Hapet akademia e policisë, përcaktohen 4 shtyllat e funksionimit për 2015-2016

1912
Sigal

Policia e Shtetit po harton katër shtylla të funksionimit të akademisë, që këtë vjeshtë rihapet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, ka inspektuar këtë akademi, për të parë përgatitjet për hapjen e programit mësimor 2015-2016. Mësohet se inspektimi u përqendrua në katër drejtime kryesore, siç janë dokumentacioni juridik e akademik, planet mësimore, infrastruktura dhe përmirësimi i kurseve. Çako tha se hapja e akademisë është një domosdoshmëri në drejtim të mungesës së kuadrove, në drejtim të shkollimit, por edhe në drejtim të rifreskimit të efektivëve.

Katër shtyllat
Mësohet se Policia e Shtetit ka përgatitur katër shtylla kryesore ku është bazuar për ringritjen e Akademisë së Policisë, që u mbyll vite më parë. Aktualisht synohet që në muajin shtator të jetë gati edhe funksionimi i akademisë, duke u bazuar në disa drejtime. “Inspektimi u përqendrua në katër drejtime kryesore si në përgatitjen e dokumentacionit juridik dhe akademik të Akademisë për hapjen e vitit shkollor, apo edhe përgatitja e planeve mësimore. Gjithashtu u inspektua kontrolli për përgatitjen e infrastrukturës mësimore (kabinete, salla leksioni, mjete mësimore etj) si dhe përgatitja e projekteve për përmirësimin e kapaciteteve për kurset e njësive të qarkullimit rrugor, krimeve, rendit, kufirit, antiterrorit etj”, pohon policia.

Sipas saj, drejtori i Policisë së Shtetit ka vlerësuar punën e deritanishme të bërë nga pedagogët në përgatitjen e kurrikulave dhe planeve mësimore, si dhe punën në drejtim të infrastrukturës, si dhe me këtë rast ka falënderuar edhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen. Çako theksoi se hapja e akademisë është një domosdoshmëri. “Kjo vjen pas një shkëputjeje të gjatë, çka solli një dëm të madh në Policinë e Shtetit, qoftë në drejtim të mungesës së kuadrove, në drejtim të shkollimit, por edhe në drejtim të rifreskimit të efektivave të policisë”, tha Çako, ndërsa iu drejtua dekanëve dhe pedagogëve se përvoja dhe kontributi i gjithsecilit është shumë i vlefshëm në përgatitjen e punonjësve të rinj të rolit bazë, si dhe të roleve drejtuese të policisë. “E duam brezin e ri dhe po punojmë fort për të ulur moshën mesatare në Policinë e Shtetit, por e duam edhe përvojën dhe kontributin tuaj”, përfundoi Çako.

Funksionimi

Shtatë vite pasi u mbyll Akademia e Policisë, duke u kthyer vetëm në një shkollë bazë për arsimin policor, ajo do të rikthehet sërish, por tashmë në formën e një universiteti. Mësohet se në vjeshtë, Akademia e Policisë do të hapë dyert për të gjithë efektivët, të cilët do të ndjekin arsimin e lartë policor, do të kryejnë një master apo do të mbrojnë një doktoratë. Vendimi për rikthimin e Akademisë së Policisë u mor që në shkurt të këtij viti nga qeveria, ndërkohë që tashmë është planifikuar sesi do të funksionojë ajo, sa do të zgjasë secili program shkolle, që nga ai bazë e deri te doktorata. Akademia e Policisë do të jetë institucioni përgjegjës i arsimit të lartë publik që ka për mision formimin, kualifikimin dhe specializimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe ofrimin e kualifikimeve dhe specializimeve për institucione të tjera të zbatimit të ligjit dhe për persona fizikë e juridikë në fushën e rendit e të sigurisë publike. Por, në të do të ofrohen edhe programe për formimin, kualifikimin dhe specializimin e punonjësve të nivelit zbatues në Shkollën Bazë të Policisë. Kjo shkollë është jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm. Ajo zgjat 1-2 vite akademike, e ndërthurur me teori–praktikë dhe kursantët përfitojnë deri në 120 kredite (ECTS) dhe diplomë profesionale si punonjës policie i nivelit bazë.

Po ashtu, Akademia do të ofrojë përgatitjen, kualifikimin dhe specializimin e specialistëve të Policisë së Shtetit me arsim të lartë në fushën e policimit e sigurisë në ciklin e parë të studimit “Bachelor”. Pas këtij niveli, në akademi do të hapet edhe cikli i dytë i studimit master, i cili ofrohet për kualifikimin dhe specializimin e oficerëve të policisë me arsim të lartë, pra me diplomë bachelor. Kjo shkollë ofron arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional në fushën e policimit dhe sigurisë. Gjithashtu, Akademia e Policisë do të marrë përsipër edhe përgatitjen e specialistëve në fushën e policimit e sigurisë në ciklin e tretë të studimit “Doktoratë”. Në të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”.

Objektivat

Ngritja e kapaciteteve të formimit policor, në kushte gjithnjë e në rritje që ka komuniteti për një polici profesionale dhe korrekte në shërbim të tyre
Krijimi i hapësirave për bashkëpunim me institucionet e tjera të larta arsimore në vend dhe me ato jashtë vendit.
Krijimi i mundësive për njohjen dhe transferimin e krediteve në institucione të tjera të larta arsimore dhe njohjen apo njësimin e moduleve ose lëndëve mësimore
Krijimi i hapësirave për kualifikimin dhe specializimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera të sigurisë publike, si formë e të mësuarit gjatë gjithë jetës
Zhvillimi i programeve për studime e kërkime shkencore në fushën e rendit publik, investigimit të krimit dhe sigurisë