur edhe procedurat, ndërsa Doracaj pak ditë më parë u akuzua nga një prej punonjësve të hipotekave për veprime të kundërligjshme. Drini Mataj shprehej në një mesazh për kryeministrin, se drejtoresha e hipotekave bënte emërime të kushërinjve të parë të saj dhe të bashkëshortit të saj në ZQRPP, ndërhynte në zyrën e protokollit dhe dokumenteve zyrtare, ndërsa caktonte sekretaren e saj “me një nivel aspak etik dhe profesional dhe pa arsimin përkatës në komisionin më të rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë (Ku marrin pjesë, Drejtori i kabinetit të ministres, drejtoresha e Kodifikimit) për përzgjedhjen e drejtuesve të hipotekave të rretheve”. Ministria e Drejtësisë shpalli konkursin e hapur për pozicionin krye/regjistrues i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ndërsa kandidati duhet të të jetë shtetas shqiptar; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, ekonomik, inxhinieri ose menaxhim publik; të ketë përvojë pune jo më pak se 7 vjet në administratën publike; të mos ketë qenë i dënuar penalisht; të mos ketë konflikt interesi. Gjithashtu kandidatët që aplikojnë për pozicionin e kreut të hipotekave duhet të dorëzojnë kërkesën për kandidim; jetëshkrimin; fotokopje të diplomës së arsimit të lartë dhe listës së notave; fotokopje e kartës së identitetit ose e pasaportës; dy referenca nga punëdhënës të mëparshëm dhe formularin e vetë deklarimit për garantimin e integritetit të personave që ushtrojnë funksione publike, të plotësuar elektronikisht dhe të nënshkruar. Ndër të tjera, kandidatët duhet të dorëzojnë edhe autorizimin me shkrim për të lejuar Ministrinë e Drejtësisë të bëjë verifikimin e gjendjes gjyqësore, si dhe deklaratën që kandidati nuk është në kushtet e konfliktit të interesit. Afati i dorëzimit të aplikimeve është data 16 Nëntor 2017.
Sigal