Hapësirë, zbulohet helium në atmosferën e një eksoplaneti, planeti me përmasa të njëjta me Jupiterin

625
Astronomët për herë të parë kanë zbuluar praninë e gazit helium në atmosferën e një planeti jashtë sistemit diellor (eksoplanet).
Ekipi ndërkombëtar i hulumtuesve, duke përdorur spektroskopin me rreze infra të kuqe të teleskopit ”Hubble”, ka përcaktuar prani të heliumit në atmosferën e eksoplanetit WASP-107b, 200 vite dritë larg Tokës.
Jessica Spake, studente e doktoraturës në Universitetin e Exeter-it në Britani, e cila kryesoi hulumtimin, theksoi rëndësinë e gjetjes.
“Heliumi është elementi i dytë më i shpeshtë i universit pas hidrogjenit dhe është gjithashtu një nga përbërësit kryesorë të Jupiterit dhe Saturnit në Sistemin Diellor. Megjithatë, në kërkimet e deritanishme, heliumi nuk ishte zbuluar në eksoplanetë”, tha Spake.
Duke vënë në dukje se heliumi gjendet në pjesët e sipërme të atmosferës së Tokës, Spake tha se matjet infra të kuqe do të ishin të dobishme në studimin e atmosferës së eksoplanetëve me madhësinë e Tokës.
WASP-107b është një nga planetët me dendësinë më të ulët në mesin e eksoplanetëve të zbuluar deri më sot.
Planeti, i cili është në përmasa të njëjta me Jupiterin, ka një masë prej vetëm 12 për qind të tij. Meqenëse atmosfera e planetit është shumë e madhe, supozohet se 0,1 deri në 4 për qind e gazrave atmosferike zhduken në hapësirë çdo një miliard vite.
Rezultatet e hulumtimit janë botuar në revistën “Nature”.
Sigal